Shala: Rritja e varësisë nga importi i energjisë po rëndon qytetarët, KEK-u me performancë të dobët

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka ngritur shqetësimin për rritjen e vazhdueshme të varësisë së Kosovës nga importi i energjisë elektrike, duke thënë se kjo po krijon barrë të madhe financiare për qytetarët.

Sipas Shalës, nga viti 2019 deri në vitin 2025, Kosova ka shënuar rritje të konsiderueshme të faturës së importit të energjisë. Ai thotë se shpenzimet janë rritur nga rreth 50 milionë euro në vitin 2019, në mbi 168 milionë euro në vitin 2024.

Deputeti ka theksuar se është rritur edhe sasia e energjisë së importuar, nga 890 mijë MWh në vitin 2019 në mbi 1.3 milionë MWh në vitin 2024.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Shalës, kjo situatë është pasojë e performancës së dobët të prodhimit vendor, veçanërisht të termocentraleve të KEK-ut, të cilat, siç thotë ai, përballen me rënie të njësive, riparime të zgjatura dhe efikasitet të ulët.

“Çdo mungesë në prodhim po mbulohet me import, shpesh me çmime të larta, duke krijuar hapësirë për përfitime të ndërmjetësve. Barrën e paguajnë qytetarët përmes tarifave të rritura nga ZRRE,” ka theksuar Shala.

Ai fajëson qeverinë aktuale për këtë situatë, duke e quajtur rezultat të keqqeverisjes, dhe kërkon masa urgjente për investime në kapacitete të reja dhe menaxhim më efikas në KEK.

“Sa më shpejt të largohet ky mentalitet që bllokon zhvillimin e projekteve të reja, aq më shpejt qytetarët do të kenë çmime të përballueshme dhe furnizim të qëndrueshëm,” ka shkruar deputeti i PDK-së.