Drejtori i AKK-së, Ibrahimi: Komunave iu morën mbi 125 milionë euro nga vendimet gjyqësore

Komunat e Kosovës gjatë vitit 2025 janë përballur me probleme financiare shkaku i kontratave kolektive, që më pas kanë përfunduar tek përmbaruesit.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një intervistë për Telegrafin ka sqaruar situatën me të cilën janë përballur kryetarët, duke thënë se mbi 125 milionë euro u janë marrë komunave nga vendimet gjyqësore.

“Gjatë vitit 2025, komunat e Republikës së Kosovës janë përballur me një barrë tejet të rëndë financiare si rezultat i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të zbatuara përmes proceseve përmbarimore, përmes të cilave nga buxhetet komunale janë ekzekutuar mbi 126 milionë euro”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

“Nga kjo shumë mbi 88.5 milionë euro janë marrë drejtpërdrejt nga shpenzimet kapitale. Në këtë barrë financiare ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme edhe zbatimi i Kontratës Kolektive për Arsimin, e cila, ndonëse e nënshkruar në nivel qendror, po zbatohet financiarisht nga komunat”.

Ibrahimi shtoi më tej se situatë e rënduar gjatë vitit që lamë pas, po reflektohet edhe në këtë fillim vit: “Pasojat e këtyre proceseve përmbarimore dhe të kontratës kolektive do të vazhdojnë të reflektohen edhe këtë vit”.

“Për këtë arsye, kërkohet urgjentisht një zgjidhje institucionale nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfshirë: adresimin e pasojave financiare të proceseve përmbarimore; gjetjen e një mekanizmi të qëndrueshëm për financimin e kontratave kolektive; mbrojtjen e buxheteve kapitale të komunave nga ekzekutimet e mëtejme”.

“Pa një ndërhyrje të shpejtë dhe të koordinuar, komunat do të vazhdojnë të humbasin kapacitetin për të investuar në zhvillim lokal, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët”, përfundoi Drejtori i AKK-së.