Kosovarët më shumë preferojnë banesat sesa shtëpitë

Fotografi ilustruese

Preferencat për të pasur banesë para shtëpisë janë rrjedhojë, në radhë të parë, e jetës më të lehtë në banesë sesa në një shtëpi banimi. Ato janë edhe rrjedhojë e mirëmbajtjes shumë më pak të kushtueshme të një banese sesa të një shtëpie etj. Ndërsa, nuk shihet si arsye në asnjë rast çmimi i një banese karshi çmimit të një shtëpie. Sipas të dhënave të disa agjencive imobiliare, madje, një metër katror i një banese në shumë qendra komunale të Kosovës, por edhe në kryeqytet, në shumë raste kushton më shumë se një metër katror i një shtëpie.

Buletini Ekonomik

Kosovarët në përgjithësi dhe kryeqytetasit në veçanti, tani dhe prej sa kohësh, kanë shumë më tepër preferenca për ta blerë dhe për ta pasur në pronësi personale dhe për nevojat familjare një banesë sesa një shtëpi. Zyrtarë të disa agjencive të paluajtshmërive në kryeqytet i kanë thënë Buletinit Ekonomik se “kanë ndërruar kohët” dhe ka disa vjet që shumica absolute e qytetarëve në mbarë vendin, dhe sidomos në Prishtinë dhe në qendrat komunale në afërsi të drejtpërdrejtë me kryeqytetin, preferojnë të kenë banesë (apartament në ndërtesat kolektive) para shtëpive. Vite më parë ishte e kundërta. Qytetarët kërkonin më shumë blerjen e një shtëpie sesa të një banese, ndërsa tani kërkesat për të siguruar kulmin mbi kokë janë absolutisht në anën e banesave.

Reklama e sponzorizuar

Në kohët e fundit, vërehet edhe ndryshimi te blerësit i kërkesave për vendndodhjen e banesave. Më parë dhe deri vonë, pa diskutim preferohej absolutisht më shumë qendra dhe banesat fare pranë qendrës së qyteteve, ndërsa tani kërkesat janë shumë më të mëdha për banesat në lagjet mesatarisht të largëta nga qendra, por edhe në lagjet periferike, madje fare periferike të qyteteve. Në Prishtinë, bie fjala, sipas agjencive të patundshmërive, interesimi është shtuar për të pasur banesë në rrugët B dhe C, në Mati 1, në pjesën e re të kryeqytetit. Shkaqet e preferencave për të siguruar banesë në lagjet periferike, njohësit e zhvillimeve në sektorin e ndërtimit në vend i shohin te çmimet ndjeshëm më të ulëta sesa në qendër, por edhe te qetësia që ofrohet në banesat në shumë lagje të periferisë. Por, një nga arsyet goxha vendimtare për të pasur banesë në lagjet e sipërpërmendura nga shumë blerës, sidomos nga ata që blejnë banesë të dytë apo edhe të tretë, është se ambientet e banimit nuk i shohin vetëm si një vend për të jetuar, por edhe si një mënyrë për të siguruar të ardhura të qëndrueshme përmes qirasë.

Sipas analizave jo edhe aq të thelluara të agjencive imobiliare, zonat periferike të Prishtinës po rezultojnë gjithnjë e më të favorshme për investitorët që kërkojnë fitim nga qiraja. Arsyeja kryesore lidhet me faktin se çmimet e blerjes janë më të ulëta krahasuar me zonat fare pranë qendrës së qytetit, ndërsa kërkesa për qira mbetet goxha e leverdishme për shkak të rritjes së popullsisë në qendrat komunale, dhe sidomos në kryeqytet.

Ndërkohë, po sipas disa analizave, gjithsesi jo edhe aq komplekse, të agjencive më serioze të paluajtshmërive në Kosovë, preferencat për të pasur banesë para shtëpisë janë rrjedhojë, në radhë të parë, e jetës më të lehtë në banesë sesa në një shtëpi banimi. Ato janë edhe rrjedhojë e mirëmbajtjes shumë më të lehtë të një banese sesa të një shtëpie dhe e kostos shumë më të ulët të mirëmbajtjes së banesës, të ngrohjes ose, gjatë stinës së verës, të freskimit të banesës, shumë më pak të kushtueshme sesa të një shtëpie banimi etj. Ndërsa, nuk shihet si arsye në asnjë rast çmimi i një banese karshi çmimit të një shtëpie. Sipas të dhënave të disa agjencive imobiliare, madje, një metër katror i një banese në shumë qendra komunale të Kosovës, por edhe në kryeqytet, në shumë raste kushton më shumë se një metër katror i një shtëpie. Po kështu, një banesë komode dhe me hapësirë të mjaftueshme akomodimi për një familje mesatare ka disa vite që kushton më shumë se një shtëpi pak a shumë me sipërfaqe të njëjtë banimi, por edhe me disa metra katrorë oborr.

Ky është trendi aktual i preferencave të kosovarëve për të siguruar kulmin mbi kokë, por edhe banesa për qëllime komerciale. Sa do të vazhdojë ky trend mbetet të shihet./Buletini Ekonomik/