Themelohet Oda Ekonomike Kosovë-Bullgari

Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka marrë pjesë në përurimin e Odës Ekonomike Kosovë-Bullgari, në Sofje të Bullgarisë.

Themelimin e Odës Ekonomike Kosovë-Bullgari, zëvendësministri Arifaj e cilësoi si epokë të re të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Bullgarisë, të vizionit të përbashkët dhe të bashkëpunimit ekonomik, duke shtuar se kjo Odë Ekonomike  do të luajë poashtu një rol kyç në nxitjen e lidhjeve më të forta ndërmjet dy vendeve tona.

“Kosova dhe Bullgaria kanë potencial të pashfrytëzuar dhe kjo Odë do të shërbejë si katalizator për ta zhbllokuar këtë potencial, duke siguruar një platformë për rrjetëzim, shkëmbim informacioni dhe qasje në treg nga e cila do të përfitojnë bizneset, ka shtuar Arifaj.

Reklama e sponzorizuar

Në kuadër të kësaj ngjarjeje, zëvendësministri Arifaj zhvilloi takime të ndara edhe me Drejtorin e Agjencisë së Investime të Republikës së Bullgarisë, Hristo Etropolsky, me të cilin diskutuan rreth mundësisë së investimeve dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e investimeve.

Takim tjetër, zëvendësministri zhvilloi edhe me Boyko Takov, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Promovimin e Ndërmarrjeve ku temë diskutimi ishte rrjetëzimi i bizneseve të të dyja vendeve dhe mundësitë e zgjerimit të bizneseve bullgare në Kosovë.

Palët u pajtuan që të vazhdohet bashkëpunimi sa më intensiv ndërmjet vendeve tona me interes dypalësh, përmes  shkëmbimit të përvojave, lehtësimit të partneritetit, promovimit të inovacionit dhe zhvillimit ekonomik të të dyja shteteve.