Fermerët kundër vendimit për uljen e çmimit të qumështit të papërpunuar: Rrezikohet prodhimi vendor

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka reaguar ndaj vendimit për zbritjen e çmimit të qumështit të papërpunuar nga fermat vendore, duke paralajmëruar pasoja të rënda për sektorin e prodhimit të qumështit.

Sipas tyre, ditëve të fundit janë informuar se është planifikuar zbritje e çmimit, e cila nga sot ka filluar të zbatohet në mënyrë retroaktive nga data 01.05.2026. Zbritja, sipas njoftimit, pritet të arrijë deri në 25%, me arsyetimin e “tejkalimit të krizës”.

Shoqata e konsideron këtë vendim të marrë pa pëlqimin dhe miratimin e fermerëve, duke e cilësuar atë në kundërshtim me rritjen e kostove të prodhimit, veçanërisht për shkak të shtrenjtimit të lëndës djegëse dhe kushteve aktuale në industri.

Reklama e sponzorizuar

Në reagim thuhet se zbritja e çmimit nuk e zgjidh krizën e mundshme në sektor, por përkundrazi mund të rrezikojë prodhimin primar dhe të çojë drejt kolapsit të fermave vendore. Ata gjithashtu kërkojnë që përpunuesit vendorë të heqin dorë nga kjo masë.

Shoqata propozon që, në vend të uljes së çmimit të qumështit, të ndalet përdorimi i vajit të palmës, qumështit pluhur dhe qumështit të kondensuar, duke kërkuar ndalimin e importit të këtyre produkteve.

Sipas tyre, ndalimi i vajit të palmës do të ndihmonte në zbrazjen e stokove, do të rritte sigurinë e produkteve të qumështit dhe do të forconte industrinë vendore.

Në fund, Shoqata e Qumështoreve të Kosovës thekson se fermerët nuk duhet të ndëshkohen dhe se “Kosova meriton më shumë dhe më mirë”. /Buletini Ekonomik/