Pse nuk po nisë realizimi i ankandit të parë solar në Kosovë?

Tani pas publikimit të informacionit se ende nuk kanë nisur punimet për Parkun Solar në Rahovec, situata del të jetë fare e paqartë, madje me perpektivë shumë të zymtë sa i përket përmbushjes së vizioneve, por edhe premtimeve dhe projekteve solare të deklaruara me jo pak promovime spektakulare.

Mehmet GJATA

Kosova akoma është tepër larg ndërtimit të një impianti të vetëm solar më serioz dhe të një kapaciteti më imponues të prodhimit të rrymës nga dielli në këtë vend (hiç dhjetëra, qoftë edhe qindra panele solare të vendosura nëpër disa nga shtëpitë e kosovarëve për nevoja familjare). Kosova, pra, po vonohet tmerrësisht shumë dhe pashpjegueshëm për ta pasur një kapacitet prodhues 100 megavatësh, që në suaza të kapaciteteteve të instaluara në botë, vlerësohet te kapacitetet e vogla, ose shumë-shumë te ato mesatare.

Reklama e sponzorizuar

Kosova, thënë më së buti, në këto vite, qëkur është miratuar Strategjia energjetike 2022-2031 dhe qëkur është proklamuar zyrtarisht tranzicioni elektroenergjetik në këtë vend (zëvendësimi i qymyrit si burim energjetik dominues, me burime të energjisë së rinovueshme), pati shumë fjalë, shumë premtime dhe jo pak promovime spektakulare të projekteve të energjisë solare, por nuk pati rezultate të arritura (asnjë të vetëm) në këto vitet e fundit në ndërtimin e kapaciteteve të energjisë diellore, si një burim ndër më të rëndësishmit të parashikuar dhe të vijëzuar si vizion për tejkalimin sa më të shpejtë të tranzicionit elektroenergjetik, të premtuar edhe nga Qeveria aktuale.

Është trishtuese dhe e pakuptueshme fare që Kosova në këto dy-tre vjetët e fundit, të mos jetë në gjendje të ketë një kapacitet të vetëm solar të finalizuar, përkundër premtimeve të shumta rreth ndërtimit të kapaciteteve solare në Kosovë, përkundër prezantimeve dhe promovimeve “mbresëlënëse” dhe vizioneve goxha imponuese nga përfaqësues të shtetit. Në këtë periudhë pra, Kosova nuk ka asnjë kapacitet të finalizuar solar, dhe ka vonesa të theksueshme të realizimit të fare pak projekteve të inicuara tashmë, ndërkohë që bota ka bërë revolucion kuptimplotë në arritjen e instalimit të kapaciteteteve solare. Tani pas publikimit të informacionit se ende nuk kanë nisur punimet për Parkun Solar në Rahovec (informacioni i publikuar në televizionin publik të Kosovës më 21 prill 2025), situata del të jetë fare e paqartë, madje me perpektivë shumë të zymtë sa i përket përmbushjes së vizioneve, por edhe premtimeve dhe projekteve solare të deklaruara me jo pak promovime spektakulare. Tani po shihet dhe është më se evidente se nuk ka rezultate të arritura (asnjë të vetëm) në këto vitet e fundit në ndërtimin e kapaciteteve të energjisë diellore, si një burim ndër më të rëndësishmit të parashikuar dhe të vijëzuar si vizion për tejkalimin sa më të shpejtë të tranzicionit elektroenergjetik, të premtuar edhe nga Qeveria aktuale.

Ngecja kaq e tejdukshme e realizimit të impiantit solar 100 megavatësh në tokat bujqësore dhe malore në mes të fshatit Kramovik dhe Guri i Kuq në Rahovec në diku rreth 100 hektarë), është shqetësuese, dhe trishtuese. Së fundi ishte paraparë që të fillojnë punimet për ngritjen e këtij kapaciteti solar, në fillim të vitit 2025. Edhe pse në muajin e katërt të këtij viti, siç raporton televizioni publik, akoma nuk shihet asnjë gjurmë e një projekti të tillë. Nuk dihet tani çka po bëhet me këtë projekt, i njohur në publikun e Kosovës si ankandi i parë solar, që për shkak të vonesave shumë mujore deri në lansimin e tij, u bë historik dhe shumë i përfolur jo vetëm në qarqet energjetike të vendit. Po del që u shpresua kot, edhe pas 12 majit 2023, kur Qeveria e Kosovës, më në fund, pas shumë vonesave, kishte lansuar ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 megavatësh në vlerë 75 milionë euro, prapë ka paqartësi rreth implementimit të tij, realizimit, apo nisjes së punëve për ndërtimin e këtij kapaciteti.

