Aktualisht janë vetëm dy blloqe të termocentraleve të Kosovës të angazhuara në procesin e prodhimit. Blloku A4 dhe A5, me kapacitete modeste, secili me kapacitet rreth 125-130 megavatë/orë, nuk prodhojnë as për së afërmi sasinë e nevojshme të energjisë elektrike për konsumin e vendit, i cili edhe në ditët me temperatura më të ngrohta, siç janë këto të pranverës, shpenzon rreth 700 megavatë/orë. Prej nga po sigurohet energjia elektrike e munguar?
Buletini Ekonomik
Edhe me rikthimin në operim të bllokut A4 të termocentraleve Kosova A, pas përfundimit të punimeve të riparimit në sistemin gypor të kaldajës, në fillim të kësaj jave, janë vetëm dy blloqe të termocentraleve të Kosovës që aktualisht janë të angazhuara në procesin e prodhimit. Blloku A4 dhe A5, me kapacitete modeste, secili me kapacitet rreth 125-130 megavatë/orë, nuk prodhojnë as për së afërmi sasinë e nevojshme të energjisë elektrike për konsumin e vendit, i cili edhe në ditët me temperatura më të ngrohta, siç janë këto të pranverës, shpenzon 700 megavatë/orë, që i bie rreth dy herë e gjysmë më shumë se prodhimi nga kapacitetet prodhuese që janë në operim (blloku A4 dhe A5 bashkërisht prodhojnë diku 250-260 megavatë/orë).
Një sasi minimaliste prej dhjetëra megavatësh sigurohet nga kapacitetet prodhuese të energjisë së rinovueshme (nga parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës dhe nga ai në Kitkë të Kamenicës, si dhe eventualisht nga hidrocentralet e vogla me fuqi minimaliste që gjenden në prodhim). Energjia e prodhuar nga kapacitetet ekzistuese të prodhimit të energjisë së rinovueshme në Kosovë, për shkak se ato janë fare minimaliste, tani për tani nuk çon peshë dhe ka ndikim thuajse simbolik në zbutjen e mungesës së energjisë elektrike aktualisht.
Në burime të KEK-ut kanë thënë për Buletinin Ekonomik se një sasi e konsiderueshme e energjisë që i mungon konsumit të vendit këto ditë është kompensuar nga energjia e huazuar nga Korporata Energjetike e Shqipërisë, si këmbim. Por, në orë të caktuara, është shtruar domosdoshmërisht nevoja për të importuar sasi plotësuese të energjisë elektrike. Në KESCO, deri në mbylljen e këtij teksti, nuk janë përgjigjur në pyetjen e Buletinit Ekonomik se sa është importi i energjisë elektrike nga fundi i prillit, qëkur të dy blloqet e Kosovës B janë në rehabilitim më të detajuar teknik.
“Njësia A4 e TC Kosova A është rikthyer me sukses në operim, pas përfundimit të punimeve të riparimit në sistemin gypor të kaldajës dhe krijimit të kushteve të nevojshme teknike për startim”, thuhet në njoftim.
Duhet theksuar se këto ditë në zona rurale të vendit ka edhe reduktime të energjisë elektrike. Dje (e martë), edhe në kryeqytet, në disa lagje për orë të tëra ka munguar furnizimi me rrymë, por qytetarët, për mungesë të informacionit, nuk e kanë pasur të qartë nëse bëhet fjalë për reduktim apo për ndonjë punë meremetuese në rrjet. /Buletini Ekonomik/









