Shteti pagoi gati 470 mijë euro paga për 61 punëtorë të Ministrisë së Mjedisit që nuk shkuan në punë

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka vazhduar edhe gjatë vitit 2025 të kryejë pagesa për 61 punonjës të angazhuar në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, ndonëse për ta nuk janë siguruar dëshmi për vijueshmëri në vendin e punës apo për kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas raportit vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për këtë ministri, gjatë vitit të kaluar për pagat e këtyre punonjësve janë shpenzuar gjithsej 469,885 euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Auditori vlerëson se kjo çështje nuk është e re. E njëjta gjetje është evidentuar edhe në auditimet e viteve të kaluara, dhe rekomandimet e dhëna nuk janë zbatuar në tërësi, duke bërë që praktika e pagesave të tilla të vazhdojë edhe gjatë vitit 2025.

Në raport theksohet se mungesa e dokumentacionit për vijueshmërinë në punë rrit rrezikun që fondet publike të shpenzohen pa dëshmi të mjaftueshme se shërbimet janë ofruar.

Për këtë arsye, ZKA i ka rekomanduar MMPHI-së që të sigurojë mekanizma efektivë për dokumentimin e vijueshmërisë së të gjithë punonjësve dhe të ndërmarrë masa konkrete për zbatimin e rekomandimeve të mëhershme, me qëllim të shmangies së pagesave që nuk mbështeten me dokumentacion të mjaftueshëm.

Nga kjo gjetje rezulton se afro gjysmë milioni euro nga buxheti i shtetit janë paguar vetëm gjatë një viti për 61 punonjës, ndërsa auditimi nuk ka gjetur dëshmi që vërtetojnë vijueshmërinë e tyre në vendin e punës. /Buletini Ekonomik/