Lansimi i këtij ankandi ç’është e vërteta, ishte paraparë të bëhet që në fund të vitit 2022, por u shty pa shpjegime të bindshme nga zyrtarët disa herë. Dhe ky ankand solar dhe i nisur më në fund, me të drejtë konsiderohej si pikënisje për një epokë të re të zhvillimit të Kosovës në burimet e ripërtëritshme. “Shpalljen e këtij ankandi tonë të parë po e bëjmë në një moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë, kur po marrim një ndër hapat kryesor drejt tranzicionit tonë të gjelbër dhe investimeve më të mëdha në sektorin tonë të energjisë, ndër dekada… Ky është hapi i parë, por shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh progresin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, kushtet janë që të vijnë investitorët”, kishte thënë me këtë rast kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Por, as kryeministri e as ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe as zyrtarë të tjerë, nuk e thanë mëpastaj, asnjë fjalë rreth realizimit të këtij projekti (ku ka arritur ndërtimi i tij, pse po vonohet kaq shumë dhe përtej ritmeve të ndërtimeve të ngjashme në botë). Ku janë shkaqet e vonesës? Pse konzorciumi fitues i ndërtimit të këtij kapaciteti solar një herë të vetme nuk doli në publik për të sqaruar për fatin e këtij projekti, që në botë, siç dihet, ky kapacitet tani ndërtohet sa çel e mbyllë sytë, brenda fare pak ditësh?

Dikush duhet të shpjegojë shkaqet e vonesës kaq të madhe, të sqarojë cilat janë shkaqet reale, a mos është fjala për ndonjë pengesë serioze për ta implementuar projektin nga konzorciumi fitues, mos është fjala për mungesë parash te fituesi, apo çka… Mos kanë “dorë” në këtë ngecje masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës?

Sot e kësaj dite, së paku për publikun në vend, ka paqartësi të shumta edhe rreth fatit të ndërtimit të të gjitha impianteve të tjera të premtuara nga zyrtarët. Tani për tani, nuk dihet as për fatin e ndërtimit të impiantit fotovoltaik diellor me kapacitet rreth 100 megavatësh, për çka Qeveria e Kosovës dhe Banka Evropiane për Investime (EIB), që më 18 mars 2024 kanë nënshkruar një marrëveshje investimi 33 milionë euroshe. Opinioni nuk është i informuar një herë të vetme pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, që siç u tha më 18 mars “Është projekti i parë solar në KEK…Është projekt shumë i rëndësishëm për shkak se ndihmon tranzicionin e KEK-ut dhe rajonit të Prishtinës dhe Obiliqit në rrugën drejt dekarbonizimit. Me fjalë të tjera, tani, kur është bërë mbi një vjet, askush në Kosovë, së paku në opinionin e këtij vendi nuk di se në ç’fazë gjendet tani ky projekt. Sikur që nuk ka shumë informacione se si është duke ecur dinamika e realizimit të projektit të madh solar (kapacitet energjetik në bazë të diellit me fuqi të instaluar prej 70 megavatësh), me emërtimin “Solar4Kosova”. Në fazën e paranisjes së këtij projekti, nga autoritetet e vendit thuhej se bëhej fjalë për një kapacitet solar në përmasa të mëdha diellore dhe që do të jetë jetë bashkëdyzim i dy komponentëve: distriktit solar të ngrohjes (Termokos) dhe fuqisë fotovoltaike (KEK), dhe që do të ketë gjithanshëm të mirat e veta.

Ishte thënë nga zyrtarët se “Solar4Kosovo” do ta reduktojë edhe emitimin e dioksidit të karbonit për 40.000 tonë në vit. Ishte sqaruar gjithashtu se projekti pritet të kushtojë 64 milionë euro dhe pritet të financohet nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH, dhe kaq dihet. Buletini Ekonomik ka trajtuar detajisht dhe në jo pak raste vonesat në finalizimin e këtyre projekteve shumë të rëndësishme për të ardhmen energjetike të vendit. Siç dihet, objektivat kryesore të strategjisë energjetike të Kosovës përfshijnë reduktimin e emetimeve të gazeve serrë në sektorin e energjisë me një minimum prej 32% deri në vitin 2031, duke synuar të përmbushë së paku 35% të konsumit të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE) deri në të njëjtin vit, dhe nxitja e zhvillimi i kapaciteteve të reja të BRE. Këto përfshijnë 600 megavatë energji të erës dhe 600 megavatë energji diellore fotovoltaike (PV). Strategjia synon gjithashtu të arrijë një kapacitet total të instaluar të BRE prej 16,002 megavatësh deri në vitin 2031. Dhe, deri më 2031 kanë mbetur diku rreth 6 vjet dhe, pa dyshim që tani është pikëpyetje e madhe si do të realizohen këto objektiva me këtë dinamikë të deritashme të ndërtimit të kapaciteteteve të reja të energjisë së rinovueshme. /Buletini Ekonomik/