Ekonomisti Edison Jakurti ka ngritur shqetësime lidhur me rënien e numrit të përfituesve nga skema e ndihmës sociale në Kosovë gjatë pesë viteve të fundit, duke vënë në pikëpyetje nëse kjo reflekton përmirësim real ekonomik apo zvogëlim të mbështetjes për shtresat në nevojë.
Duke iu referuar të dhënave të Agjencia e Statistikave të Kosovës, Jakurti thekson se në shkurt të vitit 2021 nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 26,120 familje me gjithsej 104,780 anëtarë. Ndërkaq, në shkurt të vitit 2026, numri i përfituesve ka rënë në 15,872 familje me 61,024 anëtarë.
Sipas tij, kjo paraqet një rënie prej 10,248 familjesh (39%) dhe 43,756 individësh (42%) brenda pesë viteve. Jakurti vlerëson se kjo tendencë mund të shpjegohet nga disa faktorë, përfshirë përmirësimin e mundshëm të gjendjes ekonomike, ndryshimet në kriteret e përfitimit, përjashtimin e familjeve që realisht kanë nevojë, apo edhe emigrimin.
Ai gjithashtu vë në diskutim argumentin se ulja e përfituesve është rezultat i largimit të abuzuesve nga skema, duke pyetur nëse kjo nënkupton se mbi 10 mijë familje kanë qenë abuzuese.
Në fund, Jakurti shtron një pyetje thelbësore për politikëbërësit: a ka më pak varfëri në Kosovë, apo thjesht më pak mbështetje për të varfërit? Sipas tij, mirëqenia e një shoqërie nuk matet me numrin më të ulët të përfituesve nga skemat sociale, por me aftësinë për të mbështetur ata që kanë më shumë nevojë. /Buletini Ekonomik/









