Është bërë e zakontë vërshimi i tregjeve të Kosovës me mandarina nga Shqipëria nga gjysma e dytë e tetorit deri në janarin vijues. Mandarinat nga Shqipëria pëlqehen nga kosovarët, pavarësisht zërave se në raste janë edhe “të kontaminuara” nga pesticidet e tepruara, ndërsa ardhja me shumicë e tyre në këtë kohë ka ndikimin edhe në uljen e çmimit të tyre.
Buletini Ekonomik
Mandarinat, një pemë ekzotike, tashmë janë bërë thuaja “frut i Kosovës”. Tani në gjysmën e parë të nëntorit janë mbushur tregjet e gjelbra të Kosovës, por edhe raftet e marketeve, supermarketeve dhe shitoreve të specializuara të pemëve dhe perimeve me mandarina nga Shqipëria.
Është bërë, thuaja, pema më popullore dhe më e konsumuar ndër kosovarët, që dikur kanë mundur vetëm ta “ëndërrojnë”, për shkak të çmimit stratosferik të këtij fruti. Tani, këto ditë pra, mandarina, për shkak të konkurrencës së tejdukshme, shitet kudo dhe me çmime të pranueshme. Nuk është çmimi i saj i pakapshëm as për shtresat e varfra kosovare. Një kilogram mandarine me cilësi mesatare në tregjet tona tani kushton 70 e 80 centë, ndërsa kilogrami i mandarinës shumë cilësore tregtohet me 1 euro, në shumicën e ditëve.
Këto ditë mandarina nga Shqipëria ka dominuar absolutisht edhe mollët e vendit, ato të Kovrragës dhe fshatrave të tjera të Istogut, por edhe të plantacioneve të tjera kosovare, të cilat janë më të pakta, por edhe më të kushtueshme në tregjet tona. Mandarina që ka vërshuar tregjet tona është bërë.
Sipas tregtarëve prishtinas, për momentin mandarinat janë produkti më i konsumuar ndër qytetarët, janë të kërkuara shumë nga blerësit, prandaj edhe janë produkti i tregtuar më së shumti në tregjet e vendit. Shumica e blerësve nuk e bëjnë të diskutueshëm çmimin e mandarinave nga Shqipëria. E pëlqejnë këtë frut, pavarësisht zërave jo të paktë se në raste, mandarinat nga Shqipëria janë të kontaminuara me pesticide të tepruara dhe të dëmshme për shëndetin.
“Mandarina nga Shqipëria është cilësore, e freskët dhe nuk ndodh të ketë ankesa për cilësinë e saj”, thotë një tregtar në Tregun kryesor të Gjelbër (te ambientet e RTK-së).
Ai thotë se tani, më kot kërkon mandarina të prodhuara në vende të tjera, pasi që mandarinën nga Shqipëria thjesht e pëlqejnë kosovarët, prandaj edhe e duan.
Një tregtar tjetër, shumë pranë parafolësit dhe me shtand të stërmbushur me mandarina shqiptare, pret që çmimi aktual prej 1 euro, në ditët në vazhdim të ulet edhe më, sado që nuk ka ankesa për lartësinë e tij. Edhe në shumicën e marketeve, supermarketeve dhe shitoreve të specializuara të pemëve dhe perimeve, të cilat i kanë stërmbushur shtandet e tyre me mandarina nga Shqipëria, çmimi i tyre është 1 euro, por edhe 1,2 euro e përtej. /Buletini Ekonomik/









