Shpallen fituesit për rikonstruksionin e Urës së Milotit – Pritet që punimet të mbyllen brenda tetë javëve

Rreth 5 javë pasi hapi tenderin, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur kompaninë fituese që do të kryejë ndërhyrjet emergjente për rikonstruksionin e Urës së Milotit mbi lumin Mat.

Punimet, që pritet të zgjasin 2 muaj, do të kryhen nga bashkimi i kompanive “Junik Shpk & Joos & Krasniqi – Baze”, që kanë ofruar 860 mijë euro. Kjo shumë është sa 80,5% e fondit limit prej 107.6 mln lekë të vënë në dispozicion nga ARRSH.

Reklama e sponzorizuar

Sipas raportit teknik të përgatitur në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës, pilotat mbajtëse të urës janë ekspozuar dhe gërryer 3 – 5 metra, për shkak të erozionit dhe shfrytëzimit të pakontrolluar të shtratit të lumit.

Kontrata parashikon betonimin dhe mbrojtjen e pilotave, vendosjen e blloqeve të lidhura (gabioneve) për stabilizimin e shtratit, si dhe pastrimin dhe nivelimin e zonës përreth themeleve. Sipas parashikimeve, këto masa do të zgjasin jetëgjatësinë e urës për të paktën 5 deri në 10 vjet.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, punimet do të nisin menjëherë, duke pasur parasysh se ndërhyrja klasifikohet si emergjente.

Ura e Milotit ndodhet në aksin rrugor Milot – Lezhë dhe është një nyje kyç në këtë aks kombëtar.