Në Kosovë, pranvera me çmime “të zjarrta” të produkteve bujqësore

Nga të dhënat për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin mars 2025, inflacioni vjetor paraqitet të jetë rritur për 2.9%, krahasuar me marsin e vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor (krahasuar me shkurtin 2025) është 0.8%, kurse realisht sipas vrojtuesve, inflacioni për këtë periudhë krahasuese në bazë të çmimeve që dominuan tregjet e gjelbra të vendit, del të jetë ndjeshëm më i lartë.

Buletini Ekonomik

Trendi agresiv i ngritjes së çmimeve në tregjet e gjelbra të vendit ka vazhduar vrullshëm edhe në muajin e parë të pranverës së sivjetshme. Çmimet e perimeve, por edhe të pemëve, qëkur ka nisur stina e pranverës, në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, por edhe në ato të qendrave komunale, janë të larta dhe për pasojë janë bërë thuaja të ‘pa arritshme’ për shtresat e varfra, por edhe për ato të mesme të vendit.

Reklama e sponzorizuar

Në tregjet e Kosovës (tregjet e gjelbra, markete dhe supermarkete, ku më së shumti bëhet tregtimi i produkteve bujqësore) aktualisht çmimet e thuaja shumicës së produkteve, qofshin ato nga importi, qofshin nga arat dhe kopshtijet e Kosovës, kanë shkuar në qiell edhe gjatë prillit 2025. Ndërsa, në bazë të çmimeve të shumë produkteve ushqimore të shënuara në këtë periudhë, mund të konstatohet se çmimet e këtyre produkteve tashmë kanë kaluar ndjeshëm ato të vitit 2024, që sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), indeksi vjetor i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore kishte rritje për 46,8 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020.

Në këtë mënyrë, të dhënat për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin mars 2025, të publikuara ditë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), krahasuar me çmimet aktuale të pemëve dhe perimeve që në këto ditë të prillit dominojnë tregjet tona të gjelbra, duken jo shumë të besueshme. Sepse, nga të dhënat për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin mars 2025, inflacioni vjetor për muajin mars paraqitet të jetë rritur 2.9%, krahasuar me marsin e vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor (krahasuar me shkurtin 2025) është 0.8%, kurse realisht sipas vrojtuesve, inflacioni për këtë periudhë krahasuese në bazë të çmimeve që dominuan tregjet e gjelbra të vendit, del të jetë ndjeshëm më i lartë. Dhe nëse vazhdon rritja me këtë trend, fare lehtësisht do t’i lënë nën hije çmimet e rritura të këtyre produkteve në vitet paraprake (në vitet 2020-2024, ngritje enorme çmimesh të produkteve bujqësore të trajtuara nga ASK-ja).

Tregtarët në tregjet e gjelbra të Kosovës, por edhe në markete e supermarkete, po vazhdojnë t’i mbesin besnik trendit të kahershëm të përditësimit të çmimeve të perimeve dhe pemëve me ngritje të vazhdueshme. Duket sheshit se fare pak, ose aspak, nuk kanë ndikuar bojkotet e pjesshme të konsumatorëve kosovarë dhe as paralajmërimet për bojkote të reja të mundshme të ndodhin në ditët në vazhdim për shkak të çmimeve të larta.

Një kilogram i specave, të cilësisë së dobët, këto ditë në tregjet e gjelbra të kryeqytetit tregtohet me 1,5-1,70 euro, ndërsa kg i specave djegës me cilësi në pamje të jashtme të mirë, tregtohen me 2 dhe 2,5 euro kilogrami. Domatet, pokështu, kanë çmime të larta megjithë tendencën e vërejtshme të uljes simbolike të çmimit të tyre, si rrjedhojë e ngrohjes së motit dhe “pjekjes” së tyre më të shpejtë në serrat e fermerëve shqiptarë, maqedonas dhe turq, prej nga importohet në këtë stinë ky prodhim.

Një kilogram i domateve të cilësisë së mirë të hënën në tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit, tregtohej me së paku 1,70 ndërsa në minimarkete dhe në disa shitore të pemëve dhe perimeve, çmimi I domates vazhdon të jetë 2 dhe 2,5 euro e përtej.

Kurse qepët e reja, ato më cilësoret, kushtonin tre ‘tuba’ 1 euro dhe hudhra e re dhe shumë cilësore, kishte çmimin 1 “tubë” 70 centë. Ndërkohë sallatat jeshile, të freskëta, prodhim nga serrat e mbuluara të vendit, kanë çmimin 50 deri në 70 centë, ndërsa ato ‘bajatet”, që kanë mbetur pa shitur nga ditët paraprake i gjen edhe me çmimin 50 centë, por edhe nën këtë çmim.

Lakra, ajo e reja, të cilën klientela e këtushme e përdorë për sallatë, ose siç tani e kanë emërtuar tregtarët kryeqytetas “lakra belge”, ka shënuar ngritje të ndjeshme të çmimit krahasuar me javë e ditë më parë. Të hënën kilogrami i saj kushtonte 1,70 centë, që është dallim i madh me çmimin e këtij produkti që në ditë të caktuara të marsit, por edhe të prillit e ka pasur 1 e 1,30 euro më së shumti. Tani kjo lakër, pos nga serrat e fermerëve nga Shqipëria, vie edhe nga serrat e kopshtarëve të vendit, kryesisht të rajonit të Prizrenit dhe prap ka çmim ‘të zjarrtë’ për shumë blerës.

Nga pemët tani dominojnë mollët dhe bananet, dhe bie në sy ngritja e ndjeshme e çmimit të tyre, sidomos të mollëve. Dje, një kilogram i mollës së mirë vendore kushtonte 1 euro, ndërsa i mollëve të importuara (sipas tregtarëve, nga Polonia), kilogrami kishte çmimin 1,3 euro dhe 1,4 euro. Ndërsa bananet sikur e kanë standardizuar çmimin në tregjet tona të gjelbra, dhe ky çmim edhe të hënen ishte 1,5 euro për një kilogram. Çmimi i bananeve, sipas blerësve, është ngritur, ngase para dy-tre javësh ky frut tregtohej në tregjet tona nga 1, 2 euro kilogrami.

Në anën tjetër, çmimi i vezëve vazhdon të jetë i njëjti me atë të para disa javëve. Në rrjetin e prodhuesit ndër më të njohurit të produkteve me origjinë shpezore në Kosovë, një komplet vezësh të cilësuara si “kategoria e parë, tani tregtohet me 3,5 euro. Ndërkohë, në markete dhe supermarkete çmimi i vezëve, hiç të ashtuquajturat “aksione”, është edhe më i lartë. /Buletini Ekonomik/