Investimi i taksës mjedisore në termoizolimin e ndërtesave kolektive jo vetëm që ofron rritje të efiçiencës por edhe është një mundësi e artë për uljen e importit të energjisë elektrike, shtimin e punësimit dhe mbi te gjitha përmisimin e shëndetit publik dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Agron Demi
Kosova ka një problem të madh që shihet e përjetohet nga të gjithë, por që askush nuk po e trajton me seriozitetin e duhur: ndërtesat tona janë konsumueset dhe humbset më të mëdha energjetike të vendit. Ato konsumojnë energji në mënyrë jo-efiçiente, rrisin varësinë nga importi i energjisë elektrike, ndotin ajrin që thithim, dhe na mbajnë të varur nga qymyri, i cili pastaj krijon një rreth vicioz me më shumë ndotje e më shumë konsum jo efiçient. Ndërkohë, taksa mjedisore që mblidhet çdo vit përfundon në buxhetin e përgjithshëm të shtetit, pa asnjë lidhje me mjedisin.
Ky shkrim argumenton se investimi i të gjitha të hyrave nga taksa mjedisore në izolimin e ndërtesave, shtëpive, bizneseve dhe institucioneve publike, do të ishte një nga vendimet më të mira ekonomike që mund të merrej sot në Kosovë.
Ndërtesat përbëjnë mbi 50% të konsumit të energjisë finale në Kosovë, ku pjesa më e madhe shkon për ngrohje të hapësirave. Sipas BERZH-it (EBRD), potenciali për kursim energjetik në këtë sektor është i jashtëzakonshëm: rreth 40–60% e energjisë që përdoret në ndërtesa mund të kursehej nëse ndërtesat do të izoloheshin dhe pajiseshin me sisteme efiçiente.
Studimi i Bankës Botërore për projektin KEEREP (Kosovo Energy Efficiency and Reneëable Energy Project) tregon se në vitin 2010, sektori i ndërtesave përbënte 48% të konsumit total të energjisë në Kosovë. Shumica e ndërtesave ishin të pa-izoluara dhe jo-efiçiente, duke shkaktuar humbje të mëdha energjetike. Ndërtesat publike qendrore kishin potencial kursimi mbi 40%, ndërsa për disa ndërtesa potenciali arrinte deri në 62%.
Këto nuk janë ndërtesa të vjetra të disa shekujve, janë ndërtesa të ndërtuara kryesisht nga vitet 1951 deri në 1980, pa asnjë izolim termik. Një studim i disa profesorëve të Universitetit të Prishtinës ka gjetur se për ndërtesat kolektive të ndërtuara në këtë periudhë, humbjet e nxehtësisë përmes mureve janë 3.66 herë më të larta se standardet e sotme të Rregullores për kërkesat minimale të performancës energjetike në ndërtesa. Humbjet përmes dritareve janë 1.87 herë më të larta, ndërsa ato përmes çatisë janë 1.70 herë më të larta. Stoku total i ndërtesave kolektive (shumë-familjare) në Kosovë përfshin 2,939 ndërtesa me 40,886 njësi banimi dhe sipërfaqe totale të banimit prej 2,125,776 m².
Profili energjetik i Kosovës, i publikuar në shkurt 2026 nga projekti ODYSSEE-MURE i bashkë-financuar nga BE-ja, konfirmon se sektori rezidencial mbetet konsumatori më i madh i energjisë në Kosovë. Ndërkohë, kërkesa për ngrohje të hapësirave ka një trend në rritje, duke arritur nivelin më të lartë në vitin 2023.
Kosova prodhon mbi 90% të energjisë elektrike nga qymyri i lignitit, kryesisht nga dy termocentralet e vjetërsuara Kosova A dhe Kosova B. Sipas OECD-së, intensiteti i karbonit në Kosovë është ndër më të lartët në Ballkanin Perëndimor dhe rreth katër herë më i lartë se mesatarja e BE-së. Kur kërkesa për energji rritet, siç ndodh në dimër për shkak të ngrohjes së ndërtesave të paizoluara, Kosova detyrohet të importojë energji elektrike me çmime të larta ndërkombëtare. Në prill 2025, Zyra Rregullatore e Energjisë (ZRRE) njoftoi rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 16.1% si pasojë e rritjes së importeve.
Djegia e lëndëve fosile për ngrohje është shkaku kryesor i përqendrimit të lartë të PM2.5, një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve respiratore dhe vdekjeve të parakohshme. Sipas Bankës Botërore, çdo vit në Kosovë regjistrohen përafërsisht 835 vdekje, 310 raste të reja të bronkitit kronik, 22,900 raste të reja të sëmundjeve respiratore te fëmijët dhe humbje ekonomike prej rreth 100 milionë eurosh në vit që lidhen me ndotjen nga termocentralet.
Ndërkohë, Barometri i Gjelbër (2025), i publikuar nga Instituti Atlas, tregon se nga 38 komunat e Kosovës, vetëm gjashtë komuna ndajnë buxhet të veçantë për mbrojtjen e mjedisit dhe po ashtu vetëm gjashtë komuna ndajnë buxhet për efiçiencë të energjisë. Shumica e komunave nuk kanë as zyra funksionale për energji, vetëm shtatë komuna kanë të tilla.
