Në njëfarë mënyre, në tregjet e tregtimit dhe të shërbimeve në Kosovë, ka nisë “efekti domino”, ose ngritja zinxhir e çmimeve. Janë ngritur çmimet e shumë produkteve dhe të shërbimeve (janë ngritur çmimet e biletave të autobusëve në relacionet Kosovë-shtetet e Perëndimit) dhe janë shpërfaqë shumë paralajmërime të ngutshme për të ngritur çmime edhe në linja të tjera ndërurbane dhe urbane. Sipas vrojtuesve, nëse vazhdon lufta në Llindjen e Mesme pasojat në ecuritë e çmimeve të shumicës së mallrave do të jenë dramatike.
Mehmet GJATA
Shumë indikatorë tregojnë se niveli enorm i ngritjes së çmimeve edhe në Kosovë në këto dy javët e fundit, i ndikuar në masë të madhe nga lufta në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të naftës në tregjet globale, do të vazhdojë doemos edhe për një kohë të pacaktuar. Njëkohësisht, nëse nuk ndalet lufta SHBA, Izrael kundër Iranit, siç parashikojnë njohësit e zhvillimeve të ecurive të çmimeve në kohë të krizave të mëdha të shkaktuara nga luftra ndërshtetërore, presionit e ngritjes së çmimeve do të vazhdojnë sidomos në zinxhirin e tërësishëm të prodhimit dhe të tregtimit të produkteve ushqimore. Sipas vrojtuesve, nëse vazhdon lufta në Lindjen e Mesme, pasojat në ecuritë e çmimeve të shumicës së mallrave do të jenë dramatike, ndërsa ndikimin më të ndjeshëm do ta kenë në prodhimtarinë në bujqësi dhe në çmimin e produkteve ushqimore, në radhë të parë të atyre të domosdoshme përditë.
Ç’është e vërteta, në këto rrethana, askush nuk e di dhe nuk mund ta vlerësojë konkretisht se me çfarë ngritjes çmimesh dhe me çfarë pasojash reale konsumatorët edhe në vendin tonë mund të përballen në ditët në vazhdim. Por, dihet pak a shumë se ngritja brutale e çmimeve të naftës, siç ka nis, do të ketë efektin ‘domino’, që do të thotë do të ndikojë në ngritje zinxhir çmimesh thuaja në të gjitha mallrat dhe produktet e prodhuara, dhe në ato të tregtuara, sidomos në produktet elementare ushqimore.
Saktësisht, vlerësohet se ngritja e çmimit të naftës dhe paralajmërimet e shumta për ngritje të sërishme të çmimit të energjisë elektrike, do ta kenë ndikimin e pashmangshëm në transport në përgjithsësi, e sidomos në transportin e udhëtarëve dhe të ushqimit, dhe më pastaj ky ndikim do të përfundojë në hapësirat tregtare (markete, supermarket dhe shitore të tjera), pronarë të shumtë të të cilave mezi presin të shfrytëzojnë situata si kjo, për të quar në ‘qiell” edhe më tej çmimet e produkteve të tyre, gjithsesi, duke cenuar ndjeshëm fuqinë edhe ashtu yë brishtë të konsumatorëve. Në këtë mënyrë, nëse do të zgjatë lufta në Lindjen e Mesme, siç kishte ndodhur në rastin e përhapjes së epidemisë COVID19 dhe më pastaj me krizën energjetike dhe atë të çmimeve të nxitur nga lufta në Ukrainë, domosdo do të zgjatë edhe ngritja e çmimeve, edhe keqpërdorimi i tyre nga tregtarët e pandërgjegjshëm dhe në fund do të zgjatë atakimi dhe dëmtimi i konsumatorëve kosovarë, shtresave të varfëra të tyre, në radhë të parë.
Në fakt, tashmë, në njëfarë mënyre, në tregjet e tregtimit dhe të shërbimeve në Kosovë, ka nisë “efekti domino”, ose ngritja zinxhir e çmimeve. Janë ngritur çmimet e shumë produkteve dhe të shërbimeve (janë ngritur çmimet e biletave të autobusëve në relacionet Kosovë-shtetet e Perëndimit) dhe janë shpërfaqë shumë paralajmërime të ngutshme për të ngritur çmime edhe në linja të tjera ndërurbane dhe urbane. Në medie të vendit tash e sa ditë qarkullojnë informacione për rritjen e çmimeve të biletave në disa linja ndërurbane. Për relacionet Prishtinë–Rahovec nga 3.50 euro sa ishte bileta, njoftohet se tash e tutje do të jetë 4 euro, ndërsa për Prishtinë–Mitrovicë, nga 1.50 euro, çmimi tash është 2 euro.
Rritja e çmimeve të derivateve të naftës dhe inputeve të tjera bujqësore, dihet saktësisht që tani se do të ketë ndikimin financiar jo të vogël te bujqit kosovarë. Pas kësaj, do të pasojë edhe ngritja e çmimeve të materialit tjetër riprodhues në sektorin e bujqësisë. Do të shhtrenjtohen plehrat artificiale, pesticidet dhe farërat dhe sigurimi i tyre me çmime të ngritura s’do mend që do të bëhen barrë për të gjithë fermerët e vendit.
Ndërsa konsumatorët e rëndomtë, ata që tashmë kanë prekur pasojat e ngritjes zinxhir dhe të shpejtë të çmimeve pas shtrenjtimit të karburanteve, zëshëm shprehin shqetësimin e tyre: “Një kilogram i domateve ka shkuar në 4 euro e përtej”.
Sipas tyre, po kështu edhe çmimi i specave dhe perimeve të tjera është ngritur në “qiell”. Ndërkohë, siç dihet, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (Indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit) çmimet në shkurt janë rritur 6 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Po në këtë nivel është edhe inflacioni në muajin e kaluar. Sipas ASK-së, në këtë rritje të madhe çmimesh ndikim të ndjeshëm kanë pasur çmimet e ngritura të produkteve ushqimore, çmimi i banesave, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve djegëse të tjera.
Sidoqoftë, ngritja e çmimeve të naftës mbi 30 për qind në këto dy javët e fundit, dhe pasojat e tjera të shumta, në radhë të parë në ngritjen e çmimeve zinxhir të shumë produkteve dhe shërbimeve në vend, edhe këtë radhë nuk e gjeti të gatshme dhe as të përgatitur Qeverinë, zyrtarët e saj dhe të diskastereve të tjera kompetente. Autoritetet e Kosovës, pos vendimit për caktimin e marzhës së fitimit për tregtarët e naftës, të ndërmarrë që në ditët e parafillimit të krizës së çmimeve të naftës (edhe ky vendim thuaja se nuk është respektuar këto ditë, ose është respektuar vetëm simbolikisht), nuk kanë marrë ndonjë masë tjetër për të zbutur pasojat.
Gjithsesi, edhe pse në këto rrethana, nuk ka shumë mundësi për të parandaluar trendin e egër të ngritjes së çmimit të naftës, ka pasur mundësi gjithsesi të veprojë si disa shtete fqinje, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera (Shqipëria ka marrë vendim për uljen e akcizës për 20 për qind, Maqedonia e Veriut, ka marrë vendim që ta ulë TVSH-në nga 18 për qind në 10 për qind për periudhën 2-javore), ka patur mundësi për të bërë diçka, ndoshta edhe për të ulur akcizën dhe TVSH-në për naftën e importuar. Në këtë mënyrë, Kosova mbetet i vetmi vend në rajon pa ndërmarrë ndonjë masë lehtësuese, ose mbetet me masën e vetme të ndërmarrë në këtë krizë çmimesh të naftës, e që është caktimi i marzhës së fitimit për kompanitë që tregtojnë me derivate, e që ka për qëllim parandalimin e mundësisë së abuzimit nga tregtarët. Ndërsa, kriza e naftës do të ketë pasoja të ndjeshme zinxhir, ndoshta edhe sosh të paparashikueshme. Do të ketë, gjithsesi, ngritje çmimesh të reja të produkteve elementare ushqimore, do të ngriten çmimet e shportës, të shumë produkteve të tjera dhe të shërbimeve. Do të ketë padiskutueshëm pasoja negative në inflacion dhe në rritjen e gjithëmbarshme ekonomike të vendit në të ardhmen. /Buletini Ekonomik/









