Sipas inxhinierëve të KEK-ut, rinovimi i turbinave të Kosovës B do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 14-17 megavatë orë për njësi, pa emetime shtesë dhe ndikim negativ në ambient. Modernizimi i turbinave, do të thotë edhe zgjatje e viteve të punës së termocentraleve të stërvjetruara kosovare, prodhim më të besueshëm të energjisë elektrike dhe me kosto më efektive.
Buletini Ekonomik
Inxhinierët dhe njohësit e stabilimenteve të dy blloqeve të termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2), qëkur kishte filluar modernizimi i B2-shit (ripërtëritja ose modernizimi i turbinave), në prill të këtij viti, e parashihnin dhe e vlerësonin rehabilitimin (modernizimi i sapo kryer i B2-shit ka zgjatur 6 muaj, dhe po kaq parashihet të zgjatë modernizimi i njëllojtë i B1-shit) si “një prej projekteve më të rëndësishme strategjike për sistemin energjetik të Kosovës”.
Rekonstruktimi i detajuar i turbinave të Kosovës B parashihej të ketë koston totale prej mbi 56 milion eurove. Sipas KEK-ut, që në fillim të verës kishte shpërndarë një video për punën që po bëhej në rehabilitimin e modernizimin e turbinës në njësinë B2 të Termocentralit ”Kosova B”, ky investim do të ketë një përfitim të drejtpërdrejtë për sistemin energjetik të Kosovës.
“Ky projekt po zbatohet nga kompania prestigjioze General Electric, në partneritet të ngushtë me ekspertët dhe stafin profesionist të TCB-së, duke sjellë efikasitet të lartë dhe rritje të ndjeshme të kapaciteteve prodhuese. Siç dihet, marrëveshja KEK-General Elektric për ripërtëritjen e turbinave të termocentralit Kosova B, është nënshkruar në fillim të prillit 2023 (saktësisht më 7 prill 2023). Rehabilitimi pritet të rrisë prodhimin nga 14 deri në 17 MW/h për njësi, ose 672 deri në 816 MW në ditë (24 orë) për të dyja njësitë prodhuese – B1 dhe B2”, thoshte në korrik të këtij viti KEK-u.
“Korporata do të kursejë mbi 4 milionë euro për një njësi, ose 8 milionë euro në total për të dyja njësitë”, kanë treguar tutje zyrtarë të KEK-ut.
Rëndësinë e modernizimit e ka potencuar në disa raste edhe kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti. Edhe Kurti ka veçuar se “kapaciteti i njësive do të rritet për 14 – 17 megavatë-orë. Nuk do të ketë nevojë për riparime të shpeshta, do të nevojiten njëherë në tetë apo nëntë vite”, kishte thënë Kurti në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes.
Ndërsa në deklarimin e fundit, më 28 qershor 2025, Kurti ka ripërsëritur se “kjo po bëhet nga ekspertët e kompanisë amerikane General Electric”.
“Ekspertët e kompanisë amerikane General Electric (GE), e cila para 40 vjetëve kishte dizajnuar teknologjinë e turbinave të Termocentralit “Kosova B”, tash po punojnë krah për krah me punëtorët e palodhshëm të KEK-ut për modernizimin e tyre, falë investimit të vetë KEK-ut në vlerë mbi 56 milionë euro”, ka shkruar Kurti në Facebook në qershor.
“Ky është investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në Termocentralin “Kosova B”, që nga ndërtimi i tij. Modernizimi i turbinave po bëhet për herë të parë pas më shumë se katër dekada. Me këtë investim kapital po sigurohet më shumë prodhim vendor, po rritet siguria e furnizimit dhe ulet varësia nga importi”, kishte ripërsëritur kryeministri në detyrë.
Ripërtëritja, ose modernizimi i turbinave, sipas shumë inxhinierëve të KEK-ut, njohësve të rrethanave elektroenergjetike të vendit dhe ekspertëve, do të thotë zgjatje e viteve të punës së termocentraleve të stërvjetruara kosovare, më shumë energji, dhe do të sigurojë që termocentralet tona të funksionojnë me efikasitet optimal, prodhim më të besueshëm të energjisë elektrike dhe me kosto më efektive. Ndërsa, sipas inxhinierëve të KEK-ut, siç u tha, rinovimi i turbinave të Kosovës B do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 14-17 megavatë orë për njësi, pa emetime shtesë dhe ndikim negativ në ambient.
Rinovimi i turbinave të termocentraleve Kosova B, në fakt është planifikuar që moti, dhe mendohej jo vetëm ndër kuadrot e KEK-ut, që kjo punë domosdoshmërisht të bëhej që para shpërfaqjes së krizës energjetike edhe në vendin tonë. Por, siç dihet, për shkak të krizës energjetike globale të reflektuar theksueshëm edhe në vendin tonë dhe pandemisë COVID-19, ky projekt është shtyrë kushtimisht për më vonë.
Kostoja e gjithë punës rreth rinovimit të turbinave të dy blloqeve të Kosovës B (B1 dhe B2) ishte parashikuar të jetë 56.2 milionë euro, dhe këto para që nuk janë të pakta, do t’i sigurojë Kosova. Sipas kontratës, punimet për modernizimin e turbinës B2 do të kushtojnë 26.1 milionë. Ndërsa punët në njësinë B1 do të fillojnë menjëherë pas përmbylljes së rehabilitimit në B2, dhe, pokështu do të zgjasin rreth 6 muaj, ndërsa do të kushtojnë mbi 30.3 milionë euro. Vlera e parashikuar e kontratës nga ana e KEK-ut fillimisht ka qenë 55,100,000.00 euro, por kompania e involvuar në negocim nuk e ka pranuar këtë shumë, andaj KEK-u duket se ka qenë e detyruar që të rrisë vlerën. Palët janë marrë vesh për një çmim prej 56,522,000.00 euro.
Sipas përshkrimit të lëndës së kontratës, punët që do të kryhen do të jenë: Modernizimi i turbinave përfshin komplet rekonstruktimin e turbinës së presionit të lartë (TPL) dhe turbinës së presionit të ulët (TPU), ndërsa turbina e presionit të mesëm (TPM) do t’i nënshtrohet riparimit të zakonshëm kapital të saj. Ky rinovim, sado që i vonuar, ishte i domosdoshëm në këto kohë kur Kosovës i mungojnë ndjeshëm kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike (edhe ato në bazë të qymyrit, edhe ato të energjisë së rinovueshme). Në këtë mënyrë, rinovimi i turbinave të Kosovës B, në njëfarë mënyre, ishte praktikisht i kushtëzuar dhe i domosdoshëm. Ndërkohë që Kosova, tani për tani, nuk kishte zgjidhje tjetër më të mirë. Sepse, po vonohet shumë nisja e ndërtimit të kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë së rinovueshme, të cilat edhe po të ishin sot të gatshme, nuk do të mjaftonin as përafërsisht për përmbushjen e nevojave të konsumit të Kosovës. Prandaj, në Kosovë është mirëpritur ky investim, sidomos nga komuniteti energjetik.
KEK-u në vazhdimësi, në vitet e fundit, si rrjedhojë e stërvjetërsisë, ka pasur probleme me turbinat e termocentraleve dhe çdo herë në riparime është kontraktuar me negocim kompania e lartpërmendur. Projekti dhe dizajni i këtij termocentrali është bërë nga një kompani evropiane që në atë kohë quhej “STEIN INDUSTRIE”. Pajisjet kryesore të këtij termocentrali janë të prodhuara po ashtu nga kompani të njohura evropiane, p.sh: Turbogjeneratori (Turbina) nga kompania “MAN” që më pas është transferuar në ALSTOM GmBH. – Gjeneratori elektrik nga kompania ALSTOM POWER SERVICE nga Franca.– Sistemi i kontrollit dhe komandës (DCS – P320) është nga kompania ALSTOM POWER SERVICE nga Franca. Dy operatorët ekonomikë, General Electric Power dhe Alstom Power Services, edhe pse janë entitete të ndara, realisht janë kompani të lidhura, pasi General Electric Power ka në pronësi kompaninë Alstom Power Services.
Në njoftimin e KEK-ut me rastin e rikthimit në prodhim të bllokut B2 të termocentraleve Kosova B, pas përfundimit të reahabilitimit gjashtëmujor të turbinave, nuk saktësohet sa është rritur kapaciteti i B2-shit pas modernizimit. Sipas njoftimit, modernizimi i turbinës ka rritur dukshëm kapacitetet prodhuese dhe “kthimi i njësisë është realizuar me sukses të plotë, madje edhe para afatit të parashikuar”. Por, aty nuk saktësohet as sa ka kushtuar saktësisht ky rehabilitim, sikundër që nuk sqarohet se si do të sigurojë KEK-u energjinë e munguar nëse dërgohet në riparim B1, që e ka kapacitetin prodhues të barabartë me B2-shin (260 megavatë), në periudhën e pritshme të dimrit, kur shtohet ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike.
Paraprakisht në të gjithë dokumentacionin e shumtë, parashihet që në bllokun B1 të nis rehabilitimi, posa të përfundojnë të njëjtat punë në B2. Dhe, finalizimi i rehabilitimit në B2, i suksesshëm sipas KEK-ut, tashmë është përmbyllur. /Buletini Ekonomik/









