Qytetarët që s’e kanë deklaruar adresën zyrtare nga 1 gushti s’do të mund të pajisen me dokumente

Të gjithë qytetarët e Kosovës që nuk e kanë deklaruar adresën zyrtare, nga data 1 gusht e këtij viti, nuk do të mund të pajisen me dokumentet që lëshohen nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC) dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK).

Kështu u theksua në një konferencë për media të organizuar nga AKK-ja, ku u bë thirrje qytetarëve që të deklarojnë adresën e tyre zyrtare, me qëllim të lehtësimit të qasjes në shërbime dhe ndërtimit të një shteti më funksional dhe gjithëpërfshirës.

Reklama e sponzorizuar

Drejtori i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti tha se mbi 220 mijë qytetarë tashmë e kanë bërë deklarimin e adresës, porse theksoi se kjo nuk është e mjaftueshme.

“Qëllimi i kësaj konference është që t’i informojmë të gjithë qytetarët që nuk e kanë deklaruar adresën zyrtare se nga data 1 gusht e këtij viti, nuk do të mund të pajisen me dokumentet që lëshohen nga ARC dhe AKK. Për më tepër, pa deklarimin e adresës zyrtare, qytetarët nuk mund të pajisen me certifikatën të lindjes apo certifikatën të pronës”, tha Ahmeti.

Ahmeti potencoi se deklarimi i adresës zyrtare është një obligim ligjor dhe një akt përgjegjësie qytetare që i takon gjithsecilit.

Sipas tij, një qytetar pa adresë zyrtare është një qytetar i përjashtuar nga sistemi.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë së Regjistrit Civil, Blerim Camaj tha se qytetarët në të gjithë Kosovën nuk do të mund të pajisen me asnjë shërbim civil nëse nuk e deklarojnë adresën zyrtare./KP/