Kosova në fund të renditjes në rajon për nga numri i bankomatëve

Kosova në vitin 2024 ka pasur gjithsej 635 bankomate. Duke parë treguesit krahasues, Kosova, praktikisht, është në fund të renditjes së shteteve të rajonit për nga numri i bankomatëve për 100 mijë banorë. Kosova me 41.81 bankomatë në 100 mijë banorë qëndron vetëm fare pak mbi Shqipërinë (40.11 ATM për çdo 100,000 banorë). Vendet e rajonit paraqesin tregues ndjeshëm më të lartë se Kosova dhe Shqipëria.

Buletini Ekonomik

Sektori i ndihmësve financiarë, i përbërë nga byrotë e këmbimit dhe agjencionet për transferim të parave, (ATP-të), ose bankomatët, mbetet me ndikim të kufizuar në sistemin financiar të Kosovës, duke u përfaqësuar me vetëm 0.1 përqind të gjithsej aseteve në fund të vitit 2024, sic konstatohet në raportin e Stabilitetit financiar numër 21 të BQK-së, në të cilin trajtohen ecuritë financiare në Kosovë gjatë vitit 2024.

Reklama e sponzorizuar

Sipas këtij raporti, megjithëse numri i institucioneve është i lartë, aktiviteti financiar i këtij sektori është modest dhe mbështetet kryesisht në kapitalin vetanak me pjesëmarrje prej më shumë se 65 përqind në gjithsej bilancin e gjendjes së sektorit. Në aspektin e performancës financiare, sektori shënoi përgjysmim të fitimit neto krahasuar me vitin paraprak, për shkak të rritjes më të shpejtë të shpenzimeve krahasuar me të hyrat. Rritja e kostove, sidomos në paga dhe shpenzime operative, ndikoi negativisht në performancën financiare, duke sinjalizuar presione mbi qëndrueshmërinë e sektorit sidomos marrë parasysh digjitalizimin e shërbimeve të pagesave dhe transfereve dhe rënies së kostos së shërbimeve të ofruara nga këto isntitucione.

Sipas vlerësimeve të BQK-së, transaksionet përmes ATM-ve shënuan rritje të moderuar, që do të thotë pak a shumë se nuk pati ndonjë rritje të transaksioneve nëpërmjet bankomatëve për t’u mburrur. Duke parë treguesit krahasues, Kosova, praktikisht është në fund të renditjes së shteteve të rajonit për nga numri i bankomatëve për 100 mijë banorë. Kosova me 41.81 bankomatë në 100 mijë banorë qëndron vetëm fare pak mbi Shqipërinë (40.11 ATM për çdo 100,000 banorë).

Vendet e rajonit paraqesin tregues ndjeshëm më të lartë se Kosova dhe Shqipëria (Serbia ka 54.43 ATM, Maqedonia e Veriut 67.15, Bosnje Hercegovina 62.72, dhe Mali i Zi 83.45 ATM për 100,000 banorë). Kosova më vitin 2021 ka pasur 516 bankomate, më 2022 – 534 sosh, në vitin 2023-583 dhe më 2024 – 635 bankomate gjithsej, sipas raportit të BQK-së. Këta numra të bankomatëve tregojnë se ka lëvizur edhe aq shumë për nga rritja e numrit të tyre, që do të thotë nuk është reflektuar një rritje më efektive drejt zgjerimit të aksesit në shërbimet bankare për qytetarët përmes përmirësimit të infrastrukturës së tërheqjes dhe depozitimit të parasë në nivel të vendit.

Ndërsa, në vitin 2024, numri i i përgjithshëm i bankomateve (ATM) në Shqipëri, sipas Skantv, vlerësohet të ketë qenë 1,011 dhe në tremujorin e parë të vitit 2025 kjo shifër është rritur në 1,064, duke reflektuar një prirje të qartë drejt zgjerimit të aksesit në shërbimet bankare për qytetarët përmes përmirësimit të infrastrukturës së tërheqjes dhe depozitimit të parasë në nivel kombëtar. Shumica e këtyre ATM-ve ofrojnë funksionin bazë të tërheqjes së parasë, ku 925 prej tyre janë të përqendruara në këtë shërbim, por paralelisht ka një rritje të ndjeshme edhe në ofrimin e shërbimeve të tjera më të avancuara si transfertat bankare që ofrohen nga 294 ATM dhe depozitimi i parasë që është i mundur në 396 prej tyre, duke treguar një orientim të sektorit bankar drejt modernizimit dhe diversifikimit të shërbimeve. Tirana mban peshën kryesore si në numrin e ATM-ve me 586 njësi, duke reflektuar jo vetëm përqendrimin e popullsisë, por edhe dominimin e saj në aktivitetin ekonomik financiar dhe tregtar në rang vendi. /Buletini Ekonomik/