Parlamenti Evropian miraton legjislacionin për tarifat në tregtinë BE-SHBA

EP Plenary session - Voting session

Parlamenti Evropian ka dhënë miratimin përfundimtar për dy pjesë të legjislacionit që zbatojnë angazhimet tarifore të Bashkimit Evropian sipas deklaratës së përbashkët BE-SHBA të gushtit 2025.

Sipas Parlamentit Evropian, legjislacioni i ri synon të lehtësojë tregtinë me SHBA-në, por njëkohësisht të mbrojë industrinë evropiane, fermerët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Propozimi kryesor, i miratuar me 440 vota pro, 151 kundër dhe 50 abstenime, heq tarifat për mallrat industriale amerikane dhe ofron qasje preferenciale në treg për disa produkte detare dhe bujqësore nga SHBA-ja. Ndërsa propozimi i dytë, i miratuar me 444 vota pro, 152 kundër dhe 54 abstenime, lidhet me vazhdimin e importit pa tarifa të karavidheve, duke përfshirë tani edhe karavidhet e përpunuara.

Reklama e sponzorizuar

Legjislacioni përfshin edhe një klauzolë skadimi, sipas së cilës preferencat tarifore për importet industriale dhe agro-ushqimore do të vlejnë deri më 31 dhjetor 2029, përveç nëse rinovohen. Deri më 30 qershor 2029, Komisioni Evropian do të duhet të bëjë një vlerësim gjithëpërfshirës të ndikimit të këtyre masave në industrinë e BE-së, bujqësi, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe në ndryshimet e rrjedhave tregtare me vendet e treta. Parlamenti ka vendosur gjithashtu kushte të qarta për uljen e tarifave ndaj derivateve të çelikut dhe aluminit.

Komisioni Evropian do të mund të pezullojë preferencat tarifore nëse, deri më 31 dhjetor 2026, SHBA-ja vazhdon të aplikojë tarifa më të larta se 15 për qind për këto produkte nga BE-ja. Po ashtu, legjislacioni parasheh një mekanizëm mbrojtës në rast se preferencat tarifore për SHBA-në çojnë në rritje të importeve që mund të dëmtojnë seriozisht industrinë evropiane, përfshirë sektorin bujqësor.

Kryetari i Komisionit për Tregti Ndërkombëtare dhe raportuesi për SHBA-në, Bernd Lange, tha se Parlamenti ka siguruar një marrëveshje më të fortë për bizneset dhe qytetarët evropianë, me mekanizma më të fuqishëm mbrojtës. Pas miratimit formal nga Këshilli i BE-së, legjislacioni do të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian. /Burimi: Parlamenti Evropian/