Një përvojë e mirë nga Shqipëria: 1 pemë për 30 metër katror ndërtim, detyrime të ndërtimtarëve

Nga mbjellja e detyrueshme e disa drunjve (qofshin edhe dhjetëra e më shumë sosh) nga ndërtimtarët në zonat e ndërtimit, dobia do të ishte e shumëfishtë. Në zona të panumërta ndërtimi në Prishtinë dhe në qendrat e tjera komunale do të shtoheshin drunjtë, do të shtohej gjelbrimi në secilën qendër komunale të Kosovës.

Buletini Ekonomik

Në një nga mbledhjet e mbajtura ditë më parë Qeveria e Shqipërisë, siç raportojnë mediet shqiptare, ka miratuar krijimin, funksionimin dhe administrimin e fondit të gjelbër të pemëve, në kuadër të zhvillimit të territorit e të hapësirave publike. Sipas vendimit qëllimi i tij është garantimi i integrimit të elementeve të gjelbërimit në zhvillimin e territorit, rritja e sipërfaqeve të gjelbëruara në vend dhe përmirësimi i cilësisë së jetës dhe i hapësirave publike.

Reklama e sponzorizuar

Një nga pikat e rëndësishme të këtij vendimi është edhe përcaktimi i detyrimit për të mbjellë pemë për të gjitha kompanitë e subjektet që përfitojnë leje ndërtimi.

Kështu është bërë e detyrueshme që çdo subjekt zhvillues, që pajiset me leje ndërtimi duhet të mbjellë:
– 1 pemë për çdo 30 m² sipërfaqe ndërtimi, por në çdo rast, jo më pak se 20 pemë për kat ndërtimi për të gjitha objektet rezidenciale dhe turistike, por jo më shumë se 500 pemë për çdo leje ndërtimi;
– 10 pemë për çdo vilë apo shtëpi individuale banimi;
– 10 pemë për magazinat bujqësore dhe industriale;
– Për centralet e prodhimit të energjisë, 10 pemë për megavat, por jo më shumë se 500 pemë për çdo leje ndërtimi.

Ngarkohen Agjencia e Zhvillimit të Territorit, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim, nëpërmjet 10 neneve veç e veç parasheh deri në detaje rregullat për krijimin, funksionimin dhe administrimin e fondit të gjelbër të pemëve, në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit dhe rritjen e sipërfaqeve të gjelbëruara, përcaktimin e mënyrave dhe të procedurave të përdorimit e të shpërndarjes së pemëve për nevoja publike dhe peizazh urban dhe hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Po e sjellim në Buletinin Ekonomik këtë përvojë të mirë, të dobishme dhe me një të ardhme premtuese për rritjen e numrit të drunjve dhe gjelbërimit në përgjithësi të shtetit shqiptar me qëllim që të nxiten dhe të sensibilizohen sadopak institucionet kompetente të Kosovës, që të veprojnë, pak a shumë njësoj si Shqipëria. Të sensibilizohen institucionet tona për domosdonë e rritjes së gjelbërimit edhe me vizione dhe masa të detyrueshme kundrejt ndërtimtarëve të shumtë kosovarë.

Mbjellja e disa drunjve (qofshin edhe dhjetëra e më shumë sosh) nuk është ndonjë ngarkesë e madhe për ndërtimtarët, nuk kushton edhe aq shumë sa për të qenë barrë financiare për ndërtimtarët. Në anën tjetër, dobia do të ishte e shumëfishtë. Në zona të panumërta ndërtimi në Prishtinë dhe në qendrat e tjera komunale do të shtoheshin drunjtë, do të shtohej gjelbrimi në zonat e përcaktuara për ndërtim në secilën qendër komunale të Kosovës dhe njëkohësisht do të bëhej përmirësimi i cilësisë së jetës dhe i hapësirave publike në zonat e ndërtimeve të reja, aq të shumta edhe në vendin tonë.

Përvojat e mira, të dobishme me shumë efekte pozitive, si kjo e Shqipërisë, do të duhej të ishte synim me urgjencë i autoriteteve tona, por edhe i ndërtimtarëve. /Buletini Ekonomik