Dështon shmangia procedurale për Projektligjin për energjinë elektrike

Kuvendi i Kosovës

Për herë të tretë nuk ka kaluar në Kuvend projektligji për energji elektrike, pasi nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme për procedim me shmangie të procedurës, duke u kundërshtuar nga partitë opozitare.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, theksoi se kjo parti nuk do ta mbështesë projektligjin në këtë formë, duke rikujtuar qëndrimin e njëjtë edhe në të kaluarën. Ai pretendoi se me këtë ligj do të hapej rruga për monopol, tendera të negociuar dhe humbje të milionave.

Reklama e sponzorizuar

“Nuk do të miratojmë shmangie për këtë projektligj. Ky ka qenë qëndrim i yni edhe në seancën tjetër që është paraqitur ky projektligj…Konsultimet publike për këtë ligj janë bërë para një viti”- deklaroi ai.

Edhe deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, kundërshtoi procedimin, duke theksuar ndikimin që mund të ketë ligji.

“Ndikojnë në sigurinë energjetike por edhe ndërkombëtare. Ne nuk e procedojmë shmangien për këtë ligj”-tha ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se do të votojnë kundër për shkak se çdo projektligj po e sjellin jashtë procedurave.

“Grupi parlamentar i LVV-së nuk mund të sjellë shmangie sepse ne do të detyrohemi të kemi tash qëndrim politik. Sado që kemi pakënaqësi në përmbajtje… Qëndrimi ynë është edhe politik kur e dimë që edhe për pak orë do të përfundojë afati kohor për president…Është vetëm humbje kohe”- u shpreh Tahiri.

Nga ana tjetër, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kritikoi opozitën për qëndrimin e saj, duke paralajmëruar pasoja financiare.

“E falënderoj deputetin Besnik Tahiri që e tha të vërtetën se pse nuk po e votojnë. Por dijeni që do ia humbni shtetit 9 milionë euro”- deklaroi ajo.