Mustafa: Centrali termik me gaz dhe gazifikimi i linjitit s’janë projekte konkurruese ose përjashtuese

Profesori i ekonomisë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, është përfshirë në diskutimin mbi zhvillimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike në vend.

Sipas tij, çështja e centralit termik me gaz dhe gazifikimi (kimizimi) i linjitit nuk janë projekte konkurruese ose përjashtuese.

“Kjo çështje e diskutuar edhe më herët, me të drejtë u bë njëra nga çështje debatuese edhe në fushatën në zhvillim e sipër për zgjedhjet e të dielës. Megjithatë, edhe lidhur me këtë po tentohet që debati t’i përshtatet luftës së egër politike, logjikës së istikameve. Njëra apo tjetra mundësi nuk janë alternativa në këtë moment”, thotë Mustafa.

Reklama e sponzorizuar

Ai potencoi se centrali me gaz (të lëngët apo tjetër) duhet të realizohet shpejt e menjëherë. Mustafa thotë se kjo është çështje e një mandati për shkak të krizës së tejzgjatur edhe për mungesë të kapaciteteve të reja më se të nevojshme gjeneruese.

Nga ana tjetër, profesori i ekonomisë thotë se centrali gjenerues mbi bazë të mundësive potenciale për gazifikimin (kimizimin) e linjitit është një teknologji në zhvillim e sipër, ende në fazën e pilotimit dhe testimeve për të plotësuar kriteret që lidhen me tranzicionin e gjelbër e problemet klimatike, sidomos të BE-së.

“Me së shumti ka avancuar në ShBA dhe kjo padyshim është një çështje perspektive në te cilën edhe Kosova duhet të kyçet për të përcjellë zhvillimet dhe përgatitur studimet e fizibilitetit që do të mund të hynin në punë në një horizont më të gjatë kohor”, u shpreh profesori i ekonomisë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa.