Qytetarët ankohen për çmimet e larta të naftës

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar rënie ditëve të fundit. Në tregun amerikan, një fuçi naftë po tregtohet rreth 60 dollar, çka tregon një ulje të lehtë në krahasim me periudhat e mëparshme.

Megjithatë, derisa në vendet e perëndimit ka ulje të çmimeve të naftës dhe karburanteve tjera, në Kosovë situata duket se nuk po pasqyrohet në të njëjtën mënyrë.

Në fakt, kostoja për një litër naftë në Kosovë pothuajse nuk ka ndryshuar dhe është e njëjtë si para tre muajsh.

Reklama e sponzorizuar

Aktualisht, në vendin tonë një litër naftë sillet nga 1.16 euro deri 1.25 euro, ndërkohë benzina për litër vijon për një cent më shtrenjtë.

Këto çmime, sipas qytetarëve, janë tejet të larta krahasuar me të ardhurat e tyre.

Ndërkohë, sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, çmimet e derivateve në Kosovë janë më të lirat në rajon, ndonëse Fadil Berjani thotë se ato lëvizin shpesh.

“Këto çmime, mund të them lirisht se janë përafërsisht qe dy tre muaj kështu që në lëvizje në berëz ka po janë lëvizje shumë të vogla dhe janë një rritje e lehtë por në tregun kosovar çmimet janë shumë stablie dhe tregtar janë duke e treguar vetën dhe qytetarët janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në rajon”, thotë ai.

Megjithatë, çmimi për një litër naftë në pikat e derivateve pothuajse nuk është i njëjtë, ai ndryshon nga një pompë në tjetrën, që gjë sipas Berjanit është një hap i mirë për rritjen e konkurrencës dhe ndikon në uljen e çmimit.