Komuna e Prishtinës padit Ministrin e Financave për bllokimin e buxhetit të ‘Gjelbër’

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna ka iniciuar një padi ndaj Ministrit të Financave në detyrë, Hekuran Murati, dhe tre zyrtarëve të tjerë, për shkak të bllokimit të buxhetit të Ndërmarrjes Publike “Gjelbër”.

Sipas Ramës, kjo bllokadë ka shkaktuar vonesa në pagesat e punëtorëve dhe po dëmton shërbimet publike jetike të kryeqytetit. Ai e ka cilësuar veprimin si të pajustifikueshëm, të paligjshëm dhe me motiv politik.

“Kjo bllokadë po dëmton jo vetëm punëtorët, por edhe shërbimet ndaj qytetarëve. Për këtë arsye kemi ndërmarrë hapa ligjorë ndaj Ministrit Murati dhe zyrtarëve përgjegjës”, ka deklaruar Rama. Ai gjithashtu falënderoi punëtorët e “Gjelbër” për durimin dhe përkushtimin e tyre, duke theksuar se Komuna do të vazhdojë të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe institucionale për zhbllokimin e fondeve dhe shpërblimin e drejtë të secilit punëtor.

Reklama e sponzorizuar

Rama përfundoi duke theksuar: “E drejta do të triumfojë, padrejtësia nuk do të tolerohet.” /Buletini Ekonomik/