Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot në RTK Prime tha se Kosova ka bërë një strategji të energjisë në vitin 2022 dhe kjo strategji parasheh që të investohet në burimet vendore në njërën anë rehabilitimin e TC Kosova A dhe Kosova B i cili theksoi ajo është duke ndodhur tash.
“Nga ana tjetër, burimet në investimet në energjinë e ripërtërishme, të cilat përveç se janë më të pastra për shëndetin tonë dhe atë të fëmijëve tanë, po bëhen gjithashtu gjithnjë e më të lira, dhe këto do të shoqërohen me kapacitetin e baterive që i shtohen sistemit përmes programit të MCC që kemi”, tha Rizvanolli.
Sipas saj, investim tjetër i madh që do të bëhet në termocentral është rehabilitimi i thellë i dy njësive të TC Kosova A për njësinë A3, tani më tenderi është shpall në janar dhe janë duke u pritur ofertat për parakualifikim.
“Kjo do ta rrisë kapacitetin e njësive të A-së nga 120 sa është aktualisht në 215 (MGW) përafërsisht. Do të thotë në dy blloqe nëse e shohim ne do te kemi rritje nga 85 në 170 plus 80 në B janë 210. Do të thotë do te kemi rritje të kapacitetit në termocentralet ekzistuese për rreth 210 MGË që është gati sa një bllok i B-së aktualisht, kur të kryhen këto investime”, theksoi ajo.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po ashtu foli edhe për investimet e tjera në këtë sektor.
“Janë 600 giga vat orë në vit që janë ulje e importit së paku për 23 milionë për gjatë viteve në vijim, pra është një rritje e konsiderueshme që vjen vetëm nga modernizimi i termocentralit Kosova B, po ju përkujtoj që në termocentralet e KEK-ut nuk ka pasur asnjë megavat shtim të kapacitetit që nga 40-60 vitet kur janë ndërtuar për më tepër sigurisht që me kalimin e kohës pa pasur më shumë prishje dhe ulje të efiçiencës, rrjedhimisht ulje të prodhimit. Ky sigurisht nuk është i vetmi investim që po bëhet (modernizimi i TC B) këtë e përmenda më qëllim sepse qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm që kjo që pritet të ndodhë sivjet një rritje është një vështirësi e përkohshme e cila po bëhet për një qëllim më të madh, kjo është një prej faktorëve, rritja e propozuar nuk është si rrjedhojë e kësaj mirë po kjo është një prej faktorëve e cila duhet të dihet nga qytetarët për hir të transparencës”, tha ajo.
Rizvanolli thotë se çmimi ndikon nga importi e modernizimi i TC ‘Kosova B’
(E plotësuar, ora 21:20) Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se çështja e çmimit të energjisë elektrike nuk është dëshirë e dikujt.
“Ky proces nuk do të varet nga sa zëshëm themi jo apo kush thotë jo. Nëse mund të ndikojmë në këtë proces, kjo është duke u bazuar në analiza objektive të faktorëve objektivë. Prandaj, edhe komentet tona i kemi bazuar në analiza të trendeve të sektorit, ku kemi treguar se aty ku mund të bëhet ulje e të hyrave të lejuara dhe rrjedhimisht edhe ulje e rritjes së tarifave. Mirëpo, duhet të jemi të sinqertë me veten dhe me popullatën. Një arsye që na çon te kjo rritje e propozuar për këtë vit, përveç konsumit të vitit të kaluar dhe çmimit të importit të vitit të kaluar, është se gjatë këtij viti do të fillojë modernizimi i termocentralit Kosova B”, tha ajo.