Bitcoin i afrohet sërish 38,000 dollarëve – Lagarde e pranon publikisht se djali i saj humbi investimet në kripto

Tregu i kriptomonedhave i është rikthyer fitimeve në sesionin e sotëm, me bitcoin që i është afruar më shumë nivelit të 38,000 dollarëve. Në këto nivele, boitcoin ka “ngecur” që nga 9 nëntori, por sipas analistëve kjo nuk do të thotë se tendenca në rritje ka përfunduar. Ndërsa fitimet janë kufizuar pranë 38,000 dollarëve, tërheqjet e mëvonshme kanë qenë të pakta dhe jetëshkurtra, një shenjë e kërkesës së vazhdueshme dhe konsolidim i çmimeve.

Sipas analistëve, kjo mund të nënkuptojë se, bitcoin po “fiton energji” për rritjen e radhës, mbase mbi nivelin e 40,000 dollarëve. Kjo rritje e pritshme mbështetet edhe nga të dhënat historike, pasi fitimi mesatar i bitcoin në dhjetor, gjatë 8 viteve të fundit, ka qënë me 12%. Dhe nëse e marrim për bazë çmimin aktual prej rreth 38,000 dollarë, një rritje me 12% do të thotë se vitin 2023 bitcoin mund ta mbyll në rreth 42,000 dollarë.

Ndër zhvillimet e tjera, Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, pranoi të premten se djali i saj humbi pothuajse të gjitha investimet e tij në asetet e kriptomonedhave. Lagarde ka kritikuar prej kohësh kriptovalutat, duke i quajtur ato spekulative, të pavlera dhe një mjet që shpesh përdoret nga kriminelët për aktivitete të paligjshme.

Reklama e sponzorizuar

“Ai më injoroi plotësisht, që është e drejta e tij. Por, ai humbi pothuajse të gjitha paratë që kishte investuar”, deklaroi Lagarde gjatë një takimi me studentët në Frankfurt.

Banka Qendrore Europiane ka bërë thirrje për një rregullim global të aseteve kripto, si për të mbrojtur konsumatorët që nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun, ashtu edhe për të mbyllur një boshllëk që mund të përdoret për të kanalizuar financimin e terrorizmit ose për t’i lejuar kriminelët të pastrojnë paratë.