Autoriteti i Konkurrencës pas kontrollit të disa furrave në Gjakovë dhe në Prishtinë, ka konstatuar se ka ndodhur bashkërendim i çmimeve mes furrtarëve për produkte të ndryshme, çka përbën shkelje ligjore një koordinim i tillë në treg. A pati marrëveshje mes furrëtarëve të Prishtinës për çmimet e reja të ngritura të bukës në ditën e parë të kësaj jave?
Buletini Ekonomik
Pikërisht në ditën kur Autoriteti i Konkurrencës bëri publik konstatimin se “pas inspektimeve në disa furra në Prishtinë dhe Gjakovë kanë ardhur në përfundim se shtrenjtimi i çmimit të bukës është bërë me marrëveshje dhe me koordinim”, shumë furra në kryeqytet ngritën çmimin e bukës, asaj standartes, të rëndomtës, që është ndër më të konsumuarat nga kosovarët, nga 50 centë në 60 centë.
Më saktësisht, nga fillimi i kësaj jave, shumë furra në Prishtinë, por edhe në qendrat e tjera komunale të Kosovës, nisën ditën me çmime të reja të ngritura. Ngritja e re e çmimit të bukës më të kërkuar nga konsumatorët e vendit prej 10 centësh (gjithsesi në ndonjë furrë në qendrat e tjera rrurale të vendit janë evidentuar ngritje të çmimit 20 e më shumë cent), mund t’i duket ndokujt jo edhe aq e madhe. Por, kjo ngritje çmimi e bukës e bënë saktësisht 20 për qind më të shtrenjtë bukën popullore. Ndërsa dihet, çmimi për bukët e thekrës, ato nga mielli organik dhe bukë të tjera speciale, siç dihet, është ngritur ndjeshëm më herët gjatë fundit të dhjetorit të 2024-tës dhe fillimit të 2025-tës.
Më herët, është ngritur në përmasa më të theksueshme edhe çmimi i pjekurinave në të gjitha furrat e kryeqytetit. Ç’është e vërteta, çmimi i pjekurinave (kifleve të lloj-llojshme, ‘gjevrekëve” dhe të tjerave) është ngritur sërish, ditë më parë, qëkur është ngritur çmimi i energjisë elektrike nga ZRRE-ja për 16,1 për qind. Më saktësisht, në dhjetor 2024, në disa furra të Prishtinës, çmimi i bukës të ashtuquajtur të thekrës, ose bukës së zezë, që kushtonte deri në fillim të dhjetorit 80 centë, pa asnjë paralajmërim paraprak, as zyrtar e as privat, është ngritur në 1 euro, ndërsa çmimi i një samuni (pitajkë) nga 25 centë, është bërë 30 centë. Ndërsa çmimi i bukës standarde, 500 gramëshe, që është më e konsumuara dhe më popullorja në familjet kosovare, ç’është e vërteta, ende tek këta furrëtarë kishte mbetur i pandryshuar, 50 e 60 centë, varësisht nga furrat dhe vendndodhja e tyre në kryeqytet.
Ndërkohë, në bazë të analizave dhe llogarive më të detajuara, çmimi i bukës, ai i deritashëm, del të jetë shumë i lartë edhe po të krahasohet me çmimet ekzistuese të materialit riprodhues të nevojshëm për ta prodhuar një bukë, edhe po të krahasohet me çmimet e produkteve të domosdoshme për pjekjen e bukës. Pra, më kot ankohen furrëtarët se me vështirësi po i mbulojnë shpenzimet e bizneseve të tyre edhe në këto kondita.
Sipas ekspertëve, por edhe njohësve të zhvillimeve të sektorit të prodhimit të bukës dhe produkteve të tjera nga mielli, edhe çmimi i ngritur i energjisë elektrike për 16,1 për qind, nuk ka ndikim aq domethënës dhe aq përcaktues për ngritjen e çmimit të bukës dhe pjekurinave të tjera, si dhe prodhimeve të tjera që kanë lëndë të parë miellin. Por furrëtarët në Prishtinë, dhe gjithandej në vend, po shihet se mezi kanë pritur pretekstin. Dhe ai u erdhi me çmimet e ngritura të rrymës.
Ata, bukëpjekësit pra, nuk e patën për asnjë çast ndjesinë e fuqisë blerëse të kosovarëve, e as varfërinë e skajshme të shumicës së tyre. Nuk përfillën as kërkesat e pushtetit e as të Autoritetit (të konkurrencës), të cilët, rekomanduan dhe sugjeruan bukëpjekësit që së paku mos të ndodhë që gjatë ngarendjes për të ngritur çmimiet e bukës, të shkelet Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, apo të ndodhin marrëveshje të ndaluara – kartele ndërmjet furrëtarëve. Mirëpo, siç ka konstatuar vet Autoriteti i Konkurrencës pas kontrollit të disa furrave në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndodhi pikërisht bashkërendimi i çmimeve mes furrtarëve në këto dy qytete, për produkte të ndryshme, çka përbën shkelje ligjore një koordinim i tillë në treg.
“Pas inspektimeve të zhvilluara, Autoriteti ka identifikuar shkelje të nenit 5 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës (marrëveshje të ndaluara – kartele) nga subjekte të sektorit të bukës në Komunën e Gjakovës dhe atë të Prishtinës. Këto shkelje lidhen me bashkërendimin e çmimeve mes furrtarëve për produkte të ndryshme, çka përbën shkelje ligjore për koordinim të tillë në treg”, thuhet në konfirmimin e Autoritetit të Konkurrencës, pas inspektimeve në Gjakovë dhe në Prishtinë.
Dhe, Autoriteti i Konkurrencës ka theksuar se po e analizon mundësinë e masës së përkohshme, që nënkupton mbylljen e operatorit ekonomik deri në 6 muaj ndaj shkelësve të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Por, duhet thënë se po e stërgjatë marrjen e masave. Ka ndodhur shkelja e Ligjit, dhe si rrjedhojë, duhet pa humbur kohë të pasojë ndërmarrja e masave ndaj furrëtarëve mospërfillës. Ndryshe, do të vazhdojë ngritja e çmimeve të bukës edhe më tutje, do të ketë marrëveshje ndërmjet furrëtarëve për çmime të reja, siç ndodhi nga e hëna e kësaj jave, kur në shumë furra të Prishtinës buka u ngritë njëherësh nga 50 në 60 centë. Dhe në këtë mënyrë furrëtarët dhe bizneset e tyre në Prishtinë, por edhe gjithandej nëpër qendrat e Kosovës, vazhdojnë të fitojnë shumë, të shtojnë financat e tyre me pretekstin e çmimit të ngritur të energjisë elektrike. /Buletini Ekonomik/









