Specat dhe domatet me çmime të pranueshme edhe në fillim të stinës së turshive

Sivjet, as në fund të gushtit as në ditët e para të shtatorit, nuk ka rritje të çmimeve të perimeve. Të mërkurën, më 3 shtator 2025, në Tregun kryesor të gjelbër të Prishrinës (atë te ndërtesa e RTK-së), që është në njëfarë mënyre njëfarë barometri i çmimeve në shumicën e tregjeve të gjelbra në vend, çmimet e specave, të domateve, të karrotave, të lakrës dhe të disa perimeve të tjera të stinës, ishin fare të pandryshuara me ato të para një muaji.

Buletini Ekonomik

Çmimet e produkteve bujqësore në Kosovë, sidomos çmimet e perimeve, deri sivjet kanë “shkuar në qiell” sidomos në fund të gushtit dhe gjatë tërë shtatorit, periudhë e njohur dhe e identifikuar që moti si “kohë e turshive”, kur qytetarët ngarendin në tregjet e gjelbra për të përmbushur nevojat e tyre me perime, thuaja të të gjitha llojeve, për të bërë turshitë tradicionale për familjet e tyre.

Reklama e sponzorizuar

Në vitin e kaluar dhe në disa vite të tjera të mëhershme, te ne, në gusht dhe në shtator, ka ndodhur ngritje enorme e çmimeve thuaja e të gjitha produkteve bujqësore, sidomos të perimeve, pa dallim a ishte prodhimi nga arat vendore apo nga importi. Ndodhën të dyfishohen çmimet e specave, domateve, trangujve, hudhrës, majdanozit dhe të produkteve të tjera të nevojshme dhe të përdorura për turshitë.

Ndërkohë sivjet, as në fund të gushtit as në ditët e para të shtatorit, nuk ka rritje të çmimeve të perimeve. Të mërkurën, më 3 shtator 2025, në Tregun kryesor të gjelbër të Prishtinës (atë te ndërtesa e RTK-së), që është në njëfarë mënyre njëfarë barometri i çmimeve në shumicën e tregjeve të gjelbra në vend, çmimet e specave, të domateve, të karrotave, të lakrës dhe të disa perimeve të tjera të stinës, ishin fare të pandryshuara me ato të para një muaji, madje, sipas tregtarëve dhe konsumatorëve, mbase vërehej edhe ndonjë ulje simbolike e çmimit të specave dhe të domateve.

Të mërkurën, një thes specash cilësorë 3 kilogramësh, somborkat e famshme tashmë në kohën e turshive, prodhime vendore të kopshtarëve të njohur të Sfeçlës, kushtonte 3,5 euro, ose thesi i vogël, ai 1 kilogramësh, 1 euro deri në 1,5 euro, që i bie paksa më shumë se një euro kilogrami.

“Me këtë çmim, nuk ke mundur të blesh këto somborka gjatë gushtit”, thotë, T.M., tregtari i vjetër dhe me përvojë shumëvjeçare në tregtimin e perimeve.

Ai ka njëfarë shpjegimi pse sivjet nuk janë ngritur ende çmimet e perimeve: “Konsumatorët, që janë njëkohësisht prindër të shkollarëve të shumtë, sivjet në plan të parë e kanë pasur ‘rehatimin’ e fëmijëve në shkolla, sigurimin e teksteve dhe mjeteve mësimore. Në këtë mënyrë, nuk ka pasur ofertë agresive për perime të stinës. Tani kanë zënë të interesohen më shumë për to, dhe së shpejti oferta e vrullshme do të ngritë çmimin e specave dhe të domateve”.

T.M. shprehet i kënaqur me tregtimin që ka nis të shtohet që nga nisma e shtatorit. Shet shumë speca, të cilësisë së klasit të parë, speca të Sveçlës, “mishtorë” dhe të shëndetshëm.

“Sot deri në orën dy pasdite, kam shitur saktësisht 270 thasë 3 kilogramësh të këtyre “somborkave”, i tregon reporterit të Buletinit Ekonomik ai të mërkurën.

Sipas tij, askush nuk e konteston as që e bënë të diskutueshëm çmimin.

“Sot, një konsumator i ka blerë 60 thasë pa asnjë diskutim, që i bie se ka blerë diku rreth 180 kilogram speca me diku rreth 200 e ca euro.”

Vera e sivjetshme në Kosovë, pos me ditë ekstremisht të nxehta që mbajtën që nga qershori e deri në gusht, karakterizohet edhe me rendimente dhe me cilësi ndjeshëm më të mëdha të prodhimeve bujqësore, se sa në vitet paraprake. Siç dihet tashmë, të gjitha drithërat e bardha, e sidomos gruri kanë shënuar rendimente rekorde dhe janë dalluar edhe me cilësi. Mirëpo sivjet, kanë rënë në sy edhe për nga sasia, edhe për nga cilësia , sidomos perimet nga kopshtijet e bujqëve kosovarë.

Këtyre ditëve, tregjet e gjelbra të vendit janë të stërmbushura me perime të stinës, ku dominojnë gjithsesi domatja shumë cilësore, speci, patatatja, trangujt, qepët, shalqini, pjepri e shumë perime të tjera. Duhet thënë se çmimet e tyre, sado që duken të larta për konsumatorin e varfër të Kosovës dhe me mundësi të kufizuara financiare, janë pak a shumë në nivelin e verës së kaluar, madje edhe nën to.

Të mërkurën, në Tregun kryesor të gjelbër në Prishtinë, të ndërtesa e RTK-së, një kilogram domate, ajo e zakonshmja, e ashtuquajtura nga tregtarët e kuqja, që nëse do t’i klasifikonte ndokush, do të renditeshin në klasin e parë, gjithsesi, kushtonte nga 70, 75 dhe shumë shumë 80 centë. Në tezga të tëra dominonte çmimi 50 centësh për një kilogram domate. Thuaja e tërë sasia e domateve në këtë treg, siç thonë tregtarët e këtushëm, tani është e vendit. Dominojnë domatet e fermerëve nga Mamusha, Krusha dhe fshatrat rreth e përqark Prizrenit dhe Rahovecit. Por sasi të imponueshme të domates vijnë edhe nga fshatrat rreth e qark Prishtinës dhe fshatrave të Llapit.

Në verën e sivjetshme, shumë cilësore janë edhe domatet e kopshtijeve të fermerëve të Vushtrrisë dhe të Anamoravës. Dhe, në saje të cilësisë, dhe një numri të konsiderueshëm të frigoriferëve të ndërtuar në shumë vise të vendit, një pjesë e madhe e perimeve vendore tashmë ka gjetur tregje në perëndim, sidomos në Zvicër dhe në Gjermani. /Buletini Ekonomik/