Pritet që B1-shi të rikthehet në prodhim diku rreth 23-24 marsit, pas riparimit të planifikuar njëmujor. Pak a shumë, sipas zyrtarëve të KEK-ut, në javën e fundit të prillit do të aftësohen për prodhim edhe A3 dhe A5. Pra, pritet që në javën e fundit të prillit në funksion të jenë edhe dy blloqet e termocentraleve Kosova B (520 megavatë) dhe 2 blloqet të Kosovës A (diku rreth 230-240 megavatë), dhe 70-80 megavatë nga kapacitetet e prodhimit të energjisë së rinovueshme.
Buletini Ekonomik
Kosova ka javë që është në krizë elektroenergjetike si pasojë e mungesës së rrymës nga termocentralet e KEK-ut. Ka mungesë të madhe të energjisë elektrike karshi nevojave ende të mëdha të konsumit të rritur si rrjedhojë e rikthimit të motit të ftohtë.
Pas rikthimit të bllokut B2 të termocentraleve Kosova B (10 prill 2025), që ishte jashtë funksionit për pak ditë për shkak të rrjedhjeve në kazan, sado që gjendja ishte zbutur paksa, gjendja elektroenergjetike në Kosovë ka vazhduar të jetë e brishtë dhe me mungesë të madhe të energjisë elektrike nga kapacitetet vendore. Akoma vazhdon shpërputhja e madhe ndërmjet prodhimit të energjisë elektrike në termocentralet e vendit dhe nevojave të konsumit në Kosovë.
Edhe më tutje në prodhim janë gjithsej vetëm dy dy njësi të termocentraleve – B2-shi dhe A4 i Kosovës A, të cilat prodhojnë veç e veç 260 megavatë-orë (B2) dhe 115-120 megavatë (A4). I bie që Kosova nga termocentralet ka 375-380 megavat-orë, plus diku rreth 70 megavatë-orë nga kapacitetet e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme (BRE). Ndërkohë, konsumi i energjisë elektrike në Kosovë këtyre ditëve mesatarisht ka dominuar 800 megavatëshin.
Jashtë prodhimit ende gjenden blloku B1 i Kosovës B dhe A3 e A5 i Kosovës A, ose më saktësisht mbi gjysma e blloqeve të termocentraleve të vendit. Kapaciteti i B1-shit është i barabartë me atë të B2-shit (260 megavatë, ndërsa A3 dhe A4, po kështu po të ishin në funksion do të prodhonin secili përafërsishst sa A4 (115-120 megavatë).
Gjatë ditëve, derisa B2-shi ishte në riparim, sipas njoftimeve të zyrtarëve të KEK-ut, kjo korporatë ka arritur të sigurojë rreth 5,000 MWh energji elektrike nga burime të jashtme, dhe kjo është afërsisht rreth 90 për qind të kapacitetit të planifikuar të prodhimit të njësisë B2. Zyrtarë të KEK-ut i kanë thënë Buletinit Ekonomik se blloqet B1 dhe A3 e A4 janë jashtë funksionit për shkak të riparimeve. B1 po riparohet sipas planifikimit dhe punët riparuese të këtij blloku është paraparë të zgjasin rreth 1 muaj. Pritet që B1-shi të rikthehet në prodhim diku rreth 23-24 marsit.
Pak a shumë, sipas zyrtarëve të KEK-ut, në javën e fundit të prillit do të aftësohen për prodhim edhe A3 dhe A5. Një bllok nga termocentralet Kosova A, siç dihet, gjithnjë mbetet jashtë funksionit, si rezervë e domosdoshme, në rast të ndonjë defekti apo avarie të paparashikuar.
Me fjalë të tjera, nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve, pritet që në javën e fundit të prillit në funksion të jenë dy blloqet e termocentraleve Kosova B (520 megavatë) dhe 2 blloqet të Kosovës A (diku rreth 230-240 megavatë), ose do të ketë në dispozicion diku rreth 760 megavatë nga termocentralet vendore dhe 70-80 megavatë nga kapacitetet e prodhimit të energjisë së rinovueshme. Kjo sasi, edhe nëse konsumi vazhdon të jetë te 800 megavatëshi, do të mjaftonte për të përmbushur këtë konsum. Natyrisht, me angazhimin e të gjitha termocentraleve që ka në dispozicion KEK-u do të evitohej importi i deritanishëm i energjisë elektrike, i kushtëzuar nga mungesa e rrymës së prodhimit vendor. /Buletini Ekonomik/









