Banka Botërore me kredi 111 milionë euroshe për Shqipërinë për programin e rimëkëmbjes dhe zhvillimit të gjelbër

Banka Botërore

Banka Botërore ka konfirmuar se ka nënshkruar marrëveshjen e kredise prej 110.8 milionë eurosh me Shqipërinë për të përkrahur programin e rimëkëmbjes dhe zhvillimit të gjelbër.

Programi, që do të vazhdojë zbatimin deri në dhjetor 2024, ka për qëllim të fuqizojë rimëkëmbjen e sektorit qeveritar dhe të amvisërive, të përmirësojë kornizën e tregut të energjisë si dhe të përshpejtojë energjitë e ripërtëritshme dhe efiçiencën e energjisë, të mbrojë mjedisin dhe të ulë emetimet e karbonit në Shqipëri, është thënë në komunikatën e publikuar nga Banka Botërore, përcjell Kosovo.Energy.

Shqipëria tashmë ka lëvizur në disa çështje që mbulohen nga programi, duke përfshirë edhe përmirësimin e ligjit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, organizimin e tregut për energji me shumicë si dhe ndalimin e përdorimit të qeseve plastike me një përdorim, deri në trashësi të përcaktuar.

Financimi do të bëhet me një këst ndërsa shlyerja e borxhit do të fillojë në korrik të vitit 2028 dhe të përfundojë në korrik 2040, thuhet në komunikatë.

Reklama e sponzorizuar