Në anën tjetër, sipas ASK, shteti mbledh mbi 377 milionë euro në emër të taksës mjedisore, por investon në mjedis vetëm 7 milionë, ose më pak se 2% të shumës së grumbulluar.
Le të supozojmë se Qeveria e Kosovës vendos të investojë të gjitha të hyrat nga taksa mjedisore, rreth 370 milionë euro në vit, ekskluzivisht në izolimin e ndërtesave, në pajisje efiçiente të ngrohjes e ftohjes dhe në përmirësimin energjetik të shtëpive, bizneseve dhe institucioneve publike. Çfarë do të ndodhte?
Bazuar në të dhënat e projektit KEEREP të Bankës Botërore, çdo milion euro e investuar në renovim energjetik gjeneron rreth 24 vite-pune të drejtpërdrejta. Kjo do të thotë se një program investimesh prej rreth 377 milionë euro në vit do të krijonte afërsisht 9.000 vite-pune të drejtpërdrejta çdo vit për punëtorë ndërtimi, inxhinierë, arkitektë dhe menaxherë projektesh.
Kur përfshihen edhe vendet e punës tërthorazi në zinxhirin e furnizimit, numri i përgjithshëm do të arrinte rreth 11.700 vite-pune në vit. Raporti i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë për vitin 2024 tregon se edhe një investim shumë më i vogël, prej vetëm 17 milionë eurosh në sektorin rezidencial, mobilizoi 1,572 kompani nga Kosova, duke treguar se një program në shkallë kombëtare do të mund të angazhonte dhjetëra mijëra punëtorë në sektorin e ndërtimit dhe industrive të lidhura me të.
Efekti në kursimin e energjisë do të ishte po aq i madh. Përvoja e projekteve ekzistuese tregon se për çdo milion euro të investuar në renovim energjetik mund të kursehen mesatarisht rreth 2.773 MËh energji në vit. Një program prej 377 milionë eurosh do të prodhonte rreth 1 TËh kursime energjetike çdo vit. Këto kursime akumulohen për 20–30 vjet, sa është jetëgjatësia e investimeve në izolim dhe sisteme të reja të ngrohjes. Duke pasur parasysh se konsumi total i energjisë elektrike në Kosovë është rreth 5–6 TËh në vit, brenda pak vitesh një program i tillë do të mund të ulte kërkesën kombëtare për energji deri në 20–30 për qind.
Një reduktim i tillë do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë edhe në importet e energjisë. Studimet e Bankës Botërore kanë treguar se një ulje prej rreth 11% në konsumin e energjisë mund të çojë në gati 45 për qind reduktim të importeve të energjisë elektrike. Nëse kursimet vjetore arrijnë rreth 1 TËh, brenda pak vitesh Kosova mund të eliminonte pothuajse plotësisht varësinë nga importet. Në të njëjtën kohë, çdo megavat-orë e kursyer përmes efiçiencës është një megavat-orë më pak që duhet të prodhohet nga qymyri, duke ulur presionin mbi termocentralet e vjetra Kosova A dhe Kosova B dhe duke e bërë më të lehtë mbylljen graduale të kapaciteteve më ndotëse.
Megjithatë, studimi i Bankës Botërore tregon edhe një sfidë strukturore: për çdo euro të shpenzuar në renovim energjetik, vetëm rreth 25 cent mbeten në ekonominë vendore, ndërsa pjesa tjetër shkon për importe materialesh nga jashtë. Kjo do të thotë se një program i madh investimesh do të kërkonte paralelisht zhvillimin e prodhimit vendor të materialeve izoluese dhe teknologjive të efiçiencës energjetike. Përndryshe, një pjesë e madhe e investimeve do të vazhdonte të rrjedhte jashtë ekonomisë së Kosovës.
Nëse Kosova do të dedikonte vetëm të hyrat e taksës mjedisore për një program kombëtar të izolimit, brenda 10 viteve do të investoheshin mbi tre miliardë euro.
Kosova ndodhet në një udhëkryq kritik. Nga njëra anë, BE-ja kërkon që që nga viti 2024 të renovohen së paku 3% e sipërfaqes së përgjithshme të ndërtesave publike çdo vit. Nga ana tjetër, mekanizmi CBAM i BE-së do të vendosë taksë për importet e produkteve me intensitet të lartë të karbonit, duke e bërë edhe më të kushtueshme varësinë nga qymyri.
Zgjidhja është e thjeshtë, le ta kthejmë taksën mjedisore aty ku i takon, në mjedis. Le të krijojmë një fond të dedikuar për efiçiencë energjetike, i mbushur nga taksa ekologjike e automjeteve, i menaxhuar me transparencë dhe i orientuar ekskluzivisht në izolimin e ndërtesave, instalimin e pajisjeve efiçiente dhe trajnimin e punëtorëve.
Ndërtesat tona janë vendi ku fëmijët tanë mësojnë, ku bizneset tona operojnë, ku shëndeti ynë përcaktohet. Të izolosh një ndërtesë në Kosovë nuk është vetëm veprim teknik, është veprim për mirëqenien e qytetarëve, për pavarësinë energjetike, për shëndetin e fëmijëve tanë dhe për të ardhmen e vendit.
Paratë ekzistojnë. Nevojat ekzistojnë. Përvoja ekziston. Kërkohet vetëm vullneti politik.








