“Mbrojtja joefektive, ose konsumatori i pambrojtur kosovar“

Dyqan i produkteve ushqimore

Kosovarët, sipas Zyrës Kombëtare e Auditimit (ZKA), janë të pambrojtur ndaj mashtrimeve, qoftë kur blejnë ushqime në market, qoftë rroba në dyqane apo produkte përmes internetit, ndërsa sistemi për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë nuk është i koordinuar mirë dhe paraqet dobësi të theksuara në secilën hallkë të tij. Ndërsa, sot e kësaj dite nuk rreshtin abuzimet e tregtarëve me mospërputhjen e çmimeve në rafte me ato në arkë, me tregtimin e produkteve ushqimore me afate të skaduara, me gënjeshtrat e uljes së çmimeve me të ashtuquajturat “aksione”, etj…

Buletini Ekonomik

Kosovarët, në markete dhe në supermarkete, gjejnë çmime të ndryshme në rafte nga ato të cilat i paguajnë në arkë. Një e katërta e ankesave nga konsumatorët mbesin të pazgjidhura, e për ato raste që marrin epilog, shpesh operatorët ekonomikë nuk gjobiten. Konsumatorët janë të pambrojtur ndaj mashtrimeve, qoftë kur blejnë ushqime në market, rroba në dyqane apo produkte përmes internetit”, janë vetëm disa raste të evidentuara në raportin e Zyrës Kombëtare e Auditimit (ZKA) pas auditimit të performancës “Efektiviteti i Sistemit për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve në Kosovë” për periudhën 2022-2024, me ç’rast është vlerësuar trajtimi i ankesave, planifikimi dhe realizimi i inspektimeve, zbatimi i strategjive dhe programeve, ndërgjegjësimi publik dhe koordinimi ndërinstitucional për mbrojtjen e konsumatorëve të vendit.

Reklama e sponzorizuar

Dhe, ZKA, pas këtij auditimi ka konstatuar se sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë nuk është efektiv (thënë më së buti), ose konsumatori kosovar, praktikisht del të jetë i pambrojtur nga tregtarët abuzues dhe keqpërdorues ordiner në rrjetin tregtar të vendit. Sepse, sipas ZKA-së, rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht përpjekjeve institucionale, konsumatorët në Kosovë nuk gëzojnë mbrojtje reale, të drejtë dhe efektive, si dhe institucionet nuk arrijnë të garantojnë transparencë dhe përgjegjësi të plotë në këtë drejtim.

Sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve nuk është i koordinuar mirë, dhe paraqet dobësi të theksuara pothuajse në secilën hallkë të tij. Procedurat për trajtimin e ankesave nuk janë të qasshme, të unifikuara dhe nuk monitorohen në mënyrë sistematike e të verifikueshme, duke pamundësuar sigurimin e një mbikëqyrjeje të besueshme dhe transparente për ecurinë dhe zgjidhjen e rasteve. Inspektimet kryhen kryesisht pas ankesave individuale dhe jo në bazë të analizës së rrezikut. Strategjitë dhe planet për mbrojtje të konsumatorëve nuk përcjellën me veprime konkrete e të matshme, ndërsa fushatat për ndërgjegjësim janë të kufizuara dhe nuk arrijnë te të gjithë qytetarët. Koordinimi ndërmjet institucioneve është i dobët dhe mungon një sistem i integruar për ndarjen e të dhënave dhe ndjekjen e përbashkët të rasteve”, thuhet në raportin “Efektiviteti i Sistemit për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve në Kosovë”.

Ndërsa, auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me rezultatet e auditimit ka thënë se “mangësitë e identifikuara në funksionimin e Sistemit të mbrojtjes së konsumatorëve ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtën e qytetarëve për produkte dhe shërbime të sigurta, informim të qartë dhe mekanizma efektivë për mbrojtje”.

Sipas këtij auditimi, del se konsumatorët janë të pambrojtur ndaj mashtrimeve, qoftë kur blejnë ushqime në market, rroba në dyqane apo produkte përmes internetit, ndërsa sistemi për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë nuk është i koordinuar mirë dhe paraqet dobësi të theksuara në secilën hallkë të tij.

Rreth një e katërta e ankesave, çdo vit, mbesin të pazgjidhura thuhet në raport.

Mashtrimi i konsumatorit dhe mosrespektimi i garancive janë shkeljet më të shpeshta, me një rritje të dukshme të rasteve të mashtrimit në vitin 2024. Po ashtu, çdo vit ka pasur raste të konsiderueshme ku konsumatorëve nuk u është kthyer malli apo janë përballur me çmime të ndryshme nga ato të ekspozuara në rafte”, thuhet në raport.

Procesi i trajtimit të ankesave nis me pranimin dhe regjistrimin e tyre nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, i cili e përcjell rastin tek Inspektorati Qendror për Mbikëqyrje të Tregut (IQMT). Pas inspektimit në terren, IQMT vendos për rastin, ndërsa DMK informon konsumatorin për rezultatin. Megjithatë ZKA-ja ka gjetur se inspektimet në terren kryhen kryesisht pas ankesave individuale dhe jo në bazë të analizës së rrezikut.

Gjithashtu, sipas raportit, shqetësuese është se IQMT nuk ka mekanizma për mbikëqyrjen e tregtisë elektronike, duke lënë konsumatorët të pambrojtur ndaj mashtrimeve online.

Nga analiza e mostrave të shqyrtuara gjatë auditimit nuk janë identifikuar raste të mashtrimeve online që janë proceduar penalisht”, konstatohet në raport.

Gjithashtu thuhet se inspektorati nuk dokumenton veprimet e ndërmarra, nuk nxjerr masë administrative ose urdhëresë me afat, por luan rolin e ndërmjetësuesit mes konsumatorit dhe operatorit ekonomik duke zgjedhur çështjen me biseda verbale e shpesh nuk shqiptohet as gjobë. Edhe kur subjektet gjobiten, sipas raportit, ato nuk rriten nëse shkelja përsëritet.

Në rastet kur tregtarët kanë mashtruar konsumatorët me çmime të ndryshme ndërmjet raftit dhe arkës, gjobat kanë mbetur të njëjta (1,000 euro) edhe pse shkelja është përsëritur disa herë brenda të njëjtit muaj. Kjo tregon se masa nuk ka qenë progresive dhe nuk ka shërbyer si mjet për të ndaluar shkeljet”, thuhet në raportin e ZKA-së.

ZKA-ja ka gjetur se 26 për qind e qytetarëve e kanë pasur të paqartë se ku mund të ankohen. Mungesa e prezencës së Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në rrjetet sociale, si Facebook, ka dobësuar komunikimin me qytetarët. Sipas auditorit, DMK ka vendosur të mos përdorë këto platforma, duke ndërprerë kontaktin e drejtpërdrejtë me konsumatorët. Por, jo vetëm në këtë raport të ZKA-së konstatohen manipulimet e tregtarëve kundrejt konsumatorëve dhe mungesa e mbrojtjes institucionale të tyre. Ka raste të panumërta në rrjetin e tregtimit, sidomos të produkteve esenciale ushqimore, ku nuk përputhen çmimi i produktit të vendosur në raft me çmimin në arkë, mashrimin me të ashtuquajturat “aksione’ të uljes së çmimit të ndonjë produkti në supermarkete dhe markete të shumta të vendit, të tregtimit të produkteve me afate të skadura të përdorimit etj., të cilat abuzime Buletini Ekonomik i ka trajtuar në vazhdimwsi.

Ndërsa, doli që më kot Autoriteti i Konkurrencës të Kosovës pas kontrollit të disa furave në Gjakovë dhe në Prishtinë, pas ringritjes së çmimit të bukës në muajt e pranverës së sivjetëshme, kishte konstatuar se ka ndodhur bashkërendimi i çmimeve mes furrtarëve (në Gjakovë dhe në Prishtinë) për produkte të ndryshme, çka përbën shkelje ligjore për koordinim të tillë në treg.

Pas inspektimeve të zhvilluara, Autoriteti i Konkurrencës ka identifikuar shkelje të nenit 5 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës (marrëveshje të ndaluara – kartele) nga subjekte të sektorit të bukës në Komunën e Gjakovës dhe atë të Prishtinës. Këto shkelje lidhen me bashkërendimin e çmimeve mes furrtarëve për produkte të ndryshme, çka përbën shkelje ligjore për koordinim të tillë në treg”, thuhej në konfirmimin e Autoritetit të Konkurrencës, pas inspektimeve në Gjakovë dhe në Prishtinë.

Por, Autoriteti i Konkurrencës, edhe pse ka analizuar mundësinë e masës së përkohshme, që nënkupton mbylljen e operatorit ekonomik deri në 6 muaj ndaj shkelësve të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, nuk ndërmorri asnjë masë ndaj furrëtarëve, shkelës dhe mospërfillës të konstatuar të ligjit. Ndërsa tani, në ngërçin politik që ka kapluar vendin tash e sa muaj, ose më konkretisht që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, mbrojtja e konsumatorëve është çështje fare e parëndëishme dhe as që merret dikush nga autoritetet me këtë çështje. Prandaj, tregtarët, ata të pandërgjegjshmit, e kanë derën çel për të vazhduar me abuzimet e konstatura nga ZKA-ja dhe nga Autoriteti i Konkurrencës. /Buletini Ekonomik/