Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se afati për aplikim në kuadër të Pakos së Përballjes me Inflacion 2.0 për studentët dhe punëtorët e sektorit jo-publik mbetet i hapur edhe gjatë ditës së nesërme.
Përmes një njoftimi publik, Murati u ka bërë thirrje të gjithë përfituesve potencialë që ende nuk kanë aplikuar, ta shfrytëzojnë afatin e mbetur dhe të sigurohen që të dhënat e plotësuara në aplikim të jenë të sakta, në mënyrë që kërkesat e tyre të procesohen me sukses.
Sipas ministrit, studentët mund të aplikojnë përmes platformës eKosova, njësoj si në fazën e kaluar të mbështetjes, ndërsa punëtorët e sektorit jo-publik mund të aplikojnë përmes formularit të publikuar në faqen e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Pakoja e Përballjes me Inflacion 2.0 synon të mbështesë kategoritë përfituese në përballimin e rritjes së kostos së jetesës dhe presioneve inflacioniste.









