Në periudhën e pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, shteti, praktikkisht ka qenë inekzistent në vrojtimet rreth zhvillimeve në ecuritë e çmimeve, dhe tregtarët e kanë shfrytëzuar maksimalisht dhe brutalisht këtë gjendje. Pse nuk kihen parasysh shembujt e mirë të shteteve të rajonit për mbrojtjen e konsumatorit?
Mehmet GJATA
Mungesa e funksionimit të institucioneve të rëndësishme të vendit (kuvendi jashtë funksionit, qeveria e dorëhequr, ose me funksion të përgjysmuar) dhe anarkia e krijuar në shumë sektorë, veçmas në atë të tregtisë, u ka lënë hapësirë të pakufishme dhe gjithë mundësitë tregtarëve për të vendosur lehtësisht për të abuzuar me çmimet e shumë produkteve, sidomos të atyre të shportës.
Gjendjen në sektorin e tregtimit e kanë rënduar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, sidomos ecuritë e çmimeve, e shprehur me ngritje të përditshme të çmimeve të shumë produkteve, sidomos të atyre elementare, por edhe abuzimet me tregtim të produkteve me afate të skaduara, me ndryshim të çmimeve në rafte nga ato në arkë, me mosdhënie të kuponave fiskalë, me çmimet e ulura të rrejshme në të ashtuquajturat çmime “aksion”, me uljet e çmimeve sezonale etj. Në këtë periudhë, shteti praktikkisht ka qenë inekzistent në vrojtimet rreth zhvillimeve në ecuritë e çmimeve, dhe tregtarët e kanë shfrytëzuar maksimalisht këtë gjendje. Me fjalë të tjera, kosovarët, praktikisht kanë mbetur në mëshirën e tregtarëve abuzivë, pasi që institucionet përgjegjëse në detyrë dhe ‘në padetyrë’, që nga shkurti janë të përqendruara në zhvillimet politike dhe praktikisht kanë lënë anash dhe kanë margjinalizuar skajshmërisht anarkinë e krijuar në ecuritë e çmimeve të ngritura e të ringritura shumëfish. Dhe, presioni i çmimeve të ngritura dhe të paralajmëruara për t’u ngritur vazhdon të bëhet kundrejt kosovarëve.
Një tjetër presion karrshi mirëqenies dhe në raste edhe të mbijetesës të qytetarit dhe konsumatorit kosovar, është bërë në muajin prill me ngritje 16,1 për qind të çmimit të energjisë elektrike. Çmimi i ringritur i rrymës nxiti më pastaj çmime të reja të ngritura të shumë produkteve, dhe jo vetëm të atyre që kanë ndërlidhshmëri vartëse me energjinë elektrike.
Duhet theksuar se angazhimi i shtetit, jo vetëm në periudhën e paszgjedhjeve të 9 shkurtit, por në gjithë këto vite, për mbrojtjen e konsumatorëve, e që nënkupton ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së tyre dhe mbrojtjen e tyre nga tentativat dhe përpjekjet abuzive të tregtarëve të prirur për keqpërdorime në procesin e tregtimit, qoftë me çmime, sasi apo cilësi të produkteve të ekspozuara në treg, ishte fare sipërfaqësor. Konsumatorët në Kosovë, një kohë të gjatë, në të gjitha ditët në vitet e fundit, janë jashtë vëmendjes institucionale. Ndërkohë, Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorëve, i miratuar që në qershor të vitit 2004, sado që në shumë nene të tij parashef të drejtën e informimit, sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar për konsumatorin, është praktikisht jofuksional. Tani 20 e sa vjet qëkur është miratuar, ka nevojë të rishikohet, të plotësohet me norma dhe rregulla të reja më kërkuese kundrejt tregtarëve me shumicë dhe me pakicë të mallrave dhe të shërbimeve. Kanë ndryshuar rrethanat thuaja radikalisht tani pas mbi 20 vjetësh, ndërsa konsumatorët kosovarë thjeshtë duan dhe kërkojnë që të jenë më të mbrojtur sa i takon blerjeve të produkteve të ndryshme, duke pasur më shumë të drejta në raport me tregtarët.
Tani, edhe në Kosovë, legjislacioni që ka të bëjë me mbrotjen e konsumatorit duhet të azhurohet, të përditësohet dhe t’i përshtatet specifikave të vendit, por në masë të madhe edhe standardeve të BE-së, ku, siç dihet, konsumatori është gjithnjë në qendër të vëmendjes, dhe asnjëherë dhe në asnjë rast i margjinalizuar dhe jashtë orbitës së përkujdesit shtetëror. Duhet të kihen parasysh shembujt e mirë të shteteve të rajonit për mbrojtjen e konsumatorit, të cilat, po kështu, kanë probleme me abuzimet e tregtarëve me çmimet. Të shikohet projektligji ”Për mbrojtjen e konsumatorit” në Shqipëri, i hapur këto ditë për konsultim publik dhe i cili është në harmonizim të plotë me direktivat e Bashkimit Europian.
Qëllimi themelor i projektligjit të Shqipërisë është të sigurojë një nivel të lartë mbrojtjeje për konsumatorët shqiptarë, duke vendosur garanci të qarta për transparencën kontraktore, informimin para-kontraktor dhe të drejtën për heqje dorë dhe dispozita të reja për riparimin e qartësimin e të drejtave të konsumatorëve përpara dhe pas lidhjes së kontratës, përfshirë informacionin e detyrueshëm, të drejtën për tërheqje dhe kufijtë e kësaj të drejte. Projektiligji i Shqipërisë ”Për mbrojtjen e konsumatorit” adreson edhe rregullimin e situatave specifike si: mospërputhshmëria e mallrave, vonesa në dorëzim, kalimi i rrezikut, pretendimet mjedisore, nxitjet psikologjike në platformat digjitale (dark patterns), dhe përdorimi i ndërfaqeve manipuluese.
Gjithashtu, siç raportojnë mediet shqiptare, i njëjti rregullon të drejtën e konsumatorit për të hequr dorë nga kontrata, garantimin e transparencës në informacionin për çmimet dhe karakteristikat e produkteve dhe shërbimeve. Parashikon, gjithashtu, dispozita për kontratat e shitjes së mallrave dhe për furnizimin me përmbajtje dhe shërbime digjitale, ku përcaktohen edhe mjetet për të drejtën për riparim, zëvendësim, ulje çmimi apo zgjidhje të kontratës. Masat administrative që vendosen nga Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili është institucioni kyç për zbatimin e këtij projektligji, variojnë nga 3 mijë deri në 6 mijë euro, në rast se ka ankesa dhe pretendime, si dhe jepet e drejta e dëmshpërblimit. Efektet e pritshme të projektligjit janë pozitive dhe shumëplanëshe.
Në afat të shkurtër pritet rritje e transparencës në marrëdhëniet kontraktore dhe përmirësim i praktikave tregtare. Në afat të mesëm, projektligji pritet të rrisë besimin e konsumatorëve, të fuqizojë vendimmarrjen e tyre dhe të nxitet konkurrenca e ndershme në treg. Në afat të gjatë, dispozitat për konsum të qëndrueshëm dhe të drejtën për riparim, parashikohet të ndikojnë në reduktimin e mbetjeve, zgjatjen e ciklit jetësor të produkteve dhe përmbushjen e objektivave të politikave mjedisore të BE-së.
Në këtë situatë, në parandalimin e ngritjes së çmimeve dhe të abuzimeve brutale në procesin e tregtimit të mallrave, do të ishte mirë të shikohen edhe përvojat interesante të vendeve të tjera të rajonit, dhe pse jo, të zbatohen edhe këtu. Të shikohen edhe përvojat në Maqedoninë e Veriut, ku në përputhje me ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të këtij vendi fqinj, nga 18 prilli 2025, marketet, barnatoret dhe dyqanet e teknikës dhe mobileve në Maqedoninë e Veriut duhet t’i publikojnë çmimet e produkteve të tyre në ueb faqen zyrtare. Ndryshe, po të vazhdohet me përvojat tona të paefektshme me shumë premtime dhe aspak rezultate siç ishin premtimet nga Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, tani në dorëheqje, të deklaruara për medie se “kur ka çështje apo dukuri që kërkojnë fokus dhe angazhim më të madh, rritet numri i inspektimeve, punojmë me orar të zgjatur dhe jemi të angazhuar edhe gjatë ditëve të fundjavës”.
Totalisht jorezultativ u tregua edhe deklarimi i ministrisë së Rozeta Hajdarit në dorëheqje se “Inspektorati i Tregut do ta monitorojë tregun dhe në rast se konstatohet çfarëdo shkeljeje e dispozitave ligjore në fuqi, do të ndërmerren masa ndëshkuese”. Edhe në këto rrethana me anarki dominuese në fushën e mbrojtjes së konsumatorit në Kosovë si rrjedhojë e mungesës së institucioneve të rëndësishme të vendit, është e domosdoshme dhe urgjente të punojë ndonjë institucion apo subjekt shtetëror për t’u përballur me tendencat abuzive në sektorin e çmimeve, për të frenuar rrezikimin e mirëqenies së kosovarëve shumicë, dhe në instancë të fundit për t’i dalë krahë sigurisë nacionale. Do të ishte e udhës, pra, inspeksionet e tregut nga niveli qedror, deri të ato të qendrave komunale, të inspektojnë përditë rrjetet e shitoreve, marketet dhe supermarketet, për të ndëshkuar abuzuesit. Ndërsa Auroriteti i Konkurrencës të Kosovës që ka të gjitha informatat për ankesat e panumërta për çështjen e abuzimeve me çmime, dhe disa prej tyre kanë adresë edhe këtë asociacion, së paku do të duhej të sanksionojë tregtarët dhe shërbyesit keqpërdorues, siç kishte premtuar, pas ngritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe të instensifikojnë monitorimin e tregjeve për t’u dalë në mbrojtje konsumatorëve. /Buletini Ekonomik/









