Mbi 1,500 ankesa të konsumatorëve në gjashtë muaj, MINTI: Dominuan ankesat për energjinë dhe blerjet online

Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit (DMK), që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka njoftuar se ka pranuar dhe trajtuar gjithsej 1,567 ankesa nga konsumatorët vetëm gjatë periudhës janar-qershor 2026.

Sipas të dhënave të publikuara nga MINTI, numri i lartë i ankesave tregon se qytetarët po vazhdojnë të përballen me një sërë problemesh gjatë blerjes së produkteve dhe marrjes së shërbimeve, ndërsa në shumë raste operatorët ekonomikë nuk po respektojnë në mënyrë të plotë të drejtat e konsumatorëve të garantuara me ligj.

Raporti i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit tregon se pjesa më e madhe e ankesave lidhen me keqllogaritjet e orëve në njehsorët elektrikë, problemet me garancionin dhe kthimin e mallit, mospërputhjet e çmimeve ndërmjet rafteve dhe arkave në markete, si dhe me blerjet online, ku qytetarët janë ankuar për mosdorëzimin e produkteve ose për mosrespektimin e përshkrimit të tyre nga shitësit.

Për këtë arsye, MINTI ka paralajmëruar se do të vazhdojë të ndërmarrë masa shtesë për të rritur nivelin e respektimit të të drejtave të konsumatorëve në të gjithë territorin e Kosovës.

Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të paraqesin ankesat dhe shqetësimet e tyre përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.

Qytetarët mund të raportojnë çdo shkelje të dyshuar përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në aplikacionin Viber, si dhe përmes adresës elektronike [email protected]. /Buletini Ekonomik/