Në Kuvendin Komunal të Prishtinës, është votuar bartja e mjeteve buxhetore nga vitit 2024 në vitin 2025.
Me 38 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim Kuvendi Komunal i Prishtinës në një seancë të jashtëzakonshme e ka votuar bartjen e mjeteve vetanake nga viti 2024 në vitin 2025 në vlerë 28 milionë euro, raporton KosovaPress.
Pika për buxhetin e vitit 2026 pati dakordim që të diskutohet me asamblistët e Kuvendit Komunal të ri.
Jeta Rafuna nga Lidhja Demokratike të Kosovës tha se miratimi i bartjes të mjeteve nga për 2025 në vlerë 28 milionë euro nuk është luks, por domosdoshmëri.
“Ky vendim nuk është hap teknik, por hap i domosdoshëm për të ruajtur vazhdimësinë e projekteve tona dhe për të siguruar që asnjë qytetar i Prishtinës të mos mbetet peng i vonesave të imponuara. Bartja e mjeteve është mjet ligjor për të garantuar që investimet tona në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, mobilitet urban në mirëqenien e familjeve të vazhdojnë pa ndërprerje…Kjo bartje nuk është luks, është domosdoshmëri. Ne jemi këtu për të punuar për qytetin jo për tu bërë peng i kalkulimeve politike”, tha ajo.
Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla tha se do ta votojnë bartjen e mjeteve, ani pse pati kritika të shumta kundrejt kryetarit Përparim Rama.
Sipas tij, kur punëtorët e Trafikut Urban ndaluan qarkullimin e autobusëve, atëherë u kuptua nga Rama se bartja e mjeteve nuk bëhet në studio televizive, por në Kuvend Komunal.
“Vet fakti që jemi sot këtu është dëshmi e marrëzisë politike dhe ligjore të Përparim Ramës. Vetëm kur punëtorët e Trafikut Urban dolën në rrugë, kur autobusët ndaluan qarkullimin, atëherë befasisht e kuptoj se bartja e mjeteve nuk bëhet nëpër studio televizive, por këtu në kuvendin komunal.. E përdori këtë strategji gjatë fushatës për zgjedhjeve lokale, e tash bashkë me shefin e vet provoj ta përdor edhe në fushatë për zgjedhje nacionale…U tha qytetarëve se qeveria ka bllokuar mjetet, gënjeshtër, afër 90 milionë euro janë alokuar komunës gjatë këtij viti nga qeveria.. Ne, asamblistët e LVV-së, do ta votojmë bartjen e mjeteve, jo për ta shpëtuar Ramën, por për të ndihmuar përkohësisht Prishtinën nga zullumi i tij, votojmë sepse e kemi detyrim ndaj kryeqytetit”, tha Sveçla.
Ndërsa, shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Ratkoceri u shpreh se ndërprerja e shërbimeve publike ka rënduar jetesën e qytetarëve. Ai tha se grupi i PDK-së do ta votojë bartjen e mjeteve, pasi sipas tij, mund të paraqesë një zgjidhje të përkohshme.
“Ndërprerja e shërbimeve publike përfshirë transportin publik për shkak të mos pagesave, kjo veçse e rëndon më shumë jetën e qytetarëve si dhe të punëtorëve dhe dikush për këtë situatë duhet të marr përgjegjësi. Grupi i PDK mbetet i vendosur të kontribuojë me seriozitet për zhbllokimin dhe tejkalimin e kësaj gjendje në këtë mbledhje të jashtëzakonshme. Bartja buxhetore nga viti 2024 në 2025 mund të paraqesë një zgjedhje të përkohshme dhe është e domosdoshme të dihet nëse kjo bartje shërben si mundësi për të rikthyer shërbimet esenciale në kryeqytet”, tha Ratkoceri.
Endrit Zabërgja nga Nisma Socialdemokrate tha se do ta mbështesin bartjen e mjeteve, por edhe miratimin e buxhetit për vitin 2026. Ai theksoi se kalkulimet e ulëta e kanë sjell kryeqytetin në këtë gjendje, raporton KosovaPress.
“Jemi para një krize sociale dhe pa mjete për t’i funksionalizuar shërbimet bazike të qytetarëve dhe nëse marrim historikun, kjo është hera e 5-6-të që jemi duke e trajtuar bartjen dhe buxhetin dhe nëse i përcjellim deklaratat tona në këtë foltore gjatë vitit sot jemi ku u pata paralajmëruar se ku mund të vijë kryeqytetit. Kalkulimet e ulëta e kanë sjell kryeqytetin në këtë gjendje. Uroj që ky mandat të jetë mësim se politika është më shumë se betejë, më shumë se kundërshtim”, tha ai.
Gëzim Mehmeti nga Aleanca Kosova e Re deklaroi se votimi i bartjes së mjeteve do të mbrojë shërbime publike dhe do të pengohet thellimi i bllokadës.
“Miratimi për bartjen mjeteve është domosdoshmëri nuk është teori politike është e vetmja mënyrë t’i mbrojmë shërbimet publike dhe përgjegjësi e jona ndaj qytetarit të kryeqytetit. Pa këtë vendim procesi i bllokimit vetëm sa do të thellohet me këtë vendim nis stabilizimi, por jo zgjedhja e problemeve në përgjithësi. Kjo seancë ka mundësi ta ndal sot këtë spirale të dëmeve ka mundësi ta kthej transportin në funksion”, tha ai.
Seanca e sotme e jashtëzakonshme nuk kaloi pa momente tensioni në mes të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës.









