Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka planifikuar që disa javë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, të shpallë nëntë tenderë në vlerë totale rreth 6 milionë euro. Disa prej këtyre tenderëve janë për projekte në komunat që udhëhiqen aktualisht nga Lëvizja Vetëvendosje, vlera e të cilëve shkon rreth 2 milionë euro, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Çerdhet që i premtoi para se të vinte në pushtet, e s’i ndërtoi gjatë mandatit 4-vjeçar, Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, po planifikon t’i nis gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 12 Tetorit.
Në platformën e-Prokurimi, MASHT ka publikuar njoftimet paraprake për nëntë tenderë. Vlera totale e këtyre projekteve është 5 milionë e 800 mijë euro.
Shpallja e këtyre tenderëve do të bëhet nga 11 shtatori deri më 19 shtator.
Vlera më e lartë është për tendering për furnizim me pajisje të sintezës vokale në gjuhën shqipe për arsimin special, që kap shifrën e 1 milion eurove, shkruan Reporteri.net.
Pastaj renditet ai për ndërtimin e shkallëve emergjente nëpër shkolla në shtatë regjione të vendit, me shumë 900 mijë euro.
850 mijë euro tjera do të shkojnë për ndërtimin e një çerdhjeje në Prizren.
800 mijë euro është vlera e tenderit që pritet të shpallet për ndërtimin e shkollës në Livoq të ulët të Gjilanit, komunë që udhëhiqet nga VV’ja.
600 mijë euro për vazhdimin e punimeve të çerdhes në Komoran të Drenasit, dhe nga 550 mijë euro për ndërtimin e sallave të sportit në shkollën “Dëshmorët e Kombit në Kamenicë” dhe në Rashnicë dhe Zborc të Shtimes, komuna që poashtu udhëhiqen nga VV’ja.
Një tender tjetër në vlerë 550 mijë euro pritet të shpallet për një çerdhe në Komogllavë të Ferizajt.
Tendër në vlerë 550 mijë euro do të shpallet edhe për çerdhen në Stanoc të Vushtrrisë.
Gazeta Online Reporteri.net ka raportuar javën e kaluar se si Nagavci planifikon të nis procedurat në shtator edhe për disa çerdhe në Prishtinë.
Sipas njoftimit paraprak të publikuar në e-Prokurim, vlera e parashikuar e kontratës është 2.6 milionë euro.
Procedurat për këtë aktivitet prokurimi pritet të fillojnë më 3 shtator.
Aty nuk specifikohet numri i çerdheve që do të ndërtohen, e as lokacionet e sakta. Nisja e procedurave për këtë tender i bie të bëhet disa ditë para fillimit të fushatës për zgjedhje. Për të parin e Kryeqytetin janë në garë Përparim Rama nga LDK, Hajrulla Çeku nga VV, Bekë Berisha nga AAK dhe Besa Shahini nga PSD.
Nagavci ishte aktivizuar me shpalljen e tenderëve për ndërtimin e çerdheve, edhe para zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën më 9 shkurt. MASHT kishte nënshkruar kontrata në vlerë rreth 3 milionë euro brenda një muaji.
Ndryshe, para se të vinte në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje kishte premtuar se do të ndërtonte 160 çerdhe. Premtimi nuk është përmbushur./Reporteri.net


















