Motivi kryesor që i ka shtyrë kosovarët të marrin shumë kredi konsumuese, sipas njohësve të zhvillimeve bankare, por edhe sipas pohimeve të shumë kredimarrësve, është mbijetesa (mbajtja e familjes, sigurimi i ushqimeve të domosdoshme dhe të produkteve të tjera të nevojshme të konsumit).
Buletini Ekonomik
Huamarrja thuaja masovike e kosovarëve nga bankat edhe në periudhën janar-maj 2025 (1,2 miliardë euro kanë hyrë borxh qytetarët e Kosovës ndaj bankave të vendit në këtë periudhë), është indikatori me i tejdukshëm dhe më domethënës që tregon realisht për gjendjen e rënduar financiare dhe mirëqenien e rrënuar ndjeshëm të kosovarëve. Dhe, po sipas të dhënave të BQK-së, edhe në periudhën janar-maj 2025 u regjistruan 200 milionë euro më shumë kredi konsumuese se sa më 2024, që ështe rritje e ndjeshme krahasuar me vitin paraprak.
Sipas të dhënave të BQK, gjatë pesë mujorit të parë të vitit 2025, shuma e kredive të reja të lëshuara është 1.2 miliard euro, krahasuar me 998.0 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2024. Ndërkohë, totali i kredive aktive deri në fund të muajit maj të këtij viti, ka arritur në 6.3 miliardë euro, në krahasim me 5.2 miliardë euro sa ishte në maj të vitit 2024, duke shënuar një rritje vjetore prej 1.1 miliardë euro ose 20.9 për qind.
Motivi kryesor që i ka shtyrë kosovarët kaq shumë të marrin kredi, sipas njohësve të zhvillimeve bankare, por edhe sipas pohimeve të shumë kredimarrësve, është mbijetesa (mbajtja e familjes, sigurimi i ushqimeve të domosdoshme dhe të produkteve të tjera të nevojshme të konsumit). Sepse, për Kosovën e vogël edhe për nga popullsia (sipas të dhënave paraprake të regjistrimit të fundit, Kosova ka diku rreth 1,55 milionë banorë), është shumë i madh numri i qytetarëve që kanë kërkuar kredi në periudhën janar-maj të këtij viti, ose numri i qytetarëve që kanë marr kredi nëpër bankat komerciale në Kosovë është rritur dukshëm krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Dhe, po sipas të dhënave të BQK-së, shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar të Kosovës deri në muajin qershor ka tejkaluar 6,3 miliardëshin (është fjala për euro).
Në këtë mënyrë, qëkur janë të qarta tendencat e varfërimit të shtuar në Kosovë (që nga koha e COVID-19 dhe pas fillimit të luftës ruso-ukrainase), secili vit pasues tejkalon ndjeshëm vitin paraprak të huamarrjes së qytetarëve nga bankat komerciale dhe nga institucionet mikrofinanciare, që, praktikisht veprimtarinë kryesore dhe në shumë raste të vetme, e kanë dhënien e kredive me super kamata të shtrenjta, që në raste dijnë të tejkalojnë edhe interesat e fajdexhinjve.
Me fjalë të tjera, edhe në bazë të të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2024, të publikuara në përmbyllje të vitit të kaluar, por edhe për periudhën janar-maj të vitit 2024 del që kosovarët numerikisht të shumtë – mbijetesën (mbajtjen e familjes, sigurimin e ushqimeve të domosdoshme dhe të produkteve të tjera të nevojshme të konsumit) e kanë siguruar nga huamarrja në banka. Sipas vrojtuesve të vëmendshëm, rritjen e kredive të të gjitha llojeve, dhe sidomos të atyre konsumuese në Kosovë, nuk arritën ta parandalojnë as kamatat shumë të larta për kredi, që janë absolutisht ndër më të lartat në rajon dhe në Europë (norma mesatare e interesit në bankat komerciale të Kosovës për kreditë e reja është 6.0 përqind).
Kosovarët e lodhur financiarisht gjithnjë e më shumë, nuk pyesin për kamata të larta, as për të nesërmen e tyre se çka do të bëhet me obligimet e reja kreditore. Ata e mendojnë hë për hë vetëm sigurimin e parave të domosdoshme për të siguruar bukën për familjarët dhe fëmijët e tyre. Prandaj, sipas njohësve të rrethanave, është kaq i lartë numri i kredive konsumuese në Kosovë gjatë vitit 2024 dhe në periudhën janar-maj 2025.
“Kreditë ndaj ekonomive familjare në dy tre vjetët e fundit përfaqësojnë mbi gjysmën e gjithsej kredive të sektorit mikrofinanciar të Kosovës”, theksohej saktësisht në një raport të mëhershëm të BQK-së.
Ndërsa, dihet se kush dhe çka vlerësohet kredi familjare. Këtë kreditim, sidomos te institucionet mikrofinanciare, të shquara në Kosovë për kamata të larta enorme, ose që barazohen me interesat e fajdexhinjve illegalë, në shumë raste e kërkojnë shtresa më e varfër e qytetarëve të këtij vendi. E kërkojnë ata që nuk kanë rrugëdalje tjetër për ta siguruar në të shumtën ushqimin e domosdoshëm brenda një muaji dhe, të detyruar nga kriza financiare dhe kërkesat e familjes për t’u ushqyer, detyrohen të paraqiten te institucionet mikrofinanciare. Në bazë të këtyre të dhënave të BQK-së, të tillët janë shtuar shumë dhe numri i tyre është bërë tronditës, shqetësues dhe frikësues. Sepse të përfaqësohen mbi gjysma e gjithsej kredive (qoftë edhe në sektorin e mikrofinancave) vetëm kredi ndaj ekonomive familjare, vështirë të mund të gjesh ndonjë vend paksa më normal kudo në botë, ndërsa në Europë jo se jo, në asnjë mënyrë.
Kjo shifër në përqindje e kredive për ekonomitë familjare është edhe një tregues plus, që tregon fare qartë se Kosova po varfërohet me ritëm të përshpejtuar dhe se trendi i thellimit të vobektësisë së popullsisë shumicë vetëm sa thellohet dhe tashmë ka prekur shumë shtresa të kosovarëve, pos pensionistëve edhe njerëzve të tjerë, të kategorive të ndryshme si dhe ekonomi familjare të shumta numerikisht. Prandaj Kosova ka gjithë këta kredimarrës, të cilët futen në borxh nga zori dhe pa e llogaritur fatin e këtij borxhi, që do thotë mundësinë e kthimit të anuiteteve ose ratave kreditore ndaj bankave kredidhënëse. /Buletini Ekonomik/











