Zyra e Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRrE) ka thënë të hënën se tarifat e reja të rrymës pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj, në pritje të marrjes së vendimit për shtrenjtimin e rrymës me 15 për qind.
“Vendimi për rritje do të merret nga mesi i këtij muaji, ndërsa tarifat e reja do nisin të aplikohen nga data 1 maj të këtij viti”, tha Petrit Pepaj nga ZRrE-ja gjatë një takimi me gazetarë.
Pepaj tha se arsyeja kryesore e propozimit për rritje të çmimit të energjisë elektrike, është për shkak të rritjes së çmimit në bursë.
Ai theksoi se ZRRE-ja është munduar që pavarësisht kostos, qytetarët të kenë energji elektrike dhe se ata nuk kanë dëshirë e as vullnet të vendosin pa arsye, barrë mbi qytetarët.
Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke nxitur reagime dhe protesta.
Bordi i ZRRE-së pritet të marrë vendim për çmimin e rrymës më 11 prill.