Modernizimi i bllokut B1 do të zgjasë deri në fund të vitit, ndërsa remonti i B2-shit 30 ditë

Termocentrali 'Kosova B'

Shumë i rëndësishëm në procesin e modernizimit të B1 do të jetë edhe instalimi i elektrofiltrit, projekt i paraparë që nga viti 2019 dhe që u shty disa herë, edhe pse për këtë ndërmarrje të rëndësishme investive, mjetet financiare i ka zotuar që atëherë BE-ja. Ka nisur edhe zbatimi i remontit të rregullt vjetor 30-ditor i njësisë B2 në Termocentralin Kosova B. Kosova aktualisht ka mbi 520 megavatë/orë mungesë të rrymës nga kapacitetet vetanake.

Mehmet GJATA

KEK-u të hënën, nëpërmjet një komunikate, ka njoftuar se “njësia B1 e termocentralit Kosova B i është nënshtruar projekteve madhore të modernizimit, përfshirë instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx, të cilat kanë filluar në muajin prill dhe pritet të përfundojnë në fillim të muajit dhjetor”.

Reklama e sponzorizuar

Sipas KEK-ut, “pas përfundimit të këtyre investimeve, pritet të rritet ndjeshëm siguria e operimeve, të zgjatet jetëgjatësia e njësisë për rreth 20 vite dhe, mbi të gjitha, të sigurohet funksionimi në përputhje me standardet më të larta të Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së mjedisit”.

Muajin prill, kur më në fund ka nisur riparimi i detajuar për modernizimin e bllokut B1, e kishte paralajmëruar që në nëntor të vitit të kaluar ministrja në detyrë Artane Rizvanolli, pas prolongimit të nisjes së zbatimit të këtij projekti madhor, i paraparë që të nisë me të përfunduar projekti i rehabilitimit në bllokun B2.

Ndërsa, dihet se modernizimi i bllokut B2 të termocentraleve Kosova B ka zgjatur diku rreth 6 muaj dhe ka përfunduar saktësisht në fund të tetorit, për t’u kthyer në procesin e prodhimit në nëntor të 2025-ës. Në fakt, sipas parashikimeve dhe planit paraprak të bërë që në nisje të negocimit të projektit (gjatë periudhës 2022/23), por edhe në vitet në vazhdim, rehabilitimi i bllokut B1 është paraparë të nisë me të përfunduar projekti i rehabilitimit në bllokun B2.

Ministrja në detyrë në nëntor të vitit të shkuar nuk e bëri publik asnjë arsye apo shkak pse po shtyhet remonti për modernizimin e B1, përkundër faktit se me dhjetëra herë është thënë se nisja e rehabilitimit të bllokut do të bëhet me t’u përmbyllur projekti i modernizimit të turbinës në B2.

Ndër punonjës të KEK-ut, por edhe në publik, praktikisht ka mbetur e paqartë shkaku i shtyrjes së rehabilitimit më të detajuar të këtij blloku, sado që përflitej se kjo është bërë për shkak të gjendjes së rënduar elektroenergjetike në vend dhe me qëllim që gjatë dimrit sistemi elektroenergjetik i vendit të ketë plus 260 megavatë/orë energji elektrike aq të nevojshme për vendin.

Edhe në komunikatën e KEK-ut nuk jepen detaje se çfarë punësh do të bëhen në këtë periudhë 8-9 mujore të rehabilitimit të B1, nuk sqarohet në të cilat stabilimente do të ndërhyhet më shumë dhe më detajisht.

Ndërkohë, burime të Buletinit Ekonomik në KEK kanë njoftuar se në këtë remont të detajuar, primare do të jetë modernizimi i turbinës (zemra e sistemit të prodhimit) edhe në këtë bllok.

Kjo punë remontuese nënkupton ndërrimin e zbarave të gjeneratorit elektrik, për rritje të stabilitetit të tensionit dhe efikasitetit, riparimin e ndërprerësit elektrik, që siguron mbrojtje maksimale të rrjetit, ndërrimin e ekonomajzerit, për përmirësim të procesit të ngrohjes së avullit, riparimin e kanalit të gazrave, për optimizim të qarkullimit dhe mbajtjen e parametrave të punës.

Në projektin e modernizimit të B1-shit, po kështu, parashihet të bëhet ndërrimi i mbi 4 mijë gypave në kondenzator, për efikasitet më të lartë termik, si dhe ndërrimi i pjesshëm i varëseve, që rrisin sigurinë strukturore dhe qëndrueshmërinë e sistemit.

Shumë i rëndësishëm në procesin e modernizimit të B1 do të jetë edhe instalimi i elektrofiltrit, projekt i paraparë që nga viti 2019 dhe që u shty disa herë, edhe pse për këtë ndërmarrje të rëndësishme investive, mjetet financiare i ka zotuar që atëherë BE-ja.

Projekti i vendosjes së elektrofiltrave është paraparë të bëhet në të dy blloqet e termocentraleve Kosova B. Siç u tha, projekti i vendosjes së elektrofiltrave është inicuar shumë vjet më përpara, ndërsa më 2019 nga BE-ja janë zotuar edhe mjetet e nevojshme për këtë projekt.

Por, për shkaqe asnjëherë të sqaruara nga KEK dhe nga zyrtarët e vendit, projekti i vendosjes së elektrofiltrave në Kosova B është shtyrë nga viti në vit.

Është e kuptueshme se në periudhën e modernizimit të bllokut B1 të termocentraleve Kosova B do ta rëndojë situatën elektroenergjetike në vend, për shkak se deri në fund të vitit, praktikisht sistemit elektroenergjetik të vendit do t’i mungojnë saktësisht 260 megavatë/orë të energjisë elektrike të prodhuar nga B1.

Aktualisht, situatën elektroenergjetike e bën më të keqësuar edhe nisja e remontit të rregullt vjetor 30-ditor i njësisë B2 në Termocentralin Kosova B.

Korporata Energjetike e Kosovës, po kështu, nëpërmjet komunikatës ka njoftuar se ka filluar “zbatimi i remontit të rregullt vjetor 30-ditor i njësisë B2 në Termocentralin Kosova B”.

“Ky proces është pjesë e planifikimit të rregullt operativ dhe ka për qëllim mirëmbajtjen teknike, rritjen e sigurisë në operim dhe garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të njësisë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Në këtë mënyrë, për një muaj, ose 30 ditë sa do të zgjasë ky remont në B2-shin, Kosova do të ketë diku mbi 520 megavatë/orë mungesë të energjisë së prodhuar nga kapacitetet vendore.

Ndërsa në prodhim aktualisht gjenden vetëm dy blloqe të Kosovës A (rreth 260 megavatë/orë gjithsej).

Mungesa e energjisë në muajt derisa të vazhdojë modernizimi i B1 dhe remonti 30-ditor në B2, detyrimisht do të kompensohet nga energjia elektrike e importuar. /Buletini Ekonomik/