Nënshkruhet marrëveshja prej 8.9 milionë eurosh për mbështetjen e 198 ndërmarrjeve prodhuese dhe përpunuese

Është nënshkruar marrëveshje  prej 8.9 milionë euro me ndërmarrjet përfituese nga skema mbështetëse për makineri prodhuese dhe përpunuese, raporton Ekonomia Online.

Nënshkrimi u bë në një ceremoni nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ku mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Reklama e sponzorizuar

Ndonëse qeveri në detyrë, megjithatë Kurti nga aty foli për vizionin për një qeverisje të mirë, duke thënë se po krijojnë kushtet të favorshme për bizneset.

“Është kënaqësi e veçantë të jem sot në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve për mbështetje financiare të 198 ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Këto ndërmarrje janë përzgjedhur për mbështetje në vlerë prej 8.9 milionë euro nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Ndërmarrësi dhe Përkrahje në Kosovë. Kemi vizion për qeverisje të mirë, zhvillim të vazhdueshëm, mirëqenie, siguri dhe barazi. Krijimi i kushteve të favorshme për të bërë biznes është ndër prioritetet tona kryesore. Me këtë investim po ofrojmë mbështetje direkte për shpalosjen e potencialit të bizneseve, të cilat janë kontribuuese të rëndësishme në zhvillimin e mëtejmë të vendit”, deklaroi Kurti.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari pati kritika për qeveritë e kaluara.

“Kur morëm qeverisjen në vitin 2021 ne kuptuam se nuk ishte punuar për zhvillim industrial që është i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e shtetit. Qeveria ishte me mungesë vizioni për sektorë të rëndësishëm industrial për vendin dhe mungesë për mbështetje për sektorë prodhues. Gjatë mandatit tonë qeverisës indentifikuam shumë praktika të dëmshme e të bërit biznes në Kosovë”, tha ajo.