Bajrami kritikon liberalizimin e tregut të energjisë: 1300 kompani ende nuk i kanë marrë faturat

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër lidhur me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë, duke e cilësuar të dhunshëm përjashtimin e mbi 1300 kompanive nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike.

Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se ky veprim është kundërshtuar që në fillim, për arsye se nuk ekziston treg i lirë funksional dhe se institucionet nuk janë të përgatitura për një hap të tillë.

Reklama e sponzorizuar

“E kemi kundërshtuar daljen në treg të lirë në mënyrë të dhunshme të rreth 1300 kompanive, ose më saktë, përjashtimin e tyre nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike, sepse e kemi ditur që, e para, s’ka treg të lirë, dhe e dyta, që askush nuk është i përgatitur”, ka shkruar Bajrami.

Ajo shton se deri më sot, më 22 korrik asnjë nga kompanitë që janë përjashtuar nga tregu i rregulluar nuk ka marrë faturën për muajin qershor, duke ngritur pyetje të drejtpërdrejta ndaj institucioneve përgjegjëse.

“Sot është data 22 korrik dhe ende asnjë kompani e përjashtuar nga tregu i rregulluar nuk e ka marrë faturën e muajit qershor. Pse? S’po dini si me i faturu? S’po guxoni me treguar sa shumë është rritur çmimi i energjisë për këto kompani? S’po dini si me i kamuflu fitimet marramendëse të Vuk Hamoviqit dhe të NOAs në emër të këtij ‘liberalizimi’?”, ka shkruar tutje deputetja e LDK-së.

Bajrami paralajmëron se hetimet ndaj kompanisë NOA janë tashmë në duart e Prokurorisë Speciale, dhe sipas saj, ato do të shtrihen edhe ndaj zyrtarëve tjerë përgjegjës.

“Një gjë po ju them: hetimet që Prokuroria Speciale ka filluar ndaj NOAs nuk do lënë jashtë asnjërin nga ju, sepse në fund të gjithë përfundoni te fitimet e majme të Vukit dhe NOAs”, ka theksuar Bajrami.