Komuna e Prishtinës ia shkëputë tri kompanive kontratat, Rama: Nuk do të tolerojmë papërgjegjësi dhe joseriozitet në projektet e kryeqytetit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se janë shkëputur tri kontrata me tri kompani të kryerjes së disa punimeve në kryeqytet. 

Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se shkëputja e kontratave me këto kompani është bërë për arsye se “nuk kanë respektuar kushtet e kontratave të nënshkruara”.

Ai tutje theksoi se kompanitë në fjalë nuk kanë dëshmuar profesionalizëm dhe seriozitet në zbatimin e planit dinamik.

Reklama e sponzorizuar

“Rrjedhimisht, kanë pasur ngecje të mëdha në realizim të punimeve duke mbajtur projektet e papërfunduara dhe duke vështirësuar jetën e qytetarëve në lokacionet përkatëse. Nuk do të tolerojmë papërgjegjësi dhe joseriozitet në projektet e Kryeqytetit. Kompanive të tilla do t’u konfiskojmë sigurimin e ekzekutimit të punimeve që arrin vlerën 10% të shumës së projektit.

Do të vazhdojmë të sigurojmë cilësi e standard të ri të ndërtimit në rrugëtimin tonë të transformimit të Kryeqytetit”, ka shkruar ndër të tjera Rama në Facebook.