Kriza e naftës dhe të gjitha pasojat e saj “këmbëkryq” edhe në Kosovë

Shtetet e varfëra, siç është Kosova, do ta kenë më të vështirë përballimin e pasojave të krizës së çmimeve të naftës për shkak të mungesës së parasë, mospasjes së mundësive financiare për të ndërhyrë në stopimin e trendit të rritjes së çmimeve zinxhir, për shkak të mungesës së ushqimeve dhe importeve të kushtëzuara të produkteve edhe ushqimore, e kështu me radhë. Në Kosovë, në këto ditë krize, vështirë se mund të frenojë ndokush ngritjen enorme dhe në shumë raste të egër të çmimeve të shumicës së produkteve, e sidomos të atyre të domosdoshme për mbijetesë.

Mehmet GJATA

Kriza globale e naftës e paralajmëruar shumë kohë më parë nga subjekte të ndryshme kompetente botërore (banka, asociacione ekonomike, ekspertë e analistë) tashmë e sa ditë, më saktësisht qëkur ka nisur lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë dhe të shpërfaqë tërë ashpërsinë e saj në prodhimin e pasojave të panumërta në mbarë globin. Shumë ekspertë të ekonomisë dhe dijetarë të tjerë, madje duke i vlerësuar pasojat brutale të krizës aktuale të naftës, që vlerësohet se do të zgjasin sikundër do të zgjatë kriza e naftës, mendojnë se përmasat e krizës, praktikisht do ta ndryshojnë botën të cilën e njohim dhe e kemi njohur deri më tash.

Reklama e sponzorizuar

Kriza e naftës është e ashpër, brutale dhe si e tillë është pashmangshëm prodhuese e problemeve të shumta të ndërlikuara, të pasuara zinxhir pas ngritjes enorme të çmimeve të naftës këtyre ditëve. Përmasat e krizës aktuale të naftës kanë tejkaluar ndjeshëm pasojat që kishte shkaktuar kriza e ndodhur në periudhën 2002 – 2008, kur çmimet e naftës mbërritën te afërsisht 150 dollarë për një barel nafte. Në këtë periudhë (2002-2008), “petrodollari” praktikisht e kishte arritur majën e fuqisë së parasë si rrjedhojë e çmimeve enorme të naftës. Kriza aktuale ka përmasa shumë më të mëdha dhe më të frikshme se ajo e viteve 2002-2008, por edhe shumë më e ashpër se krizat e shkaktuara nga ngritja e çmimeve e 2022-shit, e shkaktuar nga nisja e agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe të krizave të tjera afatshkurta të deritashme.

Kriza aktuale ka përfshirë shumicën absolute të shteteve të botës, dhe pasojat e krizës janë më shumë të shpërfaqura në shtetet e varfëra dhe ato në zhvillim, ndërsa këto pasoja, gjithsesi, do të shtohen dhe do të jenë më të rënda në muajt në vazhdim, nëse zgjatë lufta në Lindjen e Mesme.

Ekspertët madje parashohin se edhe rikuperimi i pasojave do të jetë shumë i gjatë, edhe nëse lufta përmbyllet së shpejti. Shtetet e varfëra, siç është Kosova, do ta kenë më vështirë, për shkak të mungesës së parasë, mospasjes së mundësive financiare për të ndërhyrë në stopimin e trendit të rritjes së çmimeve zinxhir, për shkak të mungesës së ushqimeve dhe importeve të kushtëzuara të produkteve ushqimore, e kështu me radhë. Në Kosovë, në këto ditë krize, vështirë se mund të frenojë ndokush ngritjen enorme dhe në shumë raste të egër të çmimeve të shumicës së produkteve, e sidomos të atyre të domosdoshme për mbijetesë. Ndaljen e rritjes zinxhir të çmimeve në këto ditë krize, siç parashikojnë njohës të zhvillimeve ekonomike, nuk mund ta bëjë as Ligji për çmimet tavan, i miratuar nga Qeveria dhe që pritet të miratohet edhe në Kuvend.

Ndërkohë, ulja e TVSH dhe e akcizës, e kërkuar nga shumë eksponentë, sidomos nga ata nga radhët e subjekteve opozitare, është shpallur hë për hë thuaja e papranueshme nga Qeveria edhe pse në shumë vende të botës kanë ulur akcizën dhe TVSH-në.

Më saktësisht, edhe në Kosovë rritja e çmimit të naftës, e shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme, vazhdon ta ketë efektin e pandalshëm zinxhir në treg, duke ngritur në qiell çmimet e shumë produkteve bujqësore, kryesisht të importuara. Prandaj, që tani në tregun e vendit, kanë zënë të tejkalohen dhe të thyhen rekorde të çmimeve të shumë produkteve, sidomos të atyre ushqimore të importuara.

Një kilogram i rrushit të bardhë nuk ka bërë vaki të kushtojë edhe në këtë periudhë 6,99 euro, siç kushtone të hënën në marketet e njërës nga kompanitë e mëdha të tregtrare të Kosovës. Nuk ka ndodhur në këtë periudhë që çmimi i një kilogrami të specave të shkojë në 6 euro dhe i domateve në mbi 4 euro.

Cka mund dhe çka duhet të bëjnë kosovarët në këtë kohë krize? Domosdo, institucionet duhet të shohin përvojat e mira të shteteteve të botës në zbutjen e krizës dhe të aplikojnë ato te ne. Të frenojnë sa të jetë e mundur shfrenimin e egër të çmimeve dhe keqpërdorimin brutal nga tregtarët të situatës. Hap i rëndësishëm dhe i mundshëm nga autoritetet zyrtare do të ishte nxitja e efektshme e prodhimit bujqësor në arat dhe kopshtijet e bujqëve të vendit. Këtë mund ta bëjë Qeveria nëpërmjet përkrahjes financiare të efektshme dhe të drejtë të fermerëve të ndershëm, t’i ndihmojë ata me para për të siguruar naftën në sasi të nevojshme dhe të repromaterialeve të domosdoshme për të mbjellë kultura bujqësore që do të siguronin më shumë ushqim për vendin. Ndërkohë, kosovarët duhet t’u përshtaten konditave të krizës së çmimeve, të racionalizojnë jetën sa më shumë që është e mundshme, të kursejnë më shumë, të redujktojnë logjikshëmn përdorimin e veturave dhe konsumimin koti të karburanteve dhe të bashkëjetojnë si gjithë bota me këtë krizë, që ka gjasë, të mos i shihet fundi. /Buletini Ekonomik/