Kosova është ende pa shifra të sakta për popullsinë e saj, meqë procesi për regjistrim është zvarritur qe dy vjet. Regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë shkaku i pandemisë COVID-19. Ndërkohë, ai që ishte paraparë të fillohej në shtator, është shtyrë për 1 nëntor. Kryeministri Kurti ka fajësuar Asociacionin e Komunave, derisa nga AKK fajin e lënë te Kurti. Si arsye për zvarritjen e këtij procesi, është përfolur edhe rënia e numrit të popullsisë nën 1.6 milion. Nga ASK’ja kanë heshtur për këto pretendime, derisa për ish-Ministren Melihate Tërmkolli, kjo është jologjike dhe joserioze. Regjistrimi i fundit është bërë në vitin 2011, sipas të cilit, Kosova ka rreth 1.8 milion banorë, pa përfshirë banorët në veri.
Më 1 shtator të këtij viti ishte paraparë të fillonte regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë. Rreth një javë para kësaj date, kryeministri Albin Kurti e ka shtyrë sërish këtë proces edhe për dy muaj.
Ky proces në fakt është dashur të realizohet në vitin 2021, por pandemia COVID-19 ka pamundësuar një gjë të tillë. Prej atëherë, procesi është zvarritur.
Nëse gjithçka tash shkon sipas planit, regjistrimi i popullsisë do të fillojë nga 1 nëntori dhe do të zgjasë deri më 15 dhjetor.
Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, shpreh dyshime se regjistrimi do të bëhet sivjet. Si arsye për këtë ka lënë të nënkuptohet se është rënia e numrit të popullsisë nën 1.6 milion.
“Kosova është dashur të organizojë regjistrimin e popullsisë në vitin 2021, por qeveria e ka shtyrë disa herë. Dyshoj se do ta organizojmë edhe këtë vit. POR! Nëse thashethemet për disa vlerësime paraprake janë të vërteta për rënien e popullsisë nën 1.6 milion, kjo do të ketë efekt dramatik në të gjitha të dhënat për kokë banori”, ka shkruar Selimi.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka heshtur për këto pretendime. Nga ASK’ja s’janë përgjigjur as nëse janë bërë përgatitjet për të filluar me regjistrim. Përgjigje s’kanë kthyer as nga Komisioni Qendror i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave.
Për ish-ministren e Shërbimeve Publike, Melihate Tërmkollin, është jologjike dhe joseriozeqë diçka e tillë të jetë pengesë.
Në një deklaratë për Gazetën Express, ajo ka thënë se ka mungesë të theksuar transparence për këtë proces në tërësi dhe se është e paqartë pse po shtyhet regjistrimi.
Zvarritjen e këtij procesi, Tërmkolli e ka cilësuar papërgjegjësi, paaftësi dhe neglizhencë e pajustifikuar e qeverisë dhe institucioneve tjera.
“Nuk ka asnjë arsye që e arsyeton shtyrjen e pafund të këtij procesi. Është jo logjike dhe jo serioze që pengesë për regjistrim të vlerësohet rënia e numrit të popullsisë në kohën kur rënia jo vetëm nuk po ndalet por po thellohet edhe më shumë. Kosova po shkon kah rënia e frikshme e numrit të popullsisë, në radhë të parë për shkak të ikjes së qytetarëve dhe zbrazjes së vendit përfshirë edhe rënien e natalitetit dhe faktorë tjerë socio-ekonomikë me ndikim në këtë çështje vitale për funksionimin normal të shtetit dhe kombit. Kjo tashmë është një problem thelbësor kombëtar me të cilin, fatkeqësisht askush nuk po merret seriozisht, në radhë të parë qeveria por edhe institucionet tjera politike e shkencore akademike”, ka thënë Tërmkolli.
Vonesat në realizimin e këtij procesi, Tërmkolli thotë se e dëmtojnë Kosovën në secilin aspekt.
“Regjistrimi nuk është vetëm numërim i popullsisë por proces dhe projekt me rëndësi të madhe për zhvillimin e vendit. Ky proces realizohet bazuar në kritere evropiane të përcaktuara nga EUROSTAT-i, të vlefshme për të gjitha vendet evropiane. Sigurisht që çdo vonesë në realizimin e tij e dëmton Kosovën regjistrimit të popullsisë përfshirë edhe përcaktimin e prioriteteve në këtë drejtim”, ka deklaruar Tërmkolli.
Vendimi për shtyrjen e këtij procesi deri më 1 nëntor, është marrë në mbledhjen e Qeverisë më 23 gusht.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e dhënë arsyetimin e këtij vendimi kishte deklaruar se janë një sërë vonesash në proces që e kanë bërë të pamundur nisjen e regjistrimit të popullsisë më 1 shtator.
Një prej tyre e kishte renditur, siç kishte thënë, rezistencën e Asociacionit të Komunave brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit.
“Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës së prodhuar edhe brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor. Pra, [procesi do të fillojë] dy muaj më vonë për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet”, tha Kurti.
Në këtë Komision, Asociacioni i Komunave të Kosovës ishte përfaqësuar nga Sazan Ibrahimi, i cili ka dhënë dorëheqje në muajin mars. Në një prononcim për Gazetën Express, Ibrahimi ka thënë se Asociacioni nuk ka paraqitur kurrë ndonjë pengesë dhe se ka qenë palë konstruktive.
“Rezistenca” që ka përmendur Kurti, Ibrahimi thotë se mund të ketë qenë kur “në një nga takimet, është ngritur çështja e rezolutës 1244 dhe që dikush ka kërkuar që regjistrimi i popullatës të bëhet me rezolutën 1244, ku unë kam thënë qe ne si Asociacion nuk e pranojmë asnjë dokument ku do të shkruhet fusnota me rezolutë 1244, por kemi kërkuar që nëse bëhet diçka, fusnota të jetë ajo që është pranuar ndërkombëtarisht në marrëveshjen e Brukselit”.
Sipas Ibrahimit, problemi ka qenë tek vendimi i Qeverisë për ta trajtuar bashkëpunimin me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) si marrëveshje ndërkombëtare e jo “memorandum bashkëpunimi me një organizatë ndërkombëtare”.
“Problemi qëndron te çështja e marrëveshjes së mundshme të qeverisë me UNOPS’in. Po flas kur unë kam qenë në atë kohë, ky ka qenë problemi. Është menduar në atë kohë, se tash nuk i di zhvillimet e fundit, në atë kohë ka qenë se nuk është lidhur ndonjë marrëveshje me UNOPS’in në mënyrë që të realizohet regjistrimi i popullatës në Republikën e Kosovës”, ka shtuar Ibrahimi.
Trajtimi i këtij bashkëpunimi si marrëveshje ndërkombëtare do të thotë që marrëveshja do të duhej të kalonte në Kuvendin e Kosovës me votat e dy të tretës së deputetëve. Opozita i ka bojkotuar propozimet e tilla që Qeveria i ka sjellë në Kuvend.
Se ky vendim i Qeverisë ka ndikuar në shtyrjen e procesit e kishte pranuar edhe vetë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
“Qeveritë e kaluara, në vitin 2011, për qëllim të regjistrimit të popullsisë, bashkëpunimin me një organizatë ndërkombëtare të cilës ia transferuan miliona euro për qëllime të prokurimit e bënë me një memorandum të thjeshtë bashkëpunimi. Mënyra e tillë e bashkëpunimit e cenon shtetësinë e Kosovës. Një gjë e tillë me qeverinë tonë nuk bëhej”, kishte deklaruar Kurti.
Në procesin e regjistrimit të popullsisë, sivjet do të angazhohen edhe personat që aktualisht janë të papunë. Vendimi është miratuar në mbledhjen e 13 shtatorit.
Gjatë prezantimit të këtij propozimi, Ministri Hekuran Murati tha se kështu do të mundësohet punësimi i përkohshëm i të gjithë atyre që nuk janë të punësuar.
“Propozim-vendimi që keni para jush ka të bëjë me shtimin e një mase të re në kuadër të shtyllës së parë të masave për mbështetjen e punësimit në ofrimin e shërbimeve publike dhe synimi është që përgjatë procesit të regjistrimit që kemi para nesh, përmes kësaj mase aktive të tregut të punës, të mundësojmë punësimin e përkohshëm të gjithë atyre që aktualisht janë të papunë të angazhohen në procesin e regjistrimit. Pra, që sado pak, personat që janë të papunë në Republikën e Kosovës edhe përmes kësaj mase të mund të përfitojnë dhe të angazhohen qoftë edhe përkohësisht, në mënyrë edhe që të ndihmojnë në ofrimin e shërbimeve publike por edhe ata të përfitojnë përmes këtij angazhimi”, tha ai.
Ndryshe, regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, sipas të cilit numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, ishte 1 milion e 739 mijë e 825. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.