Çmimet enorme të larta, problemi ekzistencial i kosovarëve

Çmimet e larta, sidomos të produkteve elementare ushqimore (që kanë kaluar çmimet e shumë vendeve të Europës) dhe kostoja e mbijetesës, ka vite që vlerësohen si shqetësimet dhe problemet më të shprehura të qytetarëve të Kosovës në të gjitha hulumtimet, anketat dhe intervistat që bëhen nga asociacione ndërkombëtare dhe vendore.

Mehmet GJATA

Çmimet enorme të larta dhe të ngritura suksesivisht, shumë herë brenda periudhave të shkurtra (edhe brenda një muaji disa herë) dhe pasojat e shumta nga lëvizja e pandalur e çmimeve në jetesën e shumicës së popullsisë së Kosovës, janë bërë probleme ekzistenciale. Çmimet e ngritura, sidomos të produkteve elementare ushqimore (që kanë kaluar çmimet e shumë vendeve të Europës) dhe kostoja e mbijetesës, ka vite që vlerësohen si shqetësimet dhe problemet më të shprehura të qytetarëve të Kosovës në të gjitha hulumtimet, anketat dhe intervistat që bëhen nga asociacione kompetente ndërkombëtare dhe vendore. Pastaj radhiten, papunësia evidente, korrupsioni, problemet në shëndetësi, në arsim e kështu me radhë.

Reklama e sponzorizuar

Tani e sa muaj, më saktësisht që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit të 2025-tës, shqetësim real është bërë edhe ngërçi politik në mungesë të institucioneve kryesore të shtetit dhe zvarritja e jashtëlogjikshme e krijimit të tyre. Por, megjithatë, problemi më i qenësishëm me të cilin ballafaqohet Kosova, është kostoja e jetesës apo çmimet e larta, që ka dominuar thuaja në të gjitha hulumtimet dhe anketimet e asociacioneve të shumta ndërkombëtare dhe atyre vendore, që kanë trajtuar problemet e ndryshme sociale të Kosovës ndër vite.

Sipas një ankete të Institutit Ndërkombëtar Republikan, të realizuar gjatë periudhës maj-korrik të këtij viti (hulumtimi më i fundit i bërë publik këto ditë), 45 për qind e qytetarëve të Kosovës e shohin rritjen e çmimeve si problemin kryesor. Ndërsa vjet, 28 për qind e qytetarëve e shihnin rritjen e kostos së jetesës si problem kryesor të vendit.

Edhe sipas Barometrit Standard të Bashkimit Evropian për pranverën e vitit 2025, rritja e çmimeve dhe inflacioni përmenden në mënyrë të përsëritur si problemet më të mprehta që ndihen në jetën e përditshme. Të dhënat e këtij hulumtimi tregojnë se ekonomia, papunësia dhe kostoja e jetesës, janë ndër shqetësimet më të theksuara të qytetarëve. Këto janë vlerësime të bëra publike tani së fundmi, por, pak a shumë vlerësime goxha identike me këto kanë dominuar thuaja në të gjitha hulumtimet dhe anketimet e asociacioneve të shumta dhe të ndryshme që kanë trajtuar problemet të ndryshme sociale të Kosovës ndër vite.

Në raportin për Kosovën për muajin maj 2024 të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), të publikuar në fillim të gushtit të vjetshëm, po kështu ishte konstatuar se “problemi më i rëndësishëm me të cilin ballafaqohet Kosova, është kostoja e jetesës apo çmimet e larta, si dhe papunësia”. Më herët, konstatim identik të shqetësimeve të kosovarëve kishte bërë edhe Përmbledhja e Pulsit Publik (progam i UNDP-së). Sipas regjistrimit nga Përmbledhja e Pulsit Publik të mëhershëm, “varfëria (me 16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7%), dalin të jenë tre çështjet – shqetësimet kryesore të kosovarëve”.

Shihet pra, se në të gjitha këto raporte konstatohet se problemet me të mprehta të kosovarëve vazhdojnë të mbesin kostoja e jetesës, përkatësisht çmimet e larta dhe papunësia; dhe shqetësimet kryesore të kosovarëve dalin të identifikohen përafërsisht njësoj si te IRI, si te Pulsi Publik dhe si te Barometri Standard i Bashkimit Evropian. Mbase dallimi mund të jetë pak a shumë te emërtimi i problemit të potencuar nga këto asociacione (te Pulsi Publik i UNDP-së ndër shqetësimet kryesore të renditura apostrofohet problemi me emërtimin “çmimet për furnizimet thelbësore”, ndërsa te raporti i IRI-t, “kostoja e jetës dhe çmimet e larta”, që në fund të fundit, është i njëjti problem.

Dhe bazuar në sfidat e shumta me të cilat ballafaqohen aktualisht kosovarët si pasojë e çmimeve enorme të larta të të gjitha produkteve, sidomos të atyre elementare ushqimore dhe të të gjitha shërbimeve, s’ka si të jetë ndryshe. Thjesht është dominues shqetësimi nga ngritja e çmimeve, sepse tani shumica e qytetarëve të Kosovës e kanë të ç’ekuilibruar ndjeshëm gjendjen sociale, nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare për të mbijetuar normalisht, dhe ndër varfanjakët e shumtë – ka tendenca të varfërimit të mëtejshëm të tyre. Sepse në Kosovë, kostoja e jetës, në radhë të parë si rrjedhojë e çmimeve të larta të shumicës absolute të mallrave dhe të produkteve të domosdoshme për jetesë normale dhe sidomos çmimet për furnizimet thelbësore, është qe goxha një kohë të gjatë dhe akoma vazhdon të jetë problem shqetësues për shumicën e qytetarëve dhe në veçanti për shtresat e varfëra, që janë me shumicë në Republikën tonë.

Çmimet vazhdimisht të ngritura të shumicës së produkteve elementare ushqimore janë bërë sfidë thuaja e papërballueshme për pensionistët, për familjet me probleme sociale dhe për të papunët, por edhe për kategori të tjera qytetarësh që të ardhurat e tyre mujore nuk u mjaftojnë për ta përmbyllur muajin me muaj.

Edhe në këtë vit, në Kosovë, çmimet e konsumit kanë shënuar ngritje, ç’është e vërteta jo në nivelet e ngritjes së çmimeve në vitet e para post-pandemisë dhe të shpërthimit të luftës ruso-ukrainase, por, megjithatë ka pasur dhe vazhdon të ketë ngritje çmimesh edhe të produkteve elementare ushqimore edhe të mallrave të tjera. Edhe në bazë të të dhënave statistikore, brenda një muaji çmimet e produkteve të shumta vazhdojnë të jenë ndjeshëm më të larta se sa në muajin paraprak. Çmimet e produkteve esenciale ushqimore dhe të jetesës, janë të gjitha të ngritura edhe në këtë vit, ku mbështetur nga informacionet që vinin nga bota, pritej të ketë zbritje çmimesh.

Të dhënat zyrtare më të fundit flasin se ngritja e çmimeve të konsumit në Kosovë në gusht të këtij viti (të 2025-tës) ishte 4,5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni mujor, edhe krahasuar me korrikun 2025, me muajin paraprak pra, ishte 0,5 për qind.

Në raportin e ASK-së thuhet se rritja vjetore u ndikua kryesisht nga ngritja e çmimeve të energjisë elektrike (17,1%), pushimeve të organizuara (17,1%), kafesë, çajit dhe kakaos (16,7%), pemëve (16,6%) dhe mishit (12,4%). Po ashtu, ndikim të konsiderueshëm kanë pasur edhe shërbimet për mirëmbajtjen e transportit personal (10,7%), shërbimet e tjera lidhur me transportin (10,4%), perimet (9,7%), vajrat dhe yndyrnat (8,6%), shërbimet hoteliere (8,2%) si dhe produktet e qumështit, djathit dhe vezët (8,2%).

Ndërkohë, sipas të dhënave nëpër markete, një pako vezë që vjet në gusht ka kushtuar 2.50 euro, në gusht të këtij viti u shit për 3.55 apo 42 për qind më shtrenjtë (Çmimi i vezëve në Kosovë, që nga korriku është ngritur suksesivisht, madje edhe disa herë brenda një muaji). Rritje prej 17 për qind pati edhe te vaji i lulediellit. Nga 1.44 sa kushtonte në gusht të 2024-tës shishja 1-litërshe, këtë vit kushton 1.69 euro.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në janar të këtij viti ishte 1.5 për qind, ndërsa, siç u tha më lartë, në gusht arriti në 4.5 për qind. Një vit më parë, në gusht 2024, inflacioni ishte 1.4 për qind. Edhe në këto ditë po ndodhë ngritja suksesive e çmimeve të shumë produkteve në rrjetin tregtar (me shumicë dhe me pakicë) të vendit. Ndërsa ndikimin e madh në lëvizjen e çmimeve, e ka çmimi enorm i ngritur i energjisë elektrike te grupi i konsumatorëve të amvisërisë, dhe shumë më shumë te mbi 1300 biznese dhe kompani biznesore dhe të shërbimeve (te ato që kanë mbi 50 të punësuar dhe mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor) që janë detyruar t’i nënshtrohen furnizimit vetanak me rrymë.

E keqja bëhet më e madhe, për shkakun se paralajmërimet për çmime të reja nuk kanë të sosur. Ndërkohë që pak ka gjasë të parandalohen tendencat e tregtarëve “gjuetarë” të situatave anarkike të pushtetit, për t’u pasuruar sa më shpejtë me çmime të reja dhe me marzha fitimi super të larta për shkakun e rrethanave politike që vazhdojnë të dominojnë nga 9 shkurti, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare në vend. Mungesa e funksionimit të institucioneve të rëndësishme të vendit (kuvendi jashtë funksionit, qeveria e dorëhequr, ose me funksion të përgjysmuar) dhe anarkia e krijuar në shumë sektorë të ekonomisë, veçmas në atë të tregtisë, për rrjedhojë të mungesës së institucioneve më të rëndësishme të vendit, u ka lënë hapësirë të pakufishme dhe gjithë mundësitë tregtarëve për të vendosur lehtësisht për të ngritur çmimet e shumë produkteve, sidomos të atyre të shportës, ose të produkteve elementare ushqimore. /Buletini Ekonomik/