Top prioritetet zhvillimore të Qeverisë në ardhje

Mehmet Gjata

Tash e sa vite, më saktësisht që nga 2020-ta, në Kosovë nuk kanë reshtur premtimet për të ndërtuar impiante të energjisë së rinovueshme, qoftë sosh nga burime nga era, qoftë sosh solare. Ndërkohë, Kosova e ka përmbyllur 2025-tën dhe gjysmën e 2026-tës, praktikisht pa asnjë projekt të ri të finalizuar të energjisë së rinovueshme. Ndërtimi i projekteve të zvarritura të energjisë së rinovueshme, obligimi me prioritet i qeverisë në ardhje.

Mehmet GJATA

Pavarësisht se çfarë përbërje do të ketë Qeveria e pritshme e Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme të 7 qershorit 2026, pavarësisht a do të jetë qeveri njëpartiake apo mikse, që në ditët e para të qeverisjes duhet t’i kthehet vendosmërisht zhvillimit ekonomik dhe prioriteteve zhvillimore të bazuara realisht në nevojat më urgjente të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, është qartësisht e ditur se një ndër nevojat më urgjente të Kosovës është sigurimi i energjisë elektrike nga kapacitete vetanake të mundshme të reja elektroenergjetike.

Dihet, tash e sa vite, më saktësisht qëkur kanë nisur qeverisjen qeveritë Kurti, dhe qëkur në krye të ministrisë më kompetente për vendimmarrje në zhvillimet energjetike në Kosovë është ish-ministrja Artane Rizvanolli, nuk kanë reshtur premtimet për të zbatuar sa më shpejt tranzicionin energjetik të vendit, për të ndërtuar impiante të energjisë së rinovueshme, qoftë sosh nga burime nga era, qoftë sosh solare.

Vizionet e mira dhe mbresëlënëse rreth zhvillimit të energjisë së gjelbër u shpërfaqën në shumë raste, sidomos pas miratimit të Strategjisë së Zhvillimit Energjetik të Kosovës 2022-2031.

Në këtë periudhë, në shumë raste të promovimit të energjisë së ripërtëritshme, u apostrofuan numra dhe shifra të synimeve dhe vizioneve për të shtuar megavatët e energjisë së ripërtëritshme, por edhe u përcaktuan afate, duke përmendur vite konkrete për ngritjen e kapaciteteve prodhuese për energjinë e rinovueshme.

Ndërsa, dekarbonizimi i Kosovës si objektiv strategjik, nëpërmjet vizioneve, synimeve dhe premtimeve, u dominua edhe në Strategjinë Energjetike të Kosovës 2022-2031.

Në çdo rast, në takime të shumta të promovimit të Strategjisë, por edhe në takime të tjera të brendshme dhe të jashtme, ministrja Rizvanolli deklarohej (gjatë tërë vitit 2021 dhe 2022) se Kosova në tri vjetët e ardhshme do të arrijë të ketë kapacitete deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore.

“Për herë të parë, strategjia jonë e energjisë parasheh targete tejet ambicioze për sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Gjatë tre vjetëve të ardhshme do të arrihet që Kosova të ketë kapacitete prodhuese prej 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme. Kjo do të bëhet duke shtuar kapacitetet e energjisë diellore, që do të thotë se në vitin 2025 do të kemi dy herë më shumë kapacitete të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, krahasuar me ato që i kemi pasur gjatë vitit 2021”, deklaronte Rizvanolli.

Por, Kosova, deri tash, kur po ritrajtohet mediatikisht nga Buletini Ekonomik kjo temë, praktikisht ka bërë fare pak në zhvillimin e sektorit të energjisë së gjelbër, asaj të rinovueshmes pra.

Kosova e ka përmbyllur 2025-tën, praktikisht pa asnjë premtim të përmbushur për energji të rinovueshme, që nënkupton se Kosova as më 2025-tën nuk finalizoi asnjë kapacitet të ri të energjisë së ripërtëritshme.

Kosova nuk e përmbushi së ndërtuari asnjë kapacitet të energjisë së rinovueshme as në gjysmën e 2026-tës.

Dhe domosdo kjo është një huqje shqetësuese në përmbushjen e objektivave për të ndërtuar kapacitete të energjisë së ripërtëritshme, qoftë edhe të kapaciteteve konkrete të premtuara, qoftë të atyre si vizione dhe si ide, të parashikuara të realizohen edhe me afate në dokumentet zhvillimore.

Deri tani është evidente zvarritja e pafundshme e ndërtimit të impiantit solar 100 megavatësh nga ankandi i parë për ndërtimin e një kapaciteti solar në komunën e Rahovecit dhe finalizimi i këtij projekti aq të proklamuar nga autoritetet për disa vite me radhë ende nuk dihet kur do të bëhet.

Nuk dihet në publik as kur do të ndërtohet saktësisht kapaciteti tjetër solar, po me kapacitet 100 megavatësh, në tokat djerrinë të KEK-ut, për të cilin po kështu u tha në shumë raste publikisht se do të ndërtohet shumë shpejt.

Nuk dihet ku ka arritur përmbushja e premtimit publik, i bërë në fillim të 2024-tës (janar 2024), i zonjës Rizvanolli se “ndër tri prioritetet e dikasterit që drejton për vitin 2024 do të jetë edhe ndërtimi i 150 megavatë kapaciteteve të energjisë me erë përmes ankandit”.

Nuk ka njoftime, po kështu, se në ç’fazë është realizimi i programit kompakt me MCC për instalimin e sistemit të ruajtjes së energjisë nëpërmjet baterive me kapacitet prej 170 MW (apo 340 MWh), me një vlerë totale prej 180 milionë dollarësh, të cilat mundësojnë integrimin në rrjet të kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme, sado që ministrja e Ekonomisë i kishte vendosur në tre top prioritetet e punës së ministrisë së vet më 2024 dhe më pastaj.

Kjo është gjendja aktuale në sektorin e energjisë së rinovueshme në Kosovë, ndërkohë që në këto vite, shtetet e rajonit, por edhe Shqipëria, po ngulmojnë vrullshëm në ndërtimin e kapaciteteve të energjisë alternative.

Prodhimi i energjisë elektrike nga dielli në Shqipëri u rrit gjatë tremujorit të parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se centralet fotovoltaike prodhuan 254 GWh energji elektrike, nga 176 GWh në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje prej 44%.

Të dhënat e Entit Rregullator të Energjisë të Shqipërisë tregojnë se numri i centraleve fotovoltaike është rritur nga vetëm 10 në vitin 2020 në 53 në vitin 2025, ndërsa kapacitetet e instaluara janë zgjeruar nga 21 MW në 631 MW në të njëjtën periudhë.

Ose, nga rreth 32 mijë MWh energji të prodhuara nga centralet fotovoltaike në vitin 2020, prodhimi ka arritur në mbi 832 mijë MWh në vitin 2025, duke reflektuar rritjen e investimeve në energjinë diellore dhe hyrjen në operim të projekteve të reja.

Për shkak të këtyre fakteve dhe të gjendjes aktuale në këtë sektor, kabineti i ri qeveritar, që në ditët e para të punës, duhet ta ketë një nga top prioritetet finalizimin sa më të shpejtë të këtyre projekteve që kanë mbetur vetëm vizione të mira deri tash.

Projektet ideore dhe të vijëzuara në dokumente zhvillimore të energjisë së rinovueshme duhet të bëhen një orë e më parë vepra.

Kosova ka shumë nevojë edhe për impiante solare, edhe për sosh të reja të energjisë në bazë të erës. /Buletini Ekonomik/