Tërësisht ndryshe raportoi për krizën elektroenergjetike kompania e distribuimit KESCO, dhe krejtësisht ndryshe dhe të tjera të dhëna ofroi për publikun Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Mehmet GJATA
Kriza energjetike që ka kapluar Kosovën këto ditë, sidomos në fundjavën e kaluar, për shkak të mungesës së energjisë elektrike nga termocentralet e Kosovës, qiti në pah deklarata, përmbajtje dhe shifra tej mase dhe pakuptueshëm kontradiktore qoftë nga kompanitë që drejtpërdrejt kanë të bëjnë me krizën dhe janë pjesë ndër më rëndësishmet e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, qoftë të politikanëve, varësisht se cilit tabor politik i përkisnin, qoftë të asociacioneve ekonomike dhe shoqërisë civile.
Tërësisht ndryshe raportoi kompania e distribuimit të energjisë elektrike KESCO, dhe krejtësisht ndryshe dhe të tjera të dhëna ofroi për publikun Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
KESCO alarmonte krizën energjetike me dramacitet të ekzagjeruar dhe agresiv, duke marrë në raste edhe rolin e zyrtarëve të KEK-ut për të bërë gjendjen energjetike sa më alarmuese dhe më shqetësuese, duke paralajmëruar një ditë përpara madje edhe ndalje të tërësishme të prodhimit në të gjitha blloqet e termocentraleve të Kosovës, dhe duke shtuar se këtë mungesë KESCO detyrimisht do ta kompenzojë me importin e tërë sasisë së nevojshme të rrymës për konsumin e vendit.
KESCO, gjatë ditëve të krizës reale energjetike që kishte përfshirë Kosovën (në ditët kur ishte ndërprerë prodhimi në të gjitha blloqet e termocentraleve Kosova A ( blloku A3 i Kosova A ka dalë nga sistemi “në mënyrë të paplanifikuar” të mërkurën, 19 qershor 2025 rreth orës 00:30, ndërsa A5 po për shkaqe të problemeve teknike është tërhequr nga prodhimi një ditë më pare, më 18 qershor, në orën 00:02, dhe A4 është në remont që nga 16 maji) dhe kur më pastaj ndodhi edhe ndërpreja e paplanifikuar e B1-shit të Kosova B, vazhdimisht plasonte shifra enorme të mëdha të konsumit të rrymës në vend (herë 1 mijë megavatë-orë, herë 700-800 megavatë-orë), duke e bërë dramatike skajshmërisht gjendjen karrshi prodhimit minimalist në termocentrale.
Po kështu, KESCO shpërfaqte nëpërmjet njoftimeve shifra alarmante të mjeteve financiare të shpenzuara brendja një dite për importin e energjisë elektrike, duke apostrofuar madje, 1 milionë euro dhe përtej, mjete të dhëna gjatë një dite për importin e domosdoshëm të rrymës. Pastaj, gjithnjë ka prezantuar çmime të shtrenjta të energjisë elektrike në bursat ndërkombaëtare.
Në anën tjetër, KEK-u, që realisht është hallka numër një e zinxhirit të sistemit elektroenergjetik të vendit, dhe si e tillë më e rëndësishmja, nëpërmjet zyrtarëve të vet, ose përgënjeshtronte tërësisht të dhënat e shpërfaqura në publik nga KESCO, ose përgjysmonte dhe minimizonte tej mase këto shifra të KESCO-s.
Për të qenë më të bindshëm, të premten e kaluar, në orët e mbrëmjes, doli në një konferencë shtypi i pari i KEK-it, Gramos Hashani, i cili, praktikisht përgënjeshtroi dhe kundërshtoi të dhënat e KESCO-s. Sipas kryeshefit ekzekutiv, Gramos Hashanit, maksimumi i konsumit ka qenë 500 megavatë për orë, tek ka vlerësuar se në fundjavë konsumi bie edhe më shumë. Madje, zyrtarët e KEK-ut kanë mohuar kategorikisht fajësinë për zhvillimet në zinxhirin e termocentraleve (ndërprejet e paparalajmëruara si pasojë e defekteve teknike në shumë blloqe të termocentraleve të stërvjetruara) dhe për situatën krizë nga mungesa e energjisë elektrike nga termocentralet e vendit, në KEK nuk ndihen përgjegjës thuaja se fare për këtë gjendje.
Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, në konferencë për media, të mbajtur të premtën në mbrëmje, ka thënë se KEDS-i dhe KESCO janë të obliguara të importojnë sasinë e nevojshme për konsum.
“Ne vetëm e prodhojmë energjinë dhe e deklarojmë një ditë përpara”, ka thënë ai duke bërë të ditur se të shtunën do të operojë edhe njësia A3.
Ai ka shtuar se kjo nënkupton që “nuk do të ketë importim të energjisë në vlerë 100%”.
Hashani ka mohuar raportimet se Kosova për herë të parë nuk do të prodhojë asnjë megavat brenda dite. Sipas tij, “operimi i njësive prodhuese të KEK-ut po vazhdon normalisht dhe nuk ka asnjë kolaps prodhimi”. Pos rivalitetit të shprehur dhe të pashprehur KEK-KESCO rreth krizës energjetike në vend dhe tendencave për të fajësuar njëri-tjetrin për këtë gjendje, duke i shpërfaqur edhe detyrimet dhe kompetencat e tyre në publik, këto ditë kanë pasuar edhe një numër akuzash kundrejt KEK-ut, por edhe Qeverisë për kolaps të prodhimit vendor, sikundër që nuk kanë munguar edhe kundërpërgjigjet e zyrtarëve aktual të qeverisë në detyrë.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është kundërpërgjigjur ndaj fajësimit të dikasterit të saj dhe të Qeverisë aktuale në detyrë, duke thënë se Kosova ka sfida në sektorin energjetik për shkak se siguria e furnizimit varet nga termocentrale të vjetra, të cilave “nuk u është bërë kurrë rehabilitimi”. Në një konferencë për media, edhe Rizvanolli, ka thënë se nuk ka pasur asnjë moment kur gjendja e prodhimit në KEK ka qenë zero megavat. Arsyet pse nuk janë në funksion të gjitha blloqet, sipas saj, janë sepse po modernizohen turbinat.
“Nuk ka pasur asnjë moment kur KEK-u ka prodhuar zero megavat orë, ose që Kosova ka qenë në kollaps energjik siç kanë raportuar disa. Kemi sfida të sektorit energjetik sepse siguria jonë e furnizimit varet nga termocentralet 62 e 42 vjeçare sepse nuk janë bërë kurrë rehabilitime të tyre. Një nga arsyet pse që nga prilli nuk i kemi në funksion të gjitha blloqet është sepse po i modernizojmë turbinat dhe Blloku B2 është jashtë funksionit për tu kryer këto operime për gati 6 muaj”, ka thënë ajo.
Sipas saj, kjo është sakrificë e domosdoshme dhe po bëhet tani “sepse nuk e kanë bërë me kohë kur çmimet kanë qenë trefish më të lira”. Rizvanolli ka thënë se këto remonte po bëhen për herë të parë.
Në ngutinë për të t’u bërë protagonist i zhvillimeve energjetike të këtyre ditëve dhe për të kritikuar për gjithçka Qeverinë aktuale në detyrë, një politikan i një partie opozitare, me gjasë i painformuar sa dhe si duhet për kapacitetet prodhuese të termocentraleve dhe të kapaciteteve për mbrojtjen e ambientit kërkoi madje ” arrestimin e atyre që kanë dhënë leje për operimin e bllokut pa sisteme të filtrimit, duke theksuar se qytetarëve po u servohet “helm” në vend të ajrit të pastër’.
“Kushdo që ka dhanë leje me u lëshu ky bllok i Kosovës A pa filtrat e ajrit, ish dasht me u arrestu. Kqyrne vet çfarë helmi po na jepet pa u filtru, veç mos me pranu që KEK ka kolapsu”, tha politikani, duke dëshmuar se nuk ka idenë se si funksionojnë stabilimentet e termocentraleve Kosova A, gjatë ristartimit të blloqeve në operim.
Më vonë, nga KEK-u, por edhe nga njohës të mirë të stabilimenteve elektroenergjetike të vendit kanë sqaruar saktësisht se tymi i zi është rrjedhojë e ndezjes së domosdoshme të sasisë së madhe të naftës për ta ristartuar njësinë konkrete të termocentraleve Kosova A.
Ose, një politikan i një subjekti tjetër opozitar duke ngritur, gjoja, zërin për gjendjen e rëndë të sistemit energjetik në vend, ka bërë të ditur se “blloku A3 i Termocentralit “Kosova A” ka dalë jashtë funksionit – dhe sipas tij, ekziston rreziku real që ai të mos kthehet më kurrë në operim”. Asnjë fakt të vetëm ky politikan nuk e shpërfaq me këtë rast, që do të fliste sado pak se po ekzistuaka “rreziku real që ai të mos kthehet më kurrë në operim”. Dihet, ka vite e vite që blloqet e stërvjetruara të termocentraleve Kosova A, për shkaqe teknike, rrjedhje të ujit në kalldajë, më së shpeshti, janë tërhequr me qindra herë deri më tash nga prodhimi për disa ditë dhe periudhë edhe më të gjatë për të sanuar këto defekte, por pas sanimit, janë kthyer në proces të punës.
Kjo është e vërteta, siç është e vërtetë e pamohueshme se për gjendjen krizë elektroenergjetike janë bashkëfajtorë të gjitha qeveritë e deritashme të Kosovës, edhe kjo aktualja në detyrë, të cilat nuk kanë ndërmarrë asgjë, asnjë veprim të vetëm të duhur për t’i siguruar vendit energji të mjaftueshme. Nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret (veç fjalë kanë pasur) për të valorizuar rezervat e pafundta të thëngjillit që ka Kosova. Natyrisht, fajtor është edhe KEK-u, i cili do të duhej shumë më shumë të përkujdeset për servisimin me kohë të stabilimenteve të stërvjetruara të termocentraleve. Por fajtor për këtë gjendje krize është KESCO, kompania turke, e cila bashkë me KEDS-in janë të obliguara të importojnë sasinë e nevojshme për konsum, në rast se mungon prodhimi i mjaftueshëm vendor i rrymës.
Fundja, KEDS, me rastin e privatizimit të Distribucionit të atëbotshëm të Elektroekonomisë së Kosovës, më 2012, e ka ditur dhe ka qenë e njoftuar deri në detaje për stërvjetërsinë e termocentraleve të Kosovës. Më kot dramatizohet, ose minimizihet kriza elektroenergjetike më të dhënat shumë kontradiktore që vijnë nga kompanitë rivale, ndër më përgjegjëset për ta furnizuar vendin me rrymë. Dihen qartë përgjegjësitë e secilës kompani. Do të duhet të jenë të qarta edhe përgjegjësitë e politikanëve, të cilët, deklarohen “sa për të thënë diçka’, pavarësisht pasojave dezinformuese të mëpastajme nga deklaratat e tyre. Sidoqoftë, kriza elektroenergjetike në Kosovë është evidente sot dhe këtu. /Buletini Ekonomik/









