Oda Ekonomike Amerikane shpreh shqetësim për krizën politike dhe ndikimin në reforma: Bartin kosto të lartë ekonomike

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë -OEAK

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur “me brishtësinë e vazhdueshme institucionale në vend”, përkatësisht krizën politike dhe mungesëna e vullnetit të partive politike për arritjen e konsensusit për çështjet e rëndësisë shtetërore.

Në reagimin e Odës thuhet se pas pothuajse një viti të plotë të reformave të ndalura në vitin 2025, ekziston rreziku real që edhe viti 2026 mund të jetë një vit i progresit të kufizuar në aspektin e reformave, duke theksuar se vonesat e tilla nuk janë vetëm procedurale, por bartin edhe kosto të lartë ekonomike, shkruan Reporteri.net.

“Qeverisja e dobët ekonomike, e kombinuar me pasigurinë politike, minon momentumin e reformave, vonon transformimin strukturor dhe dobëson besimin e investitorëve. Kosova nuk mund të përballojë vazhdimin e një ngërçi institucional, derisa përballet me sfida të brendshme e me pasoja nga ndikimet e jashtme”, thuhet në reagim.

Reklama e sponzorizuar

Oda ka shprehur shqetësim edhe “lidhur me mungesën e konsideratës nga ana e Qeverisë” për të rishikuar regjimin fiskal për karburantet, veçanërisht në dritën e krizës aktuale në Lindjen e Mesme dhe ndikimit të saj në furnizimin dhe çmimet globale të energjisë.

Aty thuhet se në disa shtete anëtare dhe joanëtare të Bashkimit Evropian, qeveritë kanë ndërmarrë masa për të zbutur efektet e goditjeve të jashtme.

“Mungesa e rishikimeve të ngjashme të politikave në Kosovë rrezikon të rrisë presionin e kostove mbi bizneset, të dëmtojë aftësinë konkurruese, si dhe të rris barrën e konsumatorëve”.

Përmendet edhe raporti i FMN’së për ngadalësimin e rritjes ekonomike.

“Derisa këto shqetësime pasqyrojnë ekspozimin e drejtpërdrejtë të sektorit privat ndaj presioneve ekonomike, raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën thekson se pasiguria politike tashmë ka ngadalësuar rritjen në 3.6 për qind në vitin 2025, ka rritur inflacionin dhe ka dobësuar pozicionin e jashtëm të Kosovës për shkak të rritjes së importeve të energjisë dhe ushqimit, ndërkohë që rreziqet mbeten të orientuara kah përkeqësimi në një kontekst paqëndrueshmërie dhe lëvizje të vazhdueshme të çmimeve në nivel global. FMN thekson po ashtu se bllokada njëvjeçare politike ka vonuar reformat thelbësore dhe ka penguar progresin drejt përafrimit me BE-në”, thuhet në reagim.