37.7 milionë euro taksa të paguara për rrugën e Kombit, arkëtimet më të larta se plani i koncesionarit

Nga viti 2018 dhe me pritshmëritë e këtij viti, arkëtimet nga taksat direkte në rrugën e Kombit arritën vlerën e 4,6 miliardë lekëve ose 37.7 milionë euro, ndërsa financimi nga buxheti i shtetit arriti në 20 milionë euro (2018-2021).

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në Shqipëri, arkëtimet kanë pasur ecuri më të mirë se planet vjetore të kompanisë “Albania Highway” që administron më koncesion PPP.

Reklama e sponzorizuar

Në vitin 2019 kompania arkëtoi 1,8 miliardë lekë nga tarifa direkte nga 1,2 miliardë lekë të planifikuara ose 41% më shumë. Gjithashtu në vitin 2020 megjithëse një vit krize për shkak të bllokimeve në lëvizje që krijoi pandemia të ardhurat nga tarifa ishin mbi 1,4 miliardë lekë ose 12,7% më të larta se, plani i kompanisë.

Vlera e investimeve që duhet të bëjë koncesionari sipas kontratës është 5,6 miliardë lekë, teksa të ardhurat nga tarifa deri më tani mbulojnë 87 për qind të vlerës së investimit.

Kontrata Koncesionare/PPP “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë” ka si objekt përmirësimin e Autostradës “Milot-Morinë”, shfrytëzimi dhe mirëmbajtja efikase e saj nga ana e shoqërisë koncesionare, sipas një pakete të paracaktuar të standardeve të performancës.

Aktualisht projekti është në fazën e ndërtimit dhe të operimit. Deri në fund të vitit 2020 janë realizuar 62% e punimeve të ndërtimit, sipas Ministrisë së Financave.

Sipas raportimeve shoqëria koncesionare vazhdon të realizojë punimet e mirëmbajtjes së autostradës “Milot-Morinë”, si dhe punime përmirësuese të komponenetëve të ndryshëm përgjatë autostradës me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë.

Kjo kontratë koncesionare referuar mënyrës së shpërblimit të koncesionarit, realizimin e të ardhurave e ka të parashikuar në formën e tarifave për kalim nga përdoruesit e rrugës ndaj koncesionarit. Gjithashtu, kontrata parashikon garantimin nga ana e autoritetit kontraktues e një pragu të të ardhurave nga trafiku, të përcaktuar në kontratë si dhe ndarjen e tyre midis koncesionarit dhe Autoritetit Kontraktues në rast të tejkalimit të këtij pragu. Ndërkohë për realizmin e veprave të artit të përcaktuara në kontratë një pjesë e kostos së tyre mbulohet nëpërmjet subvencionimit nga buxheti i shtetit.

Nga viti 2018 deri në fund të vitit financimet e buxhetit të shtetit për rrugën e Kombit arrijnë vlerën e 20 milionë eurove. Sipas ministrisë së Financave koncensionari ka siguruar të rreth 58 milionë euro të ardhura në katër vitet e para të operimit./Monitor.al/