Dogana asgjëson mbathje sportive të falsifikuara

Dogana e Kosovës ka  bërë të ditur se ka ndaluar dhe asgjësuar mbathje sportive të falsifikuara që cenojnë të drejtën e pronësisë.

“Gjatë një kontrolli rutinë në Zonën e Doganës së Brendshme në Aeroportin Ndërkombëtar – Cargo, zyrtarët doganorë kanë identifikuar dhe ndaluar një sasi të konsiderueshme mbathjesh sportive për meshkuj që mbanin shenjat dalluese të markave të njohura ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Pas një ekzaminimi të detajuar, u vërtetua se këto produkte ishin të falsifikuara dhe përbënin shkelje të të drejtave të pronësisë (DPI).

Reklama e sponzorizuar

“Në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizës, mallrat e falsifikuara u asgjësuan në mënyrë të kontrolluar, nën mbikëqyrjen e zyrtarëve doganorë. Ndaj subjektit përgjegjës janë ndërmarrë masa ligjore, sipas legjislacionit në fuqi, për përfshirje në veprimtari të ndaluar tregtare dhe shkelje të DPI-së”, thuhet në njoftim .

Dogana e Kosovës riafirmon përkushtimin e saj në luftën kundër kontrabandës dhe falsifikimeve, duke mbrojtur konsumatorët dhe të drejtat e pronësisë intelektuale