Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria ka rritur pensionet dhe shtesat për fëmijët, të cilat do të ekzekutohen me fillim nga muaji nëntor.
“Nga Ministria e Financave kemi pranuar propozimin për rritjen e pagës minimale, rritje kjo që do të ndikojë te rreth 150 mijë të punësuar. Ashtu siç ju kam premtuar, sot ka lajme të mira edhe për pensionistët, sepse pensioni minimal nga 120 euro do të bëhet 150 euro, duke filluar nga muaji nëntor, që fillon nesër. Kjo rritje do të përfshijë rreth 200 mijë pensionistë”, tha Kurti.
Ai njoftoi gjithashtu edhe për rritjen e shtesave për nënat që marrin për fëmijët. Për fëmijët nga mosha 0 deri në 16 vjeç, shtesat do të rriten për 50%. “Pra, një nënë me dy fëmijë që këtë muaj ka marrë 40 euro, nga muaji i ardhshëm do t’i marrë 60 euro”, shtoi ai